Meta kundër “Ballkanit të Hapur”: Nismë përçarëse dhe përjashtuese. Procesi i Berlinit shoqërohet me garancitë dhe mbështetjen financiare të BE

Presidenti Ilir Meta është përgjigjur nga Prishtina për deklaratat e sotme në lidhje me Ballkanin e Hapur. Sipas Kreut të Shtetit, kjo nismë është përçarëse dhe përjashtuese.

Ai thekson se procesi i Berlinit është gjithëpërfshirës dhe ka dhënë rezultate konkrete, pasi shoqërohet me garancitë dhe mbështetjen financiare të BE.

“Procesi i Berlinit është gjithëpërfshirës dhe ka dhënë rezultate konkrete, pasi shoqërohet me garancitë dhe mbështetjen financiare të BE, që ka ngritur mekanizma zbatues dhe monitorues. Përkundrejt kësaj, “Ballkani i Hapur” është nisëm përçarëse dhe përjashtuese”, ka deklaruar Presidenti Meta.

Ndërsa deklaratat për referendum për Bashkim Kombëtar, Presidenti Meta i konsideron si dëshira, të cilat nuk pranon t’i komentojë gjatë.

Në një intervistë për ATV në Kosovë, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh se dy vendet tona duhet të përkushtohen në sundimin e ligjit. Sipas tij, Shqipëria dhe Kosova duhet të bëhen shembull edhe për vendet e tjera të rajonit.

“Nuk dua të hyj në komente të dëshirave të ndryshme për shkak edhe të pozicionit që kam si president. Unë mendoj se nuk kemi asnjë rrugë tjetër përveçse rrugën e sundimit të ligjit në Shqipëri dhe Kosovë. Të bëjmë shembull marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë që kanë potencial për të qenë më produktive për vendet tona, pa dyshim edhe me vendet e tjera. Pastaj këtu dëshirat, apo qëndrimet e caktuara janë çështje tjetër mendoj unë”, u shpreh Presidenti.

Back to top button