I dyshuari për krime lufte Bozhidar Deliq (dhe një mundësi për ta ndjekur atë penalisht – për shembull nga drejtësia në Tiranë)

Nga Enver Robelli

Bozhidar Deliq, një i dyshuar për krime lufte, një i dyshuar për vrasjen e dhjetëra civilëve në Kosovë, një gjeneral serb në pension, është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Serbisë. Me këtë emërim po vazhdon rehabilitimi i kriminelëve të luftës në Serbi. Krimet e Deliqit janë të dokumentuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, një organizatë faktmbledhëse nga Beogradi.

Kosova nuk është anëtare e Interpolit, andaj e ka të pamundur të shpallë fletarrest ndërkombëtar kundër Deliqit. Por këtë mund ta bëjë drejtësia e Republikës së Shqipërisë. Ajo mund ta kërkojë Deliqin me feltarrest ndërkombëtar. Këtë mund ta bëjë duke iu referuar juridiksionit universal në kuadër të së drejtës penale ndërkombëtare. Kjo ia mundëson edhe shteteve të tjera të ndjekin krimet e luftës të kryera nga shtetasit e huaj në shtete të tjera.

Ekziston një shembull i freskët për këtë. Drejtësia gjermane e ka dënuar me burg të përjetshëm një sirian, i cili ka torturuar të burgosur në burgjet e regjimit të Bashar al-Asadit. I dyshuari është zbuluar nga viktimat në Gjermani, ku kishte ikur.

Deliq jeton në Beograd, por nëse, për shembull, një gjykatë në Tiranë lëshon fletarrest kundër tij, atëherë ai nuk do të mund të lëvizë i lirë nga Serbia (me përjashtim të ndonjë udhëtimi me avion në Rusi apo Bjellorusi).

Fletarresti ndaj tij do të ishte një sinjal i qartë se Republika e Shqipërisë interesohet seriozisht që viktimat e luftës në Kosovë dhe është e gatshme të ndjekë të dyshuarit për krime të luftës. A ka gjasa që kjo të ndodhë? S’besoj. Për këtë duhet vullnet politik në Tiranë dhe duhet të ketë një gjyqësi efektive dhe me përvojë, të cilën Shqipëria nuk e ka.

Një rrugë tjetër që duhet provuar është kjo: gjyqësia dhe politika e Kosovës duhet të jenë më aktive. Pikësëpari mund të zhvillohen konsultime me juristë gjermanë dhe të shqyrtohen mundësitë si mund të veprohet kundër Deliqit.

A ka ndonjë të mbijetuar të masakrave të trupave të Deliqit, i cili tani është shtetas i ndonjë shteti të BE-së (ta zëmë Gjermanisë)? Nëse po, atëherë dëshmitarët eventualë me banim në ndonjë vend perëndimor duhet të kontaktojnë autoritetet e atjeshme, të prezantojnë dëshmitë dhe me ndihmën e autoriteteve të Kosovës të veprojnë. A ka gjasa për sukses? Nuk e di. A ia vlen të provohet? Po.

Back to top button