Energjia falas për serbët e Kosovës / Beogradi: I kemi furnizuar ne!

Operatori i sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë, KOSTT njoftoi pak ditë më parë se nuk do të ofronte më energjinë falas për banorët serbë në katër komunat e veriut të vendit, ashtu siç është vepruar që prej vitit 1999.

Operatori deklaroi se fatura e konsumit të serbëve deri më tani mbulohej nga buxheti i qeverisë së Kosovës dhe ajo shkonte deri në 17 milionë euro në vit.

Por, qeveria serbe thotë se me këtë vendim po u ushtrohet presion serbëve të Kosovës. Zv.kryeministrja dhe ministrja e Energjisë në qeverinë e Serbisë, Zorana Mihajloviç deklaroi se deri në dhjetor të vitit të kaluar, serbët e veriut të Kosovës janë furnizuar nga Serbia.

Sipas saj, për këtë arsye nuk ka asnjë borxh të serbëve për konsumin e energjisë elektrike. Mihajloviç tha gjithashtu se nuk ka asnjë të dhënë dhe përllogaritje të saktë në lidhje me konsumin e energjisë në katër komunat veriore me shumicë serbe për të përllogaritur sa është kostoja vjetore.

Serbët në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç nuk kanë paguar energjinë elektrike prej vitesh dhe konsumi i tyre shpërndahej si kosto te pjesa tjetër e qytetarëve të Kosovës.

Muajin e kaluar, Gjykata Themelore e Prishtinës tha se kishte anuluar një vendim të Zyrës për Rregullimin e Energjisë së Kosovës, ZRRE për të paguar faturat e energjisë elektrike për konsumatorët nga katër komunat serbe për periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2017.

Që nga viti 2017, faturat e energjisë elektrike për konsumatorët nga katër komunat janë paguar nga qeveria e Kosovës.

Në maj të këtij viti, qeveria u pajtua që të mbulojë edhe gjashtë muaj të tjerë të energjisë elektrike për konsumatorët në veriun e Kosovës me shumicë serbe, duke nxitur për një zgjidhje përfundimtare të problemit.

Konsumatorët serbë në katër komunat veriore nuk e kanë paguar energjinë elektrike që nga viti 1999. Kostoja totale e energjisë së përdorur në komunat me shumicë serbe është rreth 12 milionë euro në vit. Çështja e energjisë ka qenë një nga temat e diskutuara gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Back to top button