Ngritja e njësive të armatosura të Kosovës e problemet e para me Shqipërinë

Në librin e tij që sapo ka dalë nga botimi: “Republika e Parë”, që është një histori politike e Kosovës,  gazetari Mero Baze ka trajtuar edhemarrëdhëniet mes institucioneve të Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës. Në gazetën TemA ka nisur botimi i disa pjesëve të shkëputura nga libri. Më poshtë po publikojmë dy kapituj nga libri, përkatësisht: “Përpjekjet e dështuara për bashkëpunim ushtarak me Shqipërinë” dhe “Njësitë ushtarake të qeverisë së Republikës së Kosovës”.

Nga Mero Baze

Përpjekjet e dështuara për bashkëpunim ushtarak me Shqipërinë

Pas vendosjes së kontakteve të para me Shqipërinë, nga takimi i Bujar Bukoshit me Ramiz Alinë, në janar 1991, si dhe më pas, emërimit të Ali Aliut si përfaqësues i Zyrës së Kosovës në Tiranë, jo nëpërmjet ndonjë marrëveshjeje zyrtare, u vendos trajnimi i pesëdhjetë e dy të rinjve nga Kosova në Shkollën e Bashkuar në Tiranë. Grupi që drejtohej nga Sali Çekaj, ishin kryesisht të rinj dalë në Perëndim. Trajnimi u krye për gjashtë javë, tetor-mesnëntori 1991, në Tiranë dhe iu kushtua kryesisht njohjes dhe përdorimit të armëve të lehta dhe disa njohurive bazë të lidershipit. I vetmi dokument që munda të siguroj në Ministrinë e Mbrojtes së Shqipërisë, është informacion mbi disa artikuj importi dedikuar për këtë kurs, për të cilat ishte i interesuar Ramush Tahiri që i ishte shtuar Qeverisë së Kosovës si zv.kryeministër për çështje të organizimit të sistemit të mbrojtjes dhe marrjes me të rinjtë që po i iknin shërbimit në ushtrinë jugosllave. Informacioni i referohet datës 2 nëntor 1991, për disa materiale të ardhura në tragetin e linjës Bari-Durrës.

“Më datën 02.11.1991, me tragetin Bari-Durrës ka ardhur në portin e Durrësit një maune italiane, me targa TN 14709, me 313 koli materialesh ushtarake. Gjithsej 313 kuti kartoni, me peshë 7100 kg dhe me vleftë totale 324.872 DM. Sipas faturës shoqëruese, malli do të niset nga firma “Midest Edelmann GmbH” e Gjermanisë, më datë 24.10.1991, në adresën “Import-Eksport”, seksion mekanik, Durrës.” 130 – thuhet në raport. Nga përshkrimet e mëtejme në raport, kuptohet se zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, i shoqëruar nga Ramush Tahiri, kanë inspektuar materialet dhe kanë marrë disa prej tyre. Të tjerat i kanë lënë në depo dhe janë prishur me kalimin e kohës. Kjo koincidon me mbylljen e kursit, pas presionit të disa vendeve perëndimore në Tiranë dhe mungesën e prespektivës rreth të ardhmes së tij.

Ylli Mici, një prej oficerëve që ka trajnuar këtë grup, e përshkruan kursin e trajnimit si bazik, ku është mësuar përdorimi i armatimit, kryesisht armë të lehta automatike dhe raketa supi. “Grupi ishte i disiplinuar dhe korrekt. Sali Çekaj ishte përgjësi i tyre. Nuk kemi pasur kurrë asnjë problem me ta. Pastaj, në pritje të grupit të dytë na erdhi urdhri ta mbyllim kursin ngaqë kishin reaguar keq disa shtete perëndimore. Asgjë nuk ishte bërë me letra dhe qeveria e mbylli në heshtje kursin.”

