Përplasjet që çuan në ndarjen Basha-Kryemadhi: Pse koalicioni PD-LSI nuk ekziston më

Pas zgjedhjeve të 25 prillit dhe daljes së rezultateve u fol shpesh për një ftohje mes 2 partive më të mëdha të koalicionit opozitar, PD dhe LSI. Teksa selia blu u angazhua në një fushatë denoncimesh për procesin zgjedhor, LSI ishte më e tërhequr. Kryetarja Monika Kryemadhi pothuajse është zhdukur nga ekranet e TV dhe të rralla janë disa komente të saj në rrjetet sociale. Në periudhën që pasoi nuk pati më asnjë takim mes Bashës dhe Kryemadhit.

Me fillimin e sesionit të ri parlamentar u bë e qartë se se mes aleatëve të dikurshëm nuk kishte më asgjë.

Në seancën e parë të Kuvendit kur do të zgjidhej kryetarja Lindita Nikolla deputetët e PD e grisën fletën e votimit në mënyrë demonstrative ndërsa ata të LSI e bënë fletën e tyre të vlefshme dhe e hodhën në kuti edhe pse më herët kishin deklaruar se qëndrimi i tyre ishte kundër.

Kjo ishte shenja e parë e ndarjes që vijoi edhe më pas me një tjetër akt. Kur deputetët e PD në fillim bënin zhurmë duke goditur tavolinat kur në foltore doli Lindita Nikolla ata të LSI qëndruan pasivë. Më pas deputetët e PD e braktisën sallën ndërsa Monika Kryemadhi dhe 3 të zgjedhurit e LSI qëndruan deri në fund.

Pas përfundimit të seancës, Kryemadhi i shmangu të gjitha mediat dhe nuk dha asnjë përgjigje.

Seanca e dytë e Kuvendit e shpalosi edhe më tej përçarjen PD-LSI.

4 deputetët e LSI nuk mund të krijojnë një grup parlamentar pasi minimumi duhen 7 të tillë. Në momentin do të votohej ndarja e deputetëve në komisionet parlamentare, deputeti i LSI-së Petrit Vasili kërkoi kohë që edhe të zgjedhurit e kësaj force të bënin kërkesat e tyre.

Në krah të LSI doli menjëherë PS që edhe për diversion kërkoi shtyrjen e votimit për seancën e radhës. Partia Demokratike në krahun tjetër këmbënguli që kërkesa e LSI të zgjidhej brenda së hënës. Kryetarja e Kuvendit e hodhi në votim duke e rrëzuar qëndrimin e PD.

Pas seancës reagoi LSI që e përshëndeti vendimin e Lindita Nikollës.

“Shërbimi i Seancave në Kuvendin e Shqipërisë nuk ka lajmëruar asnjë nga deputetët e LSI, në mënyrë që të bëjnë propozimet e tyre në lidhje me pjesëmarrjen në komisionet parlamentare. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla pranoi kërkesën e LSI dhe për këtë arsye miratimi i përbërjes së komisioneve parlamentare u shty për në seancën tjetër”, – thuhet në reagimin e LSI.

Ndërsa kreu i deputetëve të PD, Alfred Rushaj pranoi se nuk kishte pasur kontakte me LSI.

“Nuk kemi pasur komunikim me LSI, pranuam kërkesën e LSI që ata të mund të marrin kohë në këtë seancë që dhe ata të zënë vendin e tyre. Kjo ishte kërkesa jonë që u refuzua nga Partia Socialiste” – tha Rushaj.

Ndërsa Taulant Balla i “qau hallin” LSI pas seancës.

“Ajo që unë propozova ishte për ti lënë më shumë kohë dhe hapësirë deputetëve të LSI, për të propozuar edhe ata anëtarët e komisioneve” – tha Balla.

Një tjetër shenjë e përplasjes është edhe fakti që Basha ndihmoi aleatët e tjetër të krijojnë grupe parlamentare më vete duke i huazuar deputetë, por LSI-së jo. Arsyet e kësaj ndarjeje janë ende të paqarta pasi asnjëra nga palët nuk ka dhënë motivet.(Lapsi)

Back to top button