Fraksionet shpëtojnë Partinë Demokratike nga ndarja

Nga Aleksandër Meksi

Unë iu drejtova demokratëve shqiptarë se si paraqitet, si organizohet, si realizohet mendimi alternativ apo i ndryshëm, por gjithnjë demokratik, për të qenë i dobishëm për ata që në PD ndihen të çoroditur e të vetmuar, por dhe për të kontribuar në ngritjen në këmbë të PD për beteja të reja politike, në të cilat ne duhet dhe mund të fitojmë. Ata treguan se janë me mendimin që mbizotëron në PD (apo paraqitet si i tillë, gjë me pak rëndësi). Në këto rrethana ata mund të vazhdojnë. Unë duhet të pranoj se ata dhe PD-ja flasin gjuhë të ndryshme. Për sa më takon mua, jam i bindur se flas si në ‘90-ën, sepse demokracia është një. Shprehem në këtë mënyrë sepse asnjëri nuk reagoi deri më sot, askush nuk mbështeti, askush nuk lëvizi. Edhe në qoftë se folën, nuk mbështeti realisht asnjeri, nuk u përpoq pothuajse asnjeri. Lëvizja e quajtur për reformim, e paraqitur nga Arben Meçe, nuk tërhoqi, për shumë arsye pak a shumë reale, demokratët shqiptarë. Duhej pra, një tjetër grupim, diçka tjetër. Kjo nuk u bë. Sidoqoftë, për punë të mira ka gjithnjë kohë.

Urojmë të bëhet në të ardhmen, sigurisht në se ka mendime alternative, pra, jo për formë, jo për tarafe, jo për klane. Përvoja e vitit 1997 tregoi se me to nuk shkohet larg. Alternativa nuk duhej kuptuar vetëm si alternativë njerëzish më të besueshëm, më të aftë, por që ata në të njëjtën kohë duhej të ishin më të sprovuar dhe të përgatitur në luftën politike, për të përballuar me sukses sfidat e saj. Pa pasur një bindje të tillë, askujt nuk i shkohet pas. Sidoqoftë dhe mbi të gjitha, alternativën e përcakton paraqitja e mënyrës me të cilën organizohet një grupim shoqëror, programi që parashtron dhe që mendon të realizojë e së fundi, rrugët dhe mjetet më të cilat do ta realizojë.

U mundova të paraqes me dy fjalë këto aspekte që përbëjnë thelbin e qenies së një alternative, një rryme apo fraksioni në një lëvizje politike, për të pasur një vizion të parë e të domosdoshëm pa të cilin nuk mund të flasim më tej. Kur në kuvendin e parë të PD-së, në Shtator 1991, u pyet e u fol nga dikush për problemet e pranisë së mundshme të ndonjë fraksioni (në kuptimin që i japin demokratët kësaj fjale), unë (si edhe Azem Hajdari) ndërhyra nga salla (si një ndër hartuesit dhe paraqitësit e statutit në Kuvend) duke thënë pak a shumë se fraksionet, rrymat apo korrentet janë gjë normale në demokraci për funksionimin dhe qenien demokratike të një partie që synon përparimin, duke shtuar se ne nuk e kemi vënë në statut se nuk e dinim si, sepse e mendonim si të parakohshëm këtë dukuri për një parti që sapo ishte krijuar, por që kjo gjë mund të bëhej me lehtësi kurdoherë.

Që mendimi alternativ ka ekzistuar në PD, kjo është jashtë çdo dyshimi, që ai është marrë parasysh dhe kjo është po kaq jashtë dyshimit, si dhe fakti që jo gjithçka është marrë parasysh dhe se në kohë kjo pjesëmarrje alternativash ka qenë e ndryshme, si dhe vlerësimi i tyre. E pa rregullta (apo të gabuara) për mendimin tim qëndronte që nuk konsiderohej praktika si i vetmi kriter gjykimi për vërtetësinë e zgjidhjeve që kërkoheshin apo propozoheshin e vlerat e njerëzve që i kërkonin, si dhe gjetja e zgjidhjeve me paralele me vendet e tjera. Një mendësi e tillë, mënyrë veprimi që kërkon imponimin, nuk mund të mos krijojë disense dhe pakënaqësi për moskonsiderimin e mendimeve alternative por vetëm të dikujt që ka gjithnjë të drejtë (“..il Duce ha sempre ragione..”), mos hapjen e mundësive për punë më të mira e për zgjidhje më të drejta, të sigurta në suksesin dhe dobinë e tyre. Shpeshherë janë pranuar zgjidhje koniukturash të rastit, të kërkuara nga persona që protestonin e këmbëngulnin (nga ata që e dinin se dëgjoheshin).