Më tej, Mici shpjegon se si tridhjetë e pesë prej tyre u nisën drejt Kosovës në dhjetor të vitit 1991, duke marrë me vete armatime të rënda. Me makina të ushtrisë, ata janë ndihmuar ta çojnë armatimin deri afër kufirit, pastaj e kanë futur vetë në Kosovë. Edhe pse përflitet emri i Adem Jasharit, ai nuk ka qenë në grupin e trajnuar në Shkollën e Bashkuar, por ka qenë shpesh herë vizitor në Tiranë dhe në Shkollë të Bashkuar, në përpjekje për të futur armë në Kosovë, mes viteve 1992-1998. Shpenzimet e trajnimit i mbuloi qeveria shqiptare. Pas mbylljes së kursit të trajnimit, u hap kampi i Labinotit në Elbasan, fshehur thellë mes maleve, ku dërgoheshin të rinj që i iknin thirrjes për rekrutim në ushtrinë jugosllave. Aty u mendua që ndërkohë ata edhe të trajnoheshin në fshehtësi, pa rënë në sy. Në dhjetor të vitit 1992, në një raport për gjendjen e të strehuarve nga Kosova në Elbasan, shefi i Zyrës së Kosovës në Tiranë, Mehmet Kraja, ngre alarmin për kushtet e tyre dhe mungesën e seriozitetit me të cilin po trajtohet ai projekt.

Por edhe pas kësaj, nuk pati ndonjë seriozitet në trajtimin e tyre. Numri i të rinjve të ardhur u shtua, por sapo shkonin aty arratiseshin dhe gjenin rrugë për të ikur në Perëndim. Në këto kushte, në maj të vitit 1993, qeveria urdhëroi mbylljen e atij kampi. Përfaqësuesi i zyrës së Kosovës në Tiranë e njofton mbylljen me ndjenjë lehtësimi.

Vetëm pas vitit 1994, kur Ministria e Mbrojtjes e Kosovës u vendos në Tiranë, u mor përdorim një repart ushtarak ku bëhej stërvitja e dikurshme e studentëve në Mamuras, reparti u kthye në kamp trajnimi dhe qëndrimi për disa nga njësitë e para ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes. Ministria e Mbrojtjes e krijuar për të vepruar në Kosovë, planifikoi një shtrirje të bashkëpunëtorëve të saj në territorin e atjeshëm në nivel qendror dhe komunal. Praktikisht, u krijua një organizim ushtarak klandestin që përfshinte formacione të vogla, në formën e togave, me sistem koordinues me njëritjetrinnë rast të sinjaleve për rezistencë.

Hajzer Hajzeraj, ishte shefi i Shtabit të Mbrojtjes në Kosovë, i cili mbikëqyrte këtë organizim. Por struktura u dekonspirua dhe në shtator të vitit 1993, dhjetëra prej tyre u arrestuan. Hajzer Hajzeraj, me detyrën e shefit të Shtabit, u dënua me 7.5 vjet burg.

 

Nga libri i Mero Bazes: Ngritja e njësive të armatosura të

Njësitë ushtarake të qeverisë së Republikës së Kosovës.

Pas shkatërrimit të kësaj strukture, qeveria i ktheu sytë nga ish-ushtarakët shqiptarë në ushtrinë jugosllave jashtë Kosovës, kryesisht ata që kishin luftuar në Bosnjë dhe Kroaci dhe gjendeshin në Perëndim.

Kjo strukturë e re e krijuar në vitin 1994, e rigjallëroi strukturën e Ministrisë së Mbrojtjes, në krye të së cilës u emërua Kol.Ahmet Krasniqi, nga fshati Zhillivodë i Vushtrisë që kishte luftuar në Bosnjë. Në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, sipas një raporti përfundimtar të ministrit Halil Bicaj, kanë qenë angazhuar dyqind e njëzet e tetë eprorë, ku hyjnë ushtarakë të lartë dhe mjekë ushtarakë të mobilizuar në luftë.

Qeveria krijoi një bazë logjistike në Shqipëri dhe një fond për financimin e saj. Logjistika më vonë shërbeu si bazë për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës-FARK, një istitucion që komplikoi raportet me UÇK, pasi kjo filloi të trazojë ujërat kundër Serbisë, por dhe kundër FARK dhe linjës institucionale të Kosovës.

