Me 1 ton karburant në bagazhe/ Rindërtohet skena e aksidentit tragjik që u mori jetën 46 shqiptarëve

Autoritetet bullgare kanë rindërtuar skemën e aksidentit tragjik që mori 46 jetë shqiptare ditën e hënë.

Sipas rindërtimit të ngjarjes, shkak i aksidentit dyshohet se ka qenë përgjumja e shoferit, që ka bërë që autobusi të përplaset fillimisht me bordurat në anën e djathtë të rrugës dhe më pas me bordurat në anën e majtë.

Përplasja e dytë ka qenë ballore, çka ka shkaktuar edhe shpërthimin e mjetit në flakë. Dyshohet se shkak i shpërthimit të menjëhershëm të flakëve ka qenë edhe një sasi prej rreth 1 ton karburant e vendosur në fuçi në bagazhin e autobusit.

Karburanti në fjalë nuk është deklaruar në pikat doganore ku ka kaluar autobusi dhe dyshohet se është marrë kontrabandë.

Ndërkohë, njëri prej të mbijetuarve të aksidentit tragjik rrëfeu për Zona Zero në Top News momentet e tmerrit.

“Shoferin me siguri e ka zënë gjumi. Autobusi i ka rënë bordurës dhe më pas është çarë goma. Siç duket i plasi goma autobusit dhe shpërtheu në flakë. Autobusi u mbush me tym. Theva xhamin dhe u hodha jashtë bashkë me të fejuarën time dhe disa persona të tjerë. Në autobus kishte britma të shumta. Më pas nuk di se çfarë ka ndodhur, pasi u largova 200 metra nga autobusi”, tha Lulzim Sulejmani, i mbijetuar i tragjedisë.

Back to top button