“Procesi i Berlinit” apo “Ballkani i Hapur”? Cilat ishin mesazhet e vizitës së Merkel në Tiranë, kë mbështet kancelarja

Kancelarja gjermane, Angela Merkel vizitoi këtë të martë Shqipërinë, ku pas takimit me kryeministrin Edi Rama,  ajo zhvilloi edhe një takim të gjerë me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Vizita në Tiranë erdhi pas një vizitë që zhvilloi në Beograd, në atë që është quajtur si “turi i lamturirës” së “gruas së hekurt”.

Fokusi i vizitës

Në fokus të vizitës së kancelares Merkel në Tiranë ishte integrimi në BE, bashkëpunimi rajonal dhe kryesisht jetësimi i Tregut të Përbashkët Rajonal, nismë kjo në kuadër të “Procesit të Berlinit“.

Kancelarja gjermane nuk përmendi për asnjë moment togfjalëshin “Ballkani i hapur” nismë që ka futur në sherr kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, dhe për të cilën kryeministrin Rama në sy të kancelares tha se është “pjellë e Procesit të Berlinit”.

Por, e pyetur se kush duhet të jetë prioritar për udhëheqësit e Ballkanit, Inciativa e Berlinit apo Open Ballkan, kancelarja gjermane ishte e qartë.

“Procesi i Berlinit, nëse më lejoni të them, është bërthama e gjithçkaje dhe sigurisht, në këtë kontekst, Procesi i Berlinit nuk mund të zëvendësohet, gjërat thjesht mund të përshpejtohen brenda këtij Procesi”, tha Merkel.

Rama në sy të Merkel: Ballkani i Hapur, pjellë e Procesit të Berlinit

Edhe pse u përqendrua vetëm tek Procesi i Berlinit, nismë e iniciuar nga vetë ajo disa vite më parë, kancelarja nuk mohoi as pohoi një deklaratë të kryeministrit Rama , që ishte krah saj, ku u shpreh se “Minishengeni”, së fundmi i pagëzuar si “Ballkani i Hapur” është pjellë e “Procesit të Berlinit”.

“Open Balkan është pjellë e Procesit të Berlinit, nuk është një alternativë e Procesit të Berlinit, nuk është një nismë në kontradiktë me Procesin e Berlinit, është pjellë e Procesit të Berlinit. Open Balkan është as më shumë e as më pak, por një mekanizëm për ta përshpejtuar Procesin e Berlinit, kaq. Nuk ka Open Balkan asgjë brenda që kontradikton me Procesin e Berlinit”, tha Rama.

Gjithsesi, Merkel tha se mbështet çdo nismë që nxit bashkëpunimin mes vendeve, si dhe Tregun e Përbashkët Rajonal.

“Unë përshëndes në mënyrë shprehimore edhe projektin e Tregut të Përbashkët Rajonal me katër marrëveshjet, sikundër i quajmë. Jo të gjithë janë duke bashkëpunuar në të njëjtin nivel në këto marrëveshje, disa janë tashmë brenda implementimit të tyre, disa të tjerë janë duke u menduar për t’ju bashkuar kësaj iniciative, por sot, ne kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunojnë në këtë kontekst, aq më mirë e aq më i fuqishëm do të jetë Procesi i Berlinit”, tha Merkel.

Kujtojmë se Merkel u bë 7 vjet më parë, në gusht 2014, nismëtare e Procesit të Berlinit, i cili përfshiu 6 vendet e Ballkanit Perëndimor në një përpjekje të përbashkët për të përspejtuar integrim e tyre në Bashkimin Europian.

As takimi me Merkel nuk bind Kurtin

Gjithsesi, ardhja e Angela Merkel në Tiranë, nuk solli ndonjë rezultat sa i përket unifikimit të shteteve të rajonit për nismën “Open Balkan”. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk u bind as pas takimit me Merkel, për nismën që momentalisht përqafohet vetëm nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Procesi i Berlinit i drejtuar nga Angela Merkel është i mjaftueshëm për Ballkanin.

“U konfirmua se procesi i Berlinit është korniza dhe rruga për integrimin e 6 shteteve të Ballkanit në BE. Procesi i Berlinit është mjaftueshëm i gjërë dhe mjaftueshëm i thellë që të mos ketë nevojë për variante alternative. Fondet e BE duhet të paraprihen me vlerat e BE. Sundimi i ligjit, demokratizimi, ballafaqimi me të kaluarën dhe reciprociteti janë elementë të rëndësishëm për paqen dhe integrimin.

Kosova dhe Serbia janë dy shtete që zhvillojnë dialog për statusin e marrëdhënieve në të ardhmen. Kosova nuk mund të kthehet para ditës kur shpalli pavarësinë”, tha Kurti.

"Procesi i Berlinit" apo "Ballkani i Hapur"? Cilat ishin

Integrimi, takimet “kokë më kokë” dhe “paralajmërimi” për Serbinë

Merkel vlerësoi përparimin e Tiranës dhe Shkupit me plotësimin e detyrave të integrimit në BE, si dhe nismën për Tregun e Përbashkët Rajonal.

Ajo pati një drekë pune dhe takime më vete me secilin prej 6 kryeministrave, pas konferencës së shtypit me kryeministrit Rama, ku vlerësoi reformën e sistemit gjyqësor të Shqipërisë si dhe përparimin e Tiranës dhe Shkupit drejt Bashkimit Europian.

Kancelarja i kërkoi BE që të mbajë fjalën për integrimin e Ballkanit, ndërsa u shpreh se Rajoni ka shumë miq në Bruksel.

Vizita e saj e lamturisë në Beograd dhe Tiranë, tregoi edhe një herë mbështetjen e kancelares për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian si dhe për zhvillimin e tij.

Në Beograd, Merkel u shpreh edhe për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, si një kusht për anëtarësimin në BE të Serbisë./Gazeta SHQIP

Back to top button