Vetëm fraksionet e rrymat do të jepnin hapësirë për shprehjen e mendimeve, zgjidhjen eventuale, konkretizimin e formalizimin e tyre si propozime për zgjidhje të caktuara, qoftë dhe në një kohë të dytë. Në këtë mënyrë dhe demokracia e brendshme do të fitonte, acarimet dhe konfrontimet do të mënjanoheshin, uniteti do të ishte real dhe protestat do të ishin të panevojshme (nuk do të ndodhnin). Sigurisht, presupozohet se të gjitha këto mendime që shpreheshin, zgjidhje që propozoheshin, programe që hartoheshin, ishin brenda programit të miratuar që në fillim, statutit të PD-së dhe po kështu ishin zgjidhje (dhe jo vetëm për probleme të pamenduara më parë) në një kuadër të gjerë të praktikës së partive perëndimore të qendrës së djathtë, në përputhje me parimet e mirënjohura e të pranuara nga të gjithë (apo shumica) të ekonomisë së tregut të lirë dhe shtetit ligjor sipas modeleve që ne kishim përqafuar. Sot, mbasi kjo ide e hedhur në qarkullim nuk u materializua për arsye tashmë mjaft të qarta të mungesës së dëshirës për të bashkërenduar veprimet me persona me të njëjtat mendime dhe të barabartë, mendoj që bëjmë disa sqarime, thjesht për të lehtësuar ndërgjegjen, të mos na thonë se nuk e kuptuam, nuk dinim çfarë duhej bërë. Për më tepër edhe për të sqaruar këtë formë të qenies në politikë, për anëtarët e thjeshtë të PD-së, demokratët e vërtetë, që janë militantë e kërkojnë hapësirë nga që mendojnë ndryshe (si demokratë) për mjaft probleme.

Fraksionet, rrymat (apo korrentet) brenda një partie nuk janë struktura paralele me partinë. Ato janë bashkime të njerëzve brenda një partie e në përputhje me programin e saj, që mendojnë zgjidhje alternative për probleme të veçanta të jetës ekonomiko-shoqërore e politike të vendit apo për aspekte të drejtimit. Sigurisht, është shumica që vendos, por është paraqitja e mendimeve alternative ajo që bënë zgjidhje më të drejta (apo përmirëson zgjidhjen fillimisht të menduar), ajo që ofron për diskutim aspekte të tjera të problemit apo që korrigjon. Në fund të fundit, nuk mund të kuptohet një shoqëri pluraliste pa mundësinë e pluralizmit brenda grupimeve politike, nuk ka absurditet më të madh, nga këndvështrimi demokratik, të mohosh këtë, sepse asnjëri nga ne nuk është bartës (depozitues) i së vërtetës. Veçse, kur praktika rezulton negative, duhet lënë vendi nga ata që ishin ideues (deri këmbëngulës) të një vije konkrete, e cila nuk duhet vazhduar, nuk duhet përsëritur më, duke pranuar gabimin e deri përgjegjësitë politike.

Fraksioni apo korrenti identifikohet në njerëzit që e mbështesin një vijë të shprehur në qëndrime publike apo në dokumente politike që paraqiten nga liderë të veçantë, qëndrime që mund të jenë negative ndaj dokumenteve politike të të tjerëve apo mbështetëse të liderëve të saj për probleme të veçanta. Korentet apo fraksionet kanë detyrimin që jashtë partisë të mbështesin dokumentet e partisë, ashtu siç kanë lirinë të shprehin në publik mendimet e tyre dhe t’i argumentojnë e t’i mbrojnë ato. Është e natyrshme që fraksionet e korrentet identifikohen në qëndrime për probleme madhore, në mbështetjen për liderët kryesorë e vijën e tyre. Pra, kurrë nuk mund të krijohet një korrent për probleme të dorës së dytë apo kalimtare. Është pra rëndësia e problemeve që shtrohen për vendin apo partinë, ajo që kërkon bashkërendimin e forcave brenda një partie për të arritur zgjidhje të qarta, të sigurta e afatgjata (të qëndrueshme në kohë). Jashtë tyre nuk mund të ketë korrente, të cilat nga ana e tyre mund të jenë të lëvizshme në kohe brenda një partie.

Është toleranca e brendshme e një partie, pranimi i alternativave, mungesa (apo refuzimi) i një disipline autoritare ajo që mban e forcon partitë. Në demokraci, qëndrimi e realiteti i kundërt krijon përçarje, shkëputje e zvogëlime të partive. Janë idealet e mëdha ato që i bashkojnë e askush nuk duhet të shtyhet për t’u larguar për probleme të veçanta, është debati e rezultatet që të japin të drejtë në vijën tënde, por jo të drejta të ndëshkosh, fyesh me shpifje apo largosh nga partia apo forumet, qofte edhe me votë (sidomos të parregullt) ata që mendonin ndryshe, këto ndodhin në partitë që qeverisin në diktatura, jo në demokraci. Ashtu siç njerëzit bashkohen në parti mbi një program mbas një grupi nismëtar, ashtu dhe korrentet krijohen (më me lehtësi se partitë) mbas liderëve të afirmuar e ideve të qarta, pra për qëllime reale; d.m.th. nuk janë as tarafe për interesa e as klane mbi baza “dasish“, sepse ato identifikohen në qëndrime e votime brendapartiake. Vetëm kur partia siguron brenda saj pluralizmin e ideve e propozimeve, mundësinë e garës së alternativave dhe afirmimit të tyre, nuk ka pse të ndodhin shkëputjet aq të lakmueshme nga shqiptarët (kujtoni parimin arbëror: “më mirë i pari i fshatit, se i dyti në qytet“) për të krijuar partiçka. Korrentet kanë të drejtën të paraqesin dokumente të tyre për problemet e partisë dhe mbi votat e marra kanë të drejtën të kenë përfaqësuesit e tyre në të gjitha forumet (duke bërë rregullimet përkatëse në statut). Kjo është demokracia perëndimore, mos bëni sikur nuk e dini, ose mësojeni.

Në fund të fundit, mundësia reale e korrenteve apo fraksioneve është në harmoni me bipolarizmin, si e vetmja mundësi për një jetë politike të qëndrueshme në Shqipëri. Madje, është jo vetëm në harmoni, por është e vetmja mundësi për realizimin e partive të mëdha apo grupimeve të mëdha që paraqesin kandidatë të përbashkët në përputhje me elektoratin që secili ka. Vetëkuptohet që këto parime madhore s’kanë asgjë të përbashkët me pazaret ndërpartiake kur në rastet e një partie të madhe dalin deputetët nga partitë e vockla, të cilët më vonë kalojnë në grupime të tjera e flasin në emër të “elektoratit” të tyre. Të refuzosh pluralizmin brenda partisë kur ai kërkon të organizohet në korrente apo fraksione, do të thotë se kërkon një parti vetëm për vete, që të jesh vetëm ti përherë në krye e të bësh “ligjin“. Në këtë rast do të rrudhet partia, por me sa duket kjo nuk të preokupon. Koha dhe demokratët do t’ju tregojnë vendin.

* * *

Luftuam për një ëndërr gjysmëshekullore, përmbysjen e komunizmit si sistem diktatorial për t’i hapur rrugë pluralizmit jo vetëm të mendimeve, por edhe të veprimeve, pra pluralizmit të forcave politike, të mundësisë të këmbimit të partive në pushtet, sepse ishim të bindur që kjo ishte e vetmja rrugë që siguronte Liri e Demokraci, përparim shoqëror e mirëqenie për të gjithë, siguronte përfshirjen në Europën demokratike që synonim me parullën “E duam Shqipërinë si gjithë Europa“. Në një parlament të zgjedhur, sigurisht me votën e lirë e të fshehtë, roli i opozitës është vendimtar për ecurinë demokratike të vendit; në të kundërt, në një parlament fiktiv, roli i opozitës do të jetë mjaft i kufizuar për nga mundësia dhe veprimet e pozitës dhe mund të shkojë deri në një rol me të vërtetë fiktiv-dekor ndaj të huajve për të treguar që vendi është “demokratik“.

Ky rast i fundit të kujton ish-demokracitë popullore të disa vendeve të Lindjes, ku për formë kishte në parlament dhe disa parti të vogla me komunistë, prokomunistë apo vegla të tyre, të veshur me rroba të tjera. Ndërkohë që, i vetmi kriter nëpërmjet të cilit mund të gjykohet për shkallën e demokracisë të një shteti janë ligjet e tij ( të krahasuara me ato të vendeve demokratike), liritë reale të shtetasve (liri politike dhe ekonomike) dhe përparimi real ekonomik (në shifra e tregues të njohur nga të gjithë, rritja e GDP, deficiti buxhetor, inflacioni e kursi i këmbimit). Mendoj se mund të bëhen mjaft gjëra me pjesëmarrjen apo përfshirjen e opozitës, d.m.th. me konsensus (term në modë sot) në rast se të gjithë (ose gati shumica) do të bien dakord të bëjnë ligje e veprime si të vendeve të demokracive perëndimore, duke pasur KE si arbitër-konsekuent për çdo kundërshti. Roli i opozitës në një sistem demokratik realizohet brenda dhe jashtë parlamentit, pra në gjithë jetën politiko-shoqërore të vendit dhe kuptohet që veprimet e gabuara të opozitës apo liderëve të saj janë në dobi të pozitës dhe qëndrimit një kohë më të gjatë të saj në pushtet. Synimet kryesore dhe fusha e veprimeve të një opozite demokratike janë :

• Të japë ndihmesën e vet në formulimin e politikave dhe legjislacionit nëpërmjet qëndrimit kritik e konstruktiv

• Të kundërshtojë propozimet e Qeverisë sa herë që ato duken sheshit se janë jodemokratike, të papranueshme e jo në dobi të vendit

• T’iu bëjë amendamente projektligjeve qeveritare me synim hartimin e ligjeve të modelit perëndimor e demokratik

• Të nxjerrë në pah në mënyrë tepër të qartë politikat e veta në të gjitha fushat për të tentuar të fitojë në zgjedhjet e ardhshme.

Këto synime opozita i arrin duke debatuar në Parlament për çështje të ndryshme, duke parashtruar pyetje dhe kërkuar interpelanca në seancat e Parlamentit dhe sidomos duke kritikuar Qeverinë për mosmbajtjen e angazhimeve dhe premtimeve të bëra në fushatën elektorale dhe në programin e saj. Lufta kundër gënjeshtrave dhe mashtrimeve të Qeverisë dhe eksponentëve të saj, është vendimtare për opozitën. Unë jam thellësisht i bindur se pavarësisht nga numri i deputetëve, opozita ose pjesa e përparuar dhe demokrate e saj mund të luajë një rol vendimtar në jetën politike të Shqipërisë dhe sidomos për të ndaluar kthimin prapa të reformës ekonomike e politike.

Opozita demokratike merr pjesë në jetën politike të vendit kur parlamenti, siç thamë, rezulton nga zgjedhje të lira e të ndershme në gjithë vendin; në të kundërt, roli i opozitës do të jetë i vështirë dhe krizën politike e zgjidhin vetëm zgjedhje të reja, atëherë kur mund të jenë të lira. Për sa i përket largimit nga parlamenti, ai mund të motivohet vetëm nga qëndrimi i dhunshëm, intolerant dhe refuzues i pozitës ndaj çdo veprimi të opozitës, liderëve të saj apo deputetëve të veçantë, shkelja e rregullave elementare të përfshirjes (dhe pjesëmarrjes) në pluralizëm, marrja e të drejtave të opozitës, largimi nga kursi i reformave etj. Largimi mund të jetë demonstrativ (d.m.th. i përkohshëm) për probleme apo ligje të veçanta, apo edhe afatgjatë në vartësi të veprimit të pozitës (apo drejtuesve të saj në krye të Parlamentit), si dhe të momentit në të cilin bëhet.

Për opozitën, vendi “par excellence” për luftën politike është Parlamenti. Roli dhe kontributi i saj në mirëfunksionimin e sistemit shumëpartiak sigurisht mbështetet në marrëdhëniet me Qeverinë dhe kushtëzohet nga forca e saj (mbështetja në popull, anëtarë në Parlament, vija politike që propozon e ndjek ) dhe dëshira reale për të mirën e vendit. Unë mendoj se për kushtet e sotme të Shqipërisë, për mënyrën e zgjedhjeve dhe ndodhitë që prunë Qeverinë e sotme, roli i opozitës, dhe në mënyrë të veçantë i deputetëve me të vërtetë demokratë, është vendimtar për ristrukturimin e opozitës shqiptare dhe riformimin e radhëve të antikomunistëve demokratë që synojnë modele të demokracisë perëndimore dhe euroatlantike.

*Ky shkrim është botuar në gazetën “Koha Jonë” më datë 26 tetor 1997 me titull “Refuzimi i pluralizmit ose ëndrra për gjysmë”. Rikthehet duke qenë se tema e fraksioneve është në modë tashmë në të djathtën shqiptare si pasojë e situatës në të cilën ndodhet PD.

Back to top button