Në Shqipëri funksionuan pesë qendra stërvitore, të cilat stërvitën rreth shtatëqind ushtarë. Ato ishin vazhdim i praktikës së skuadrës që u trajnua në vitin 1991, në Tiranë. Sali Çekaj ishte personi kyç që u mor pas kësaj me organizmin në terren të futjes së grupeve në Kosovë. Ka një sere dokumentesh që provojnë organizmin prej tij të futjes së materialeve luftarake në Kosovë, organizmin e grupeve të vogla mbështetëse në terren, deri njëzet e pesë vetë në secilën komunë.

Shtigjet e furnizimit ishin planifikuar prej tij, kryesisht vija “Bajram Curri”, Tropojë, Padesh, Kroi i Ujzës, deri te piramida Nr. 2, si dhe një shteg më i mundimshëm, Bjeshka e Dobërdolit, Qafa e Ali Çelës-Zalli i Rupës-Beleg. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes kishte hartuar një listë të detajuar të githë eprorëve ushtarakë shqiptarë në armatën jugosllave që kishin pranuar të ishin në dispozicion të saj. Ishin rreth njëqind e dhjetë eprorë të lartë ushtarakë, përfshi dhe gjeneralë të famshëm si Rahim Ademaj që u bë hero i Kroacisë kundër ushtrisë serbe, Agim Çeku, Tahir Zemaj etj.

Publikisht, Ministra e Mbrojtjes u njoh në vitin 1998, fatkeqësisht kur u ekzekutua ministri i saj, kol. Ahmet Krasniqi. Bukoshi thotë se në atë kohë UÇK kishte komandantë shumë trima në terren. Iu ofroja oficerët e trajnuar nga lufta në Bosnjë dhe Kroaci. Duhej një drejtim profesional i luftës, por me sa duket shqetësimi i tyre ishte politik. Ata nuk donin t’i jepnin kredibilitet institucioneve të Kosovës duke i përfshirë në luftë. Lufta u duhej si monopol politik. Në këtë kohë, pasi e pa të pamundur bashkëpunimin me Shtabin e UÇK-së, Qeveria vendosi të krijojë Forcat e Armatosura të Kosovës, FARK duke vënë në dispozicion edhe mjetet financiare për këtë.

Rreth dyzetë oficerë profesionistë iu bashkuan ushtrisë. Më i njohuri prej tyre, Tahir Zemaj hyri dhe në Kosovë dhe bashkëpunoi një kohë të shkurtër me Ramush Haradinaj. Qeveria urdhëroi Tahir Zemaj të hynte në Rrafshin e Dukagjinit. Kjo krijoi konflikt me strukturat e UÇK-së. Zemaj fillimisht ka pasur konflikt me Hashim Thaçin, e më pas me Haradinaj. Pastaj mes tyre plasën konflikte që me gjasë u mbyllën kur Tahir Zemaj u vra pas luftës, në një pritë.

Qeveria ndërkohë vazhdoi përpjekjet për të pasur bashkëpunim me forcat politike që mbështesnin UÇK dhe i frynin zjarrit të ndarjes. Takimi më i rëndësishëm ishte i Oslos, me një delegacion të UÇK, kryesuar nga Adem Demaçi. Takimi u mbajt nga 21-23 maj 1998, në Oslo. Delegacioni i UÇK, kryesuar nga Adem Demaçi, kishte në përbërje: Xhavit Haliti, Fatmir Zymeraj dhe Shaban Muja. Ministria e Mbrojtjes së Kosovës përfaqësohej nga Ahmet Krasniqi dhe Agim Mehmeti. Marrëveshja parashihte që:

1) Dy subjekte ushtarake, UÇK dhe Ministria e Mbrojtjes

bashkohen në një subjekt të përbashkët ushtarak që do të quhet “Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës.”

2) Marrëveshja i njeh formacionet ushtarake që vepronin

në Kosovë së bashku me komandantët e tyre, si dhe me emrin me të cilin qenë zyrtarizuar në opinionin publik.

3) Subjektin e përbashkët “Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës” e përbëjnë këto njësi:

a) Njësitë operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës –

(UÇK).

b) Njësitë e mbrojtjes territoriale.

c) Njësitë e aviacionit luftarak.

d) Njësitë e Ministrisë së Brendshme.

