Vetingu në politikë: 500 zyrtarë i shpëtuan drejtësisë pavarësisht se fshehën pasuritë, në listë zv/ministra, deputetë e kryetarë bashkish

Vetingu në politikë duket se ka filluar të shqetësojë pushtetarët shqiptarë. PD ka dalë me një nismë të fortë, e cila nëse miratohet, mund të sjellë tërmet në Parlament dhe jashtë tij.

Ndryshe nga viti 2018 kur fokusi ishte te hetimi i lidhjeve me krimin, këtë herë duket se më shumë vëmendje i kushtohet pasurisë së politikanëve. PD kërkon që të verifikohen të gjithë dhe kush nuk e justifikon pasurinë në bazë të të ardhurave largohet nga politika dhe shkon për ndjekje penale. Kjo nismë ka shkaktuar mjaft debate në vend, ku palët janë ndarë në pro dhe në kundër.

Por nëse shohim statistikat, rezulton se shumë politikanë kanë fshehur pasuritë ndër vite, mirëpo asnjë nuk është dënuar. Në bazë të të dhënave të siguruara nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, nga viti 2014 deri në vitin 2020, janë paditur në prokurori 502 zyrtarë shtetërorë, mes të cilëve deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Kryetarë Bashkie, Drejtorë Drejtorie, zv/ministra dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë. Por nga ajo që ka mësuar gazeta, nga të gjitha këto kallëzime, vetëm një numër i vogël janë proceduar penalisht nga prokuroria, pasi pjesa dërrmuese ja kanë hedhur paq.

Nivelet më të ulëta janë ata që janë hetuar, ndërsa zyrtarët e lartë asnjëherë. I vetmi emër i njohur që po hetohet momentalisht është ish-deputeti Ervin Bushati, ndërsa shumë gjyqtarë, prokurorë dhe funksionarë që janë paditur nga ILDKP, ose janë pushuar procedimet ose gjykata i ka nxjerrë të larë.

Shqetësimi nga Bashkimi Europian

Ajo që vihet re është se dhe Bashkimi Europian është i shqetësuar mbi faktin se nuk hetohen emrat që fshehin pasuritë. Në progres-raportin e publikuar për vendin tonë, përmendet dhe performanca e ILDKP. Sipas raportit, vitin që lamë pas janë paditur nga ILDKP 17 zyrtarë të lartë, por nuk ka hetime.

“Sa i takon deklarimit të pasurive nga zyrtarët e lartë shtetërorë, ka pasur 12 padi në prokurori nga ILDKP, por asnjë nuk përfundoi me dënim të tyre. Në vitin 2019, pati vetëm 7 raste që përfunduan me dënime apo largim nga detyra”, shprehet Komisioni Europian. Nëse shkojmë pak më thellë, në vitin 2020 janë bërë në total 79 kallëzime, 12 prej tyre për emra të njohur, ndërsa në vitin 2019 ka pasur në total 115 raste dhe vetëm 7 kanë përfunduar me dënime.

Të gjitha këto statistika tregojnë se si politikanët dhe zyrtarët e lartë ia kanë hedhur paq në gjithë këto vite edhe pse ka shumë emra me pasuri sheikësh. Në Parlament ka deputetë me pasuri miliona euro, ndërkohë që shumë prej tyre nuk kanë as biznese dhe as të ardhura të tjera përveç rrogave. Vetë ILDKPI në shumë raste e ka ngritur si shqetësim faktin se kallëzimet e saj nuk hetoheshin. Deri në 2017 paditë bëheshin në Prokurorinë e Përgjithshme për zyrtarët e lartë dhe sa kohë që ishte Adriatik Llalla kryeprokuror, të gjithë dilnin të larë. Por edhe pas largimit të tij situata nuk ka ndryshuar. Në progres-raport kërkohet që të vihet në lëvizje SPAK për pasuritë e dyshimta.

Back to top button