Nuk paguajnë që prej 1999-ës / Qeveria e Kosovës: S’ka më energji falas për serbët

Operatori i sistemit të rrjetit elektrik në Kosovë njoftoi të martën se nuk do t’i furnizojë më me energji falas konsumatorët në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Serbët në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç nuk kanë paguar energjinë elektrike prej vitesh dhe konsumi i tyre shpërndahej si kosto te pjesa tjetër e qytetarëve të Kosovës.

Shefi i bordit të KOSTT-it, Jeton Mehmeti në një seancë parlamentare këtë të martë tha se marrëveshja ndërmjet kompanisë dhe Qeverisë së Kosovës për të siguruar 11 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për këto komuna skadoi në nëntor.

Mehmeti tha se që nga viti 2017, kur KOSTT ka filluar subvencionimin e katër komunave ka shpenzuar më shumë se 17 milionë euro, ndërsa qeveria ka kontribuar me 10 milionë euro shtesë për të mbuluar energjinë e konsumuar nga serbët në këto katër komuna.

“Nëse vazhdojmë në dhjetor, kompania do të ketë një humbje prej rreth 10 milionë euro. Nëse vazhdojmë me pagesën e faturave për vitin e ardhshëm, atëherë nuk mund të realizojmë planet tona të investimeve. Vitin e ardhshëm do të kemi vështirësi të operojmë nëse nuk i marrim këto para”, tha Mehmeti.

Mimoza Kusari-Lila, deputete nga partia në pushtet Vetëvendosje tha se “është çështje javësh” derisa konsumatorët në veri të fillojnë të paguajnë vetë faturat e tyre për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë në qershor 1999.

“Vetëvendosje nuk ka pranuar të paguajë faturat e energjisë elektrike në veri. Qeverisë i kemi dhënë afat gjashtëmujor dhe është e rëndësishme që qeveria të merret intensivisht me këtë çështje”, tha Kusari-Lila.

Muajin e kaluar, Gjykata Themelore e Prishtinës tha se kishte anuluar një vendim të Zyrës për Rregullimin e Energjisë së Kosovës, ZRRE për të paguar faturat e energjisë elektrike për konsumatorët nga katër komunat serbe për periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2017.

Që nga viti 2017, faturat e energjisë elektrike për konsumatorët nga katër komunat janë paguar nga qeveria e Kosovës.

Në maj të këtij viti, qeveria u pajtua që të mbulojë edhe gjashtë muaj të tjerë të energjisë elektrike për konsumatorët në veriun e Kosovës me shumicë serbe, duke nxitur për një zgjidhje përfundimtare të problemit.

Konsumatorët serbë në katër komunat veriore nuk e kanë paguar energjinë elektrike që nga viti 1999. Kostoja totale e energjisë së përdorur në komunat me shumicë serbe është rreth 12 milionë euro në vit. Çështja e energjisë ka qenë një nga temat e diskutuara gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Serbia dhe Kosova arritën një marrëveshje fillestare në vitin 2015 që një kompani e mbështetur nga Beogradi duhet të aplikojë tek autoritetet e Kosovës për furnizimin me energji për katër komunat veriore.

Por kjo më pas u bllokua nga Serbia sepse marrëveshja parashikonte që kompanitë e kontrolluara nga Serbia që ofrojnë furnizime me energji elektrike do të duhej të regjistroheshin në te autoritetet në Kosovë.

Më pas u ra dakord që operatori kosovar, KOSTT të njihet si furnizues për të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa EMS e Serbisë do të ofrojë mbështetje për operatorin kosovar për t’u anëtarësuar në rrjetin evropian të operatorëve të sistemit të transmisionit, ENTSO- E.

KOSTT filloi të operojë në mënyrë të pavarur nga EMS në të gjithë Kosovën në dhjetor 2020 dhe më pas u bë pjesë e ENTSO-E në një bllok të përbashkët energjetik me Shqipërinë.

Back to top button