4) Ky subjekt ushtarak do të udhëhiqet nga Shtabi i Përgjithshëm, i përbërë nga përfaqësuesit e subjekteve ushtarake që janë bashkuar në FARK. Një pjesë e këtij shtabi do të veprojë në Shqipëri, pjesa tjetër në Kosovë.

5) Njësitë ekzistuese që veprojnë në vend, do të riorganizohen dhe do të forcohen me kuadro ushtarake profesioniste, me qëllim funksionimin e komandës hierarkike dhe disciplines ushtarake moderne.

6) Kuadri i deritanishëm udhëheqës i njësive të UÇK, do

të gradohet me grada ushtarake sipas kritereve të përgjithshme dhe propozimeve konkrete për çdo njësi veç e veç.

7) Ndalohet politizimi i ushtrisë.

8) Komunikatat e UÇK nuk do të dalin në opinion pa u miratuar nga komandanti i SHP të FARK, Kol. Ahmet Krasniqi.

9) Opinioni nuk do të njoftohet për bashkimin e subjekteve ushtarake, Ministrisë së Mbrojtjes dhe UÇK në FARK, për shkaqe strategjike dhe diplomatike, derisa ushtria të forcohet në nivelin e kryerjes së aksioneve operative që do ta avanconin atë nga luftimet në mbrojtje, në kaliminin në mësymje, nga lufta guerile në luftë frontale.

10) Do të funksionojnë dy fondet ekzistuese, fondi i Qeverisë së Kosovës dhe fondi “Vendlindja Thërret.”

11) Të gjitha mjetet e grumbulluara në të dy fondet, do të përdoren për forcimin dhe modernizmin e njësive çlirimtare të FARK.

12) Adem Demaçi merr përsipër të konsultohej dhe t’i ofronte detyrën e komandantit të njësive të Mbrojtjes Territoriale të Kosovës, komandant Ramadan Qehaja dhe nëse ai pranonte, të njoftonte Kol. Ahmet Krasniqin.

Me gjasë, kjo marrëveshje i kishte mërzitur më shumë liderët politikë të UÇK për shkak të rolit të ekzagjeruar që merrte Adem Demaçi, figurë e shquar politike, por tejet konfuze dhe i paqëndrueshëm për një projekt kaq delikat.

Pasi përçarjet nuk u tejkaluan, Qeveria e Kosovës filloi të veprojë në terren. Në fillim të muajit prill 1998, Ministria e Mbrojtjes hapi qendrën e parë stërvitore në fshatin Viçidol, në një objekt që kishte qenë më parë shkollë dhe më pas shtëpi, pronë e banorit të fshatit, Muharrem Tafa, i cili humbi jetën gjatë asaj periudhe.

Në planin më afatgjatë kjo qendër shërbeu për krijimin e brigadave 134, 133 dhe 131 që hynë kryesisht në Rrafshin e Dukagjinit. Të tri brigadat, në krye të të cilave u vunë eprorë ushtarakë me përvojë, u pajisën me armatim e uniforma dhe u urdhëruan të hyjnë në Kosovë. Eprorët që u emëruan në krye të këtyre brigadave ishin, Tahir Zemaj komandant brigade, Kemajl Shaqiri komandant brigade, Rrustem Berisha komandant brigade, si dhe eprorë me grada më të ulëta Nazif Ramabaja, Agim Ramadani, Shaban Dragaj, Fadil Hadërgjonaj, Fahrush Thaçi, Sefedin Kuqi, Musa Gjakova, Lumni Surdulli, Esat Ademaj, Faruk Gjemajli, Sali Çeku, Zymer Luli, Sebahate Tolaj dhe Ismet Çeku.

Pasi u futën në Kosovë, në dispozicion të këtyre brigadave u vunë dhe një sërë ushtarakësh të tjerë, si Adem Ukhaxhaj, Skënder Rexhahmetaj, Gani Gjukaj, Shemsedin Çeku, Rrustem Tetaj, Florim Çelaj, Isuf Haklaj, Idriz Elezaj. Pati po ashtu bashkëpunim të fortë me disa eprorë ushtarakë të njohur, si Rrustem Bruçi, Shaban