‘Fake news’ dhe mikrofona të thyer, anësoret e vizitës së Merkel në Tiranë

Vizita e kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, në Tiranë – e fundit në këtë post për të – ka rrokur gjithë vëmendjen e mediave jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, pasi pjesëmarrës do të ishin të gjashtë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Përtej mesazheve të qarta mbi zhvillimin e “Procesit të Berlinit” dhe “Open Balkan”, vëmendje mediatike morën edhe disa ngjarje anësore të ndodhura këtë 14 shtator.

Një gazetar malazez, Aleksandar Brezar, ka pretenduar se kryeministri i vendit të tij, Zdravko Krivokapić, nuk është lejuar të futet në Shqipëri, sepse nuk kishte testin PCR kundër COVID-19.

As pasaportë vaksimi sipas Brezar, kryeministri nuk kishte. Për këtë shkak, ai u ndalua në kufi me Shqipërinë në pretendimet e gazetarit.

Mirëpo, drejtori i Komunikimit pranë kryeministrisë, Endri Fuga, e ka përgënjeshtruar këtë lajm.

Për Albanian Post, ai ka thënë se gazetarët kanë hedhur video të makinave në kufi. Por, Krivokapić, ka zgjedhur rrugën ajrore për të ardhur në Tiranë.

Fuga e ka cilësuar “fake news” të gjithë lajmin duke u shprehur se është e pamundur që vizita e një kryeministri të ndalohet në një mënyrë të tillë.

Një ngjarje tjetër, e cila nuk u mediatizua shumë, ishte edhe revolta e disa gazetarëve nga Kosova. Ata ishin pjesë në konferencën e përbashkët të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe homologes së tij gjermane, Merkel.

Për shkak të agjendës së kancelares, pak pyetje u lejuan të bëhen në drejtim të të dyve. Për këtë arsye, gazetarët nga Kosova janë revoltuar fillimisht, duke iu drejtuar Ramës se “janë edhe ata aty”.

Kryeministri replikoi menjëherë, duke i bërë të ditur se për ta ai është aty, por kancelarja ka agjendën e saj. Ndërsa gazetarët, menjëherë më pas, kanë thyer kufjet e përkthimit në shenjë proteste.

Back to top button