Meta nuk i ndahet Bashës as nga Kosova: I papjekur! M’u lut me lot në sy që ta ndihmoja

Presidenti Ilir Meta ka vazhduar sulmet ndaj kryedemokratit Lulzim Basha edhe nga Kosova. Meta bëri akuza të forta ndaj kryetarit të PD-së, të cilin e quajti të papjekur.

Ai ka ripërsëritur tezën e tij, që Basha “i është lutur me lot në sy që të shtynte zgjedhjet lokale të 2019”.

“Djegia e mandateve dhe zerimi i opozitës në pushtetin vendor janë ndër aktet më skandaloze dhe më të rënda që tronditen themelet e shtetit ligjor dhe demokracinë. Kjo është një faturë shumë e rëndë e opozitës aktuale në Shqipëri. Këto akte e ndihmuan dhe e përshpejtuan kapjen totale të shtetit. Megjithatë opozita së shpejti shpresoj të marrë në dorë rolin që i takon.

Sa i takon Bashës dhe deklaratave të tij për Trekëndëshin e Bermudës, ai shquhet jo vetëm për lapsuse në matematikë, por së fundmi edhe në gjeometri. Basha ka 4 përgjegjësi madhore për kapjen totale te shtetit nga Rilindja, të cilave ai nuk mund t’ju shmanget dot. Basha më kot i shmanget, por nuk i shpëton dot katërkëndëshit të përgjegjësive të tij madhore.

Kryetari aktual i papjekur i PD m’u lut me lot në sy të shtyja zgjedhjet lokale. Për të shmangur një gjakderdhje të mundshme dhe për të ndihmuar opozitën të dilte nga ky qorrsokak ku e kishte futur për të disatën herë Kryetari i papjekur i PD, u detyrova te shtyja zgjedhjet” – tha Meta.

Back to top button