Shqipëria më e prapambetura në rajon/ BERZH bën thirrje që të rriten investimet në hekurudhë

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim u bën thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të investohen më shumë në ndërtimin e rrjetit të ri dhe përmirësimin e rrjetit aktual hekurudhor si zgjidhje për të adresuar problemin e ndryshimeve klimatike dhe përmirësuar ndërlidhjen.

“Hekurudhat, jo vetëm që luajnë një rol kritik dhe të mirëbalancuar në sistemin e transportit, por janë edhe një pikë kthese në qasjen drejt një sektori miqësor me mjedisin dhe adresimin e ndryshimeve klimatike”, tha Nandita Parshad, drejtor i grupit të infrastrukturës pranë BERZH, gjatë fjalës së mbajtur në Samitin e Hekurudha të Ballkanit Perëndimor, në Beograd.

Samiti u organizua nga BERZH, Banka Europiane e Investimeve dhe Komuniteti i Transportit. Ai iu kushtua përmirësimit dhe integrimit të sistemit hekurudhor të Ballkanit Perëndimor me rrjetin e Bashkimit Europian.

BERZh thotë se ka investuar thuajse 1 miliard euro në sektorin hekurudhor në Ballkanin Perëndimor, ku përfshihen edhe 36 mln eurot për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës në Shqipëri. Banka thekson tre prioritete për të zhvilluar këtë sektor në rajon, ku Shqipëria vlerësohet si më e prapambetura.

Së pari, investime prej miliona eurosh për elektrifikimin e linjave hekurudhore, zgjerimin e infrastrukturës, sinjalistikën dhe dixhitalizimin. Së dyti, Banka kërkon heqjen e pengesave kufitare mes vendeve për të lehtësuar qarkullimin hekurudhor dhe sugjeron që qeveritë të eksplorojnë mundësitë e përfshirjes së kompanive private në ndërtimin e linjave të reja. Së treti, kërkohet përmirësimi i menaxhimit të autoriteteve hekurudhore, në përputhje me standardet e BE.

Back to top button