“Terroristët kishin kaluar në Terminalin B, larg atij ku punoja unë”, përjetimet e shkrimtarit shqiptar në Boston, ditën e sulmit në Kullat Binjake

Nga Skifter Këlliçi, Boston

Shkrimtari Skifter Këllici, i vendosur në Boston që në vitin 1999, ka qenë dëshmitar i një pjese tw ngjarjeve që sollën tragjedinë 11 shtatorit të vitit 2001 në Nju Jork, ku humbën jetën rreth 3000 njerëz, nga të cilët edhe tre shqiptarë. Ai i i ka përshkruar  ato në romanin “Shtatori i gjëmës së madhe”(2011), ribotuar me ripunime nën titullin e ri “Shtatori i zi” dhe në shkrime të tjera.

Atë të martë të zezë të 11 shtatorit 2001…

Ishte një mëngjes i kthjelltë dhe i ngrohtë, ashtu sic janë shpesh të tilla mëngjeset e para të shtatorit në rrethinat bregdetare të Bostonit. Dha ja, sapo u futa në apartamentin ku banoja, mbeta i tmerruar, kur nga ekrani i televizorit pashë se nga njëra prej kullave binjake të Nju Jorkut po dilnin flakë, ndërsa shtëllunga tymi të zi ngriheshin në qiellin e kaltërt. Zëri i dridhur i telekomentatorit të CNN-së kumtonte se një avion kishte goditur këtë kullë. Si, mos ndoshta gabimisht? Dhe kur unë hamendësoja kështu, një tjetër avion goditi kullën e dytë binjake. Ora shënonte të cast 9.03.

Kush i bënte këto sulme, në emër të kujt i bënte?..

Më pas, po nga lajmet që pasonin njera- tjetrën në televizor, mësuva se një avion tjetër, i nisur nga Nju Xhersi, kishte goditur Pentagonin, pra, Ministrinë e Mbrojtjes së SHBA-s, që ndodhet në Uashington. Dhe, oh, sa tmerr! Kulla që ishte goditur pas së parës, ashtu si të ishte gërryer nga brenda, zuri të përpihej në vetevete në sytë e mi, duke lëshuar tashmë re të murrme tymi, pastaj zjarri e zhurmë shpërthimesh të llahtarshme.

Si u shkaktua kjo tragjedi?

Në orën 13.00, sapo u futa në Terminalin A, të Aeroportit “Logan” të Bostonit,  ku punoja, shokët e mi shqiptarë, amerikanë dhe të kombësive të tjera, që kishin mbaruar ndërresën e parë, na shpjeguan menjëherë se tashmë ishtë bërë e qartë që atentatet ishin kryer nga terroristë fondametalistë islamikë, të cilët kishin kaluar në terminalin B, që nuk ndodhej larg terminalit tonë.

E vetmja mundësi ishte që terroristët të kishin kaluar nga pika e kontrollitt të Sigurimit, (Sekjuriti), me brisqe të vogla. Më saktë, me brisqe më të vogla se fotodokumenti që është i detyruar të mbajë në gjoks, ose në krah, çdo punonjës i aeroportit, ose i çdo institucioni të rëndësishëm këtu në Amerikë dhe në vende të tjera, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Sidoqoftë, në ato çaste të ankthshme, duke qëndruar para brenda pikës së kontrollit, përfytyroja se si kishin kaluar aty terroristët. Kishin lënë në rripin përçues, çantat, ose bagazhet e tjera, rripat e brezit, të cilat duhej të kalonin nëpër ekran, kishin lënë dhe çdo send metalike, (çelësa, brisqe, gërshërë, të holla…), të nxjerra nga xhepat, për t’i lënë në  enë të vogla plastike dhe kishin kaluar nëpër atë që quhet derë, (door në anglisht).

Na rast se ajo do të kishte lëshuar një tingull të mprehtë pak a shumë “bip”, siç e quajnë amerikanët, ata do të ishin prapësuar. Do të kishin nxjerrë atëherë edhe ndonjë send tjetër metalik të harruar prapë nëpër xhepa dhe pasi duke kaluar dera, nuk do të ishte dëgjur sërishmi tingulli në fjalë, do të kishin bërë përpara.

Atëherë  punonjësi i sekjyritisë, do të kishte marrë sipas rregullores briskun e lënë në enë, do ta kishte matur me fotodokumentin e tij, gjatësia e të cilit nuk i kalon 9 centimetrat, dhe me një buzëqeshje të mirakandsme, do t’i kishte thënë “You all set” pra:” Ju jeni në rregull”.
Kështu do të kishte ndodhur edhe me udhëtarët e tjerë terroristë.

Pastaj, me këto brisqe ata kishin kërcënuar ekipazhin, kishin shtënë në dorë avionët, i kishin drejtuar nga kullat, duke kryer kështu një nga tragjeditë më të mëdha të këtij fillimshekulli.

Kështu  terroristët,  pa qenë nevoja, pra, të futeshin në territorin e brendshëm të aeroportit me revolverë, a thika, të cilat mund t’i kalonin vetëm po të përfitonin nga syleshëria e punonjësve të sekjyritisë, kishin hyrë qetësisht në pikën e kontrollit. Si pasojë, përgjegjësia binte tërësisht mbi FAA-në, (Admistrata Federale e Aviacionit). Do të ishte mjaftuar që punonjësit e saj të na urdhëronin që çdo brisk, sado i vogël që të ishte, të mos lejohej të kalonte në pikën e kontrollit dhe dhe kjo tragjedi nuk do të kishte ndodhur kurrën e kurrës.

Back to top button