Argita Berisha 1 milionë USD në llogari, në 2005 kishte vetëm 39 mijë USD bashkë me Jamarbrin, çifti edhe 900 mijë euro vila, apartamente, bodrume dhe toka

Nga Adriatik Doçi

Dokumentet e siguruara nga Report Tv konfirmojnë se Argita Berisha, e bija e ish-kryeministrit Sali Berisha, pjesë e listës së zezë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor, ka sot rreth 1 milionë USD në llogaritë dhe depozitat bankare. Kjo vlerë e konsiderueshme parash që Argita pretendon se i ka kursyer nga të ardhurat, reflektohet në deklaratën e fundit të pasurisë të familjes Berisha, plotësuar dhe firmosur në 7 shtator 2021, tre ditë para betimit të Sali Berishës si deputet. 1 milionë USD janë një shumë e pazakontë në raport me nivelin e jetesës në Shqipëri, harkun kohor të kursimeve të pretenduara, punën e vajzës së ish-kryeministrit, koston e jetës si dhe në raport me shpenzimet për blerje të pasurive të paluajtshme.

1 milion USD Argita Berisha i ka krijuar nga shtatori i vitit 2005 deri në shtator të vitit 2021. Pas ardhjes nga Kosova në Tiranë në shtator të vitit 2005, Argita Berisha ka deklaruar se bashkë me bashkëshortin Jamarbër Malltezin, kishte në bankë 39.500 dollarë si dhe dy mijë euro gjendje, shumë e cila duhej për të përdorej edhe për të shlyer një kredi me 150 mijë euro me afat 15 vite, e marrë nga banka Emporiki për të blerë një apartament luksoz në ETC, në qendër të Tiranës.

Sapo Sali Berisha erdhi në pushtet, çifti Jamarbër-Malltezi hoqën dorë nga një pagë 12.500 dollarë në muaj nga Kombet e Bashkuara në Prishtinë dhe erdhën në Tiranë. Çifti deklaroi që deri në 2005 kishte fituar 1.050 milionë USD me  rroga dhe shpërblime, por 745 mijë dollarë i shpenzuan duke blerë pasuri të paluajtshme, kryesisht apartamente. Më 3 tetor 2006, në të vetmen intervistë televizive të dhënë, Argita Berisha, deklaroi se familjes së saj i kishin mbetur vetëm 39.500 dollarë. Kur erdhi në Tiranë, Argita nuk kishte të ardhura të tjera përveç mësimit në universitet, ndërsa Jamarbër-Malltezi duhej të gjente punë!

Por, ardhja e tyre në Tiranë lidhet me ardhjen e në pushtet të Sali Berishës, i cili do t’i krijonte dhëndrit dhe të bijës favore dhe rrethana të reja për t’u pasuruar. Dhe faktet nuk lënë vend për dyshime. Nga 39 mijë USD në 2006, sot Argita Berisha ka kursyer rreth 1 milionë USD. Dhe këto para, janë vetëm një pjesë e pasurisë.

Jamarbër Malltezi është pronar me 35-50 % i 17 kullave në Tiranë, ndërtuar mbi pronën shtetërore ish-Kompleksi Partizani, tjetërsuar falë lëvizjes së fijeve të pushtetit nga Sali Berisha si kryeministër. Report Tv, përmes disa investigimeve, ka zbardhur për herë të parë prapaskenat e privatizimit të ish-Kompleksit Partizani, por sot e kësaj dite nuk ka marrë përgjigje pyetja se ku i gjeti Jamarbër Malltezin paratë për të kryer investimin për ngritjen e kullave që vlejnë dhjetëra miliona euro, kur në vitin 2006, bashkë me Argitën kishte vetëm 39 mijë USD! Një shumë ku duhet të shtohet tani edhe 1 milionë USD që ka deklaruar Argita si kursime. Kjo pyetje që sfidon shtetin ligjor në Shqipëri ende nuk ka marrë përgjigje as nga SPAK.

Argita-Jamarbër edhe 900 mijë euro pasuri të paluajtshme 
Çifti Jamarbër Malltezi dhe Argita Berisha kanë edhe një pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 900 mijë euro. Në deklaratën e pasurisë së datës 7 shtator 2021, çifti deklaron tre apartamente me vlerë 200 mijë euro, 195 mijë euro dhe 179 mijë euro. Ata deklarojnë edhe dy shtëpi në Gjirin e Lalzit me vlerë 155 mijë euro, si dhe një gjysmë vile të deklaruar me vlerë 56 mijë euro. Jamarbër Malltezi dhe Argita Berisha deklarojnë edhe 3 bodrume me vlerë 10 mijë USD, 17 mijë euro dhe 26 mijë euro. Ata deklarojnë edhe 3 mijë m2 tokë në Prikës me vlerë rreth 50 mijë USD.

Megjithatë, kjo nuk është pasuria e plotë, pasi nuk dihet pasuria reale e Jamarbër Malltezit, për shkak se ky i fundit nuk është subjekt deklarimi sipas ligjit. Pasuria e Jamarbër Malltezit del në pah vetëm pjesërisht në pasurinë e përbashkët që deklaron Argita. Nuk dihen pasuritë e tjera të paluajtshme të Jamarbër Malltezit dhe as paratë që ka krijuar nga viti 2005 deri në vitin 2021. Lidhjet e tij me 17 kulla në Tiranë, si pronar nga 35-50 %, janë zbuluar vetëm nga investigimet mediatike.

Pasuria e Argita Berishës 

Llogari bankare: 174 mijë euro, 153 mijë euro
Depozitë bankare: 155 mijë euro
Llogari bankare: 115 mijë USD, 132 mijë USD
Llogari bankare: 61 mijë USD, 25 mijë USD, 41 mijë USD, 1 715 329 lekë
Llogari bankare: 6 108 305 lekë, 5.5 mijë euro
Llogari bankare:15 mijë USD (25 %), 20 mijë USD (50%)
Ndërtesë banimi në Gjirin e Lalzit, 155 mijë euro, blerë në korrik 2021, 50 % Jamarbri
Gjysme vile në Gjirin e Lalzit, 56 mijë euro, 50 % Jamarbri
Apartament 195 mijë euro, 50 % Jamarbri
Apartament 200 mijë euro, 50 % Jamarbri
Apartament 179 mijë euro, 50 % Jamarbri
Bodrum, 10 mijë USD, 50 % Jamarbri
Bodrum, 17 mijë euro, 50 % Jamarbri
Bodrum, 26 mijë euro, 50 % Jamarbri
3 mijë m2 tokë në fshatin Priskë me vlerë 4 950 000 lekë, 50 % Jamarbri/shqiptarja.com/m.j

Back to top button