Kush e njoftoi Gëllçin, zbardhet e vërteta se si u lokalizua dhe ku u prangos ish-drejtori i RTSH-së

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Publik, u arrestua në një fshat të Ersekës paraditen e 8 tetorit. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilët kanë marrë pjesë në ekzekutimin e urdhër – arrestit, thanë për MCN, se fillimisht ata kanë nisur kërkimet për arrestimin e Gëllçit në banesën e tij. Por pasi nuk ka rezultuar as në shtëpi, ata janë drejtuar pranë ambienteve të RTSH-së ku kanë arrestuar 3 vartësit e tij.

Pikërisht ky ka qenë dhe momenti sipas një drejtuesi të lartë të Policisë Kriminale, që Gëllçi, pa adresë deri në ato momente, është njoftuar me telefon nga punonjës të TV-së se policia ishte nisur për ta arrestuar.

Policia tha se pasi janë kontrolluar të gjitha pikat ku dyshohej se ndodhej ish-drejtori Gëllçi, ai është kontaktuar në numrin e tij të telefonit nga shefi i krimeve.

Gëllçi nuk ka bërë asnjë rezistencë për t’iu shmangur vendimit të arrestit, dhe ka pranuar të deklarojë vendndodhjen e tij jashtë Tiranës.

Policia tha se Gëllçi ka deklaruar përmes telefonit se ndodhej në një fshat të Ersekës, në banesën e prindërve të tij dhe ka ftuar policinë të shkojë atje për të ekzekutuar vendimin e gjykatës për udhër-arrestin në mungesë.

Gëllçi, i cili ka qenë drejtor me një mandat 5-vjeçar në Radio Televizionin Publik Shqiptar, po qëndron në qelit e paraburgimit të 313-s, deri në përfundim të hetimeve.

Prokuroria e Posaçme pas një viti hetime, ka konkluduar se Thoma Gëllçi, me detyrë ish-drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, ka kryer shkelje ligjore në një procedurë prokurimi publik, shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”./MCN TV

Back to top button