Mustafi: Shqiptarët e Luginës rinisin bisedimet me qeverinë e Serbisë për të drejtat, plani 7 pikësh

Qeveria e Serbisë ka rinisur për herë të parë që nga 2013 bisedimet me përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për planin 7 pikësh që ka të bëjë me të drejtat e tyre bazë.

Pavarësisht se plani 7 pikësh është përpiluar dhe dakordësuar nga përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe është miratuar nga qeveria e Serbisë, ai nuk është zbatuar, kjo edhe për shkak të reformës në gjyqësor.

Pas 8 viteve kanë rifilluar bisedimet për realizimin e këtij plani  që përmban çështje jetësore bazike të tilla si arsimi, shëndetësia etj.

Detajet lidhur me këtë plan i jep Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi.

Mustafi bën të ditur se platforma ‘Masat urgjente për afirmimin e të drejtave shqiptare së Luginës së Preshevës’ është aprovuar nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë në mars të vitit 2013, ndërkaq plani 7 pikësh është aprovuar nga Qeveria e Serbisë në qershor të vitit 2013.

“Po, ka përparim dialogu për planin 7 pikësh… Platforma masat urgjente për avancimin e të drejtave të shqiptarëve është aprovuar nga kuvendi i këshilltarëve shqiptarë që në 2013. Në 4 qershor të 2013 është aprovuar edhe nga qeveria e Serbisë. Pas 2 viteve, ishte ndërprerë për shkak të reformës në gjyqësor. Përfundimisht pas 8 viteve e kemi nisur këtë proces edhe pse me shumë skepticizëm… megjithatë shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë qenë vazhdimisht të gatshëm që të takohen dhe të kërkojnë implementimin e planit 7 pikësh. Edhe në fushën e arsimit, të shëndetësisë ku janë të privuar nga të drejtat e tyre për tu vetë organizuar dhe avancuar që do të sigurohem që shqiptarët të akomodohen në një sistem të decentralizuar. Ky proces s’ka të bëjë me procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Por ka të bëjë me çështjet jetësore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Bëhet fjalë për të drejta bazë”, tha ai mes të tjerash.

Back to top button