“28 apo 29? Pyetje pa kurrfarë vlere, ne asnjëherë nuk do të biem dakord për një gjë të tillë”. Çlirimi i Shqipërisë sipas ish-ushtarakut me ‘baba partizan’ dhe ‘nënë balliste’

Armand Vinçani, ish-zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm, që tashmë jeton në SHBA ka një histori familjare të veçantë:  nga ana e babait vjen nga një familje që u lidh tërësisht me lëvizjen nacional-çlirimtare.

Një nga xhaxhallarët e tij ishte nga komandantët më të shquar të luftës duke udhëhequr Brigadën e 4 në luftë e më pas zv.komandant  i Divizionit të Parë. Pas lufte ishte zv.shef i shtatmadhorisë derisa u burgos.

Nga ana e nënës, familja ishte tërësisht e lidhur me Ballin dhe kishte eksponentë në radhët e tij.

Në ditët e fundit të pushtimit, gjyshi dhe daja u arratisën nga Shqipëria.

Është një rast disi i veçante ku megjithatë, babai i tij nuk u ndal për t’u lidhur me nënën e tij e sigurisht një lidhje e tillë nuk mbeti pa pasoja.

Vinçani ka shkruar opinionin e mëposhtëm për DITA:

Nga Armand Vinçani

Grindja “fëmijërore” e lindur pas viteve 90-të lidhur me datat historike të 28 dhe 29 Nëntorit nuk është asnjë gjë tjetër më shumë se sa thjesht pjesë e absurditetit shqiptar. Unë besoj se ndryshimi i datave të festave pas ardhjes për herë të parë në pushtet të Berishës ishte thjesht një përpjekje për të treguar se ai ishte më shumë demokrat se sa mund të perceptohej e pranohej si i tillë duke konsideruar botëkuptimin personal dhe lidhjet e tij të ngushta me regjimin komunist.

Ishin vitet e para të post-komunizmit ku nevoja për të mbijetuar politikisht motivoi shumë individë e midis tyre edhe Berishën për të bërë gjithçka të mundur e bërë një lloj make-up ku edhe komunisti i djeshëm më ekstremist u shndërrua magjikisht në demokratin më të flaktë.

Unë besoj se kjo është zanafilla e lindjes së debatit shterp lidhur me festat tona kryesore.

Në anën tjetër, sa herë Berishës i shket situata nga dora ai i kthehet idesë së të qenit “anti-komunist”, por Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për bashkim e unitet.

Nuk ka dyshimin më të vogël se 28 Nëntori është ngjarja më e madhe historike për Shqipërinë pas epopesë së shquar të periudhës së Skënderbeut. Shpallja e pavarësisë i dha jetë një akti madhor juridik për të ardhmen e Shqipërisë si shtet sovran dhe i pavarur.

Duhet të mos harrojmë se përveç këtij fakti, ne kemi të drejtën edhe të mburremi sepse ky akt i kalonte edhe përmasat e civilizimit Europian të kohës. A nuk duhet të jemi krenarë se ndërsa në shumicën e shteteve europiane ekzistonte monarkia si formë qeverisëse, Shqipëria i dha vehtes për herë të parë një formë parlamentare?

Pa u zgjatur më shumë në ketë pikë besoj se s’ka asnjë kundërshtim për këtë datë historike e më të rëndësishme të vendit.

Duke ardhur tek 29 Nëntori, pyetja e shtruar prej vitesh është nëse Shqipëria u çlirua nga nazizmi pikërisht në këtë ditë. Në opinionin tim një pyetje e tillë nuk ka kurrfarë vlerë sepse ne asnjëherë nuk do të biem dakord për një gjë të tillë.

Ajo ç’ka ka vlerë është se të gjithë duhet të pranojmë se shpesh një datë e caktuar historike merr më shumë ngjyrat e simbolizmit se sa ato për caktimin ekzaktësisht se kur ndodhi evenimenti i caktuar.

Një simbolizëm i tillë u krijua për afro 50 vjet rrjesht dhe tashi u dashka ta ndryshojmë pa patur as argumentin më të vogël shkencor? Nuk është aspak në dobinë tonë të konfondojmë 2 ngjarje historike në një ditë të vetme.

Ne sigurisht nuk ndjehemi mirë, por duhet të mos harrojmë se ka jo pak tendenca të shkruara në dokumenta historike, enciklopedi etj., ku Shqipëria as nuk radhitet në krahun e aleancës antifashiste, por përkundrazi radhitet padrejtësisht në anën e boshtit fashist. Atëhere, a duhet ne që me duart tona t’i fryjmë edhe më tej këtij deformimi të turpshëm duke treguar se edhe vetë nuk dimë kur u çlirua vendi?

Kjo është tejet e dëmshme dhe poshtëron dinjitetin tonë si komb.

Duke u kthyer përsëri tek simbolizmi. Shumë dokumenta historike të burimeve të huaja janë kontradiktore në konfirmimin e datës kur ushtari i fundit nazist u largua nga Shqipëria. Ka dokumenta që konfirmojnë 29 Nëntorin, por ka dhe të tilla që konfirmojnë se një pjesë e tyre ishin në Shqipëri edhe në ditët e para të Dhjetorit.

Atëhere ç’duhet të bëjmë? Të vazhdojmë luftën donkishoteske me njëri-tjetrin apo t’i mëshojmë edhe me fort idesë se Shqipërinë e çliruan shqiptarët pa më të voglin dyshim? Pse duhet të ngatërrojmë këtë ngjarje me historinë e dhimbshme të instalimit të sistemit komunist në periudhën e pas-luftës?

Ata që bënë luftën nuk u nisën nga idetë politike, por thjesht nga patriotizmi dhe ndjenjat atdhetare. Sesa është kontributi i secilës palë le t’ja lëmë historianëve ta provojnë me fakte, por si komb ne duhet të festojmë çlirimin e vendit në një ditë të veçantë e kjo ditë e veçantë është tashmë e simbolizuar më 29 Nëntor.

Kontradikta të tilla ka edhe në vende të tjera të shtet-formuara shumë më parë se ne.

Edhe në SHBA ka jo pak debate në lëmin akademik lidhur me ditën e pavarësisë. Megjithatë, asnjëherë ndonjë presidencë apo kongres nuk ka ndryshuar datën 4 Korrik. U shpall Deklarata e Pavarësisë ne 3,4, 5 apo në ndonjë datë tjetër, nuk ka asnjë rëndësi tashmë. Rëndësi ka evenimenti historik i përjetshëm.

Duke u kthyer edhe një herë tek debati i datave – ngjan si puna e thënies së moçme që u mblodhën të gjithë të mençurit për të nxjerrë nga pusi një objekt të vogël të hedhur në të nga një i marrë, por askush nuk e nxirrte dot.

Le të mundohemi të kemi sa më pak marrëzi të tilla që përbëjnë atë që të gjithë e quajmë absurditet shqiptar. Kemi shumë gjëra të tjera për t’u marrë kaq ethshëm.

Back to top button