Premtimet e pambajtura të “Rama 2”

Programi i qeverisë “Rama 3”, që kryeministri pritet ta prezantojë ditën e enjte para deputetëve për të kërkuar votëbesimin si për ministrat e propozuar, ashtu edhe për këtë program është ambicioz në disa fusha, duke premtuar rritje pagash, rishikim me ulje të tatimit progresiv dhe mbylljen e legalizimeve.

Por, nëse bëhet një bilance për programin e qeverisë “Rama 2”, jo të gjitha ato që u premtuan në program janë realizuar, të paktën jo në fushën e taksave. Në 2017-n, gjatë prezantimit të programit në Kuvend, Rama premtonte rishikim të disa tatimeve.

Ai premtoi uljen e tatimit mbi të ardhurat personale për fashën e lartë të pagave, pra të personave me rrogë mbi 150 mijë lek në muaj nga 23 në 18 për qind. Premtimi nuk u mbajt dhe rishikimi i gjithë skemës së tatimit progresive është premtuar tashmë për në mandatin e tretë. Përveç kësaj, në vitin e fundit të mandatit të dytë barra e taksave dhe burokracive u shtua me detyrimin ndaj të dypunësuarve për t’u vetëdeklaruar.

Një premtim i mbajtur ishte ai për të lehtësuar barrën tatuese të shtresës më të lartë të shoqërisë, pra personave që janë aksionerë në kompani të mëdha, që në momentin kur tërheqin fitimet (dividentin) tashmë paguajnë vetëm 6 për qind, nga 15 për qind që ishte kjo taksë para këtij ndryshimi.

“Rama 2” premtoi gjithashtu ndihmë për familjet e reja për bleren e shtëpisë së parë, duke njohur si shpenzime të zbritshme interesat e kredive të marra për strehim. As ky premtim nuk u mbajt. Skema e vetme për strehimin e kësaj kategoria është ajo përmes kredive të buta që ofrohen nga Bashkia e Tiranës.

Te kategoria e premtimit të pambajtur mund të përfshihet edhe ai për uljen e borxhit në 60 për qind të PBB-së. Borxhi aktualisht është mbi 80 për qind dhe jo vetëm nuk u ul, por u rrit, ndikuar nga tërmeti dhe nga pandemia, dy goditjet që devijuan prioritetet e qeverisjes.

Gjithsesi, në buxhetin për këtë vit, ministria e Financave parashikon që borxhin të fillojë brenda këtij viti kurbën rënëse, të paktën me 2 për qind brenda këtij viti dhe rënien poshtë 75 për qind në fund të vitit të ardhshëm.

Back to top button