Nga Ksamili në Radhimë dhe Shëngjin/ Stacion për jet ski në mes të plazhit. Ankohen pushuesit: Ecin me shpejtësi

Një ditë pas tragjedisë së Himarës në Sarandë dhe Ksamil nuk shihen jetski apo skafe duke lëvizur me shpejtësi pranë brigjeve.  Mirëpo, ajo ç’ka konstatohet lehtësisht është prania e një stacioni ku jepen jetski me qira në mes të plazhit të Ksamilit ku po notojnë pushuesit.

Mungojnë bovat dhe litarët që kufizojnë hapësirën e plazhit nga korridori ku duhet të kalojnë mjetet lundruese, që është detyrim ligjor i subjektit që menaxhon plazhin privat. Aktualisht në Sarandë janë të regjistruara pranë kapitenerisë së portit 23 jet ski, 98 mjete te tjera lundruese familjare dhe 18 anije turistike.

Report Tv ka kryer vëzhgim dhe ne vijën bregdetare Vlorë-Orikum, ku ndodhet 4 stacione të licencuara nga bashkia e Vlorës për qëndrimin e mjeteve lundruese. Janë përcaktuar 10 korridore për hyrje-daljet në breg, por pjesa më e madhe e operatorëve turistike si dhe individë funksionojnë jashtë këtyre korridoreve. Vihet re qarte mungesa e kufizimeve me bova dhe litarë në disa plazhe private.

“Ruhemi vetë, këto mjetet motorike për mua duhet të mbajnë distancën sepse duhet të ketë vijë kufitare ku janë plazhistët dhe ku janë lëvizin ata. Ecin me shpejtësi, e kanë të theksuar”.

“S’ke asnjë pikë vrojtimi. Vij çdo gusht këtu, deri dje kanë lëvizur këto mjetet motorike, duhet të ketë vijëzime, të merren masa nga ana institucioneve kompetente”, tha turistët në Vlorë.

Në plazhin e Shëngjin ka vetëm një vend-qëndrim të përcaktuar nga Policia Kufitare dhe Bashkia Lezhë për mjetet e lundrimit, afër skalieres së portit. Është ruajtur distanca prej 100 metra si dhe sinjalistika me bova e litarë. Gjatë vëzhgimit të Report TV pamë se pushuesit notojnë brenda hapësirës për mjetet e lundrimit.

Një ditë pas tragjedisë, skafet nuk shihen pranë  bregut, por pushuesit thanë se çdo ditë tjetër lëvizjet e tyre janë shqetësuese për shkak se kryejnë manovra pranë bregut.

“Është shumë e frikshme, si sivjet nuk ka pasur vaki, kaq të frikshëm e kaq të rrezikshëm, si rregull e kanë te tapat po nuk i respektojnë aspak, shumë pak”, tha një tjetër turist në Shëngjin.

Ngjarja tragjike ka vënë në lëvizje policinë kufitare. Gjatë xhirimeve të Report TV në Shëngjin dhe Radhimë konstatojmë bllokimin e disa motorëve të ujit./ shqiptarja.com

 

Back to top button