“Po nxitet urrejtje ndaj grekëve”/ OMONIA acarohet për seancën e mbajtur për çamët në Kuvend

OMONIA ka reaguar ashpër pas një përkujtimi që është mbajtur në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, të masakrës së popullsisë came.

Në reagim thuhet se po nxitet urrejtje ndaj grekëve, nga fanatikë nacionalistë, të cilët, sipas OMONIA-s, po shtrembërojnë historinë me çështjen came.

“Të papajtueshme me standartet e parlamentarizmit të shëndetshëm dhe vlerat e civilizimit politik të BE rrëshqitja nacionaliste në Sallën e Seancave Plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek dënon publikisht dhe paralajmëron për pasojat e akteve si ato manifestimet e ditës së djeshme të fanatizmit, antihelenizmit, kultivimit të urrejtjes ndëretnike dhe natyrisht në kundërshtim të plotë me nevojat reale për paqe dhe stabilitet në rajon.

Përgjegjës janë si organizatorët që janë formacione politike dhe organizata publikisht të njohura nga nxiten dhe financohen, por njëherësh edhe autoritetet e ngarkuara nga ligji dhe kompetenca për mbarëvajtjen e Parlamentit.

Vënia në dispozicion e Sallës së Seancave Plenare të Kuvendit të Shqipërisë si edhe publiciteti në mjetet digjitale të informacionit të atashuara në emër të tij, dëshmojnë madje distancën mes retorikës mbi mundësitë e zhvillimit të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe mendimesh të dyta që frymëzohen nga nacionalizmi dhe urrejtja ndëretnike.

Si kjo shkarje edhe ato që planifikohen të vijojnë ditët në vazhdim natyrisht që përbëjnë shërbimin më të keq ndaj nevojave që realisht ka rajoni ynë, shoqëria shqiptare që aspiron evropianizimin dhe emancipimin e jetës publike.

Ndjenjat reale të popullit grek, të helenizmit mbarë i njeh tashmë çdo shqiptar dhe qelizë familjare në komunikim të përditshëm dhe kontribues në përmirësimin e nivelit ekonomik, kulturor dhe arsimor. Kushdo që përpiqet në pretendimin e së kundërtës është spekulant ndaj historisë dhe mohues i realitetit”, thuhet në reagimin e OMONIA-s.

Edhe mediat greke kanw reaguar ashpwr.

“Provokim i jashtëzakonshëm ndaj Greqisë, brenda Kuvendit të Shqipërisë”, shkruan “Protothema” referuar referuar ditës së hapur të mbajtur në Parlament nga PDIU për “Javën Çamë”.

“Pasditen e së hënës u zhvillua një aktivitet kushtuar kujtimit të viktimave të “gjenocidit” të Tsamurias nga grekët. Aktiviteti u organizua nga partia ekstremiste dhe antigreke PDIU, e cila pretendon se përfaqëson qytetarët shqiptarë me origjinë çame, e cila promovon sistematikisht axhendën e Ankarasë në vend. Bashkëorganizatorë ishin fondacioni “Çamëria” Hasan Tahsini dhe shoqata çlirimtare “Çamëria””, thuhet në këtë shkrim.

Mes të tjerash shkruhet se ngjarja provokuese ka ndodhur me tolerancën e kryesisë së parlamentit dhe qeverisë Rama, “e cila herë pas here ‘përkëdhel’ veshët e nacionalistëve për arsye votimi”.

“Në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë thuhet në mënyrë provokative: Sot, 78-vjetori i gjenocidit të shqiptarëve të Çamërisë nga grekët, 27 qershori u njoh nga parlamenti në vitin 1994 si ditë gjenocidi dhe kujtimi, në prani të çamëve, patriotë, veprimtarë e të tjerë, me një demonstratë në parlament ku u theksua zgjidhja e çështjes së çamëve.

Përpara një pankarte ku shkruhej ‘78 vjet gjenocid’, fëmijë të vegjël dhe të rinj recituan poezi çlirimtare për atdheun e ‘skllavëruar’. Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Athina , për atë që në mënyrë provokative mori pjesë në Kuvendin e Shqipërisë”, shkruan “Protothema”./m.j

Back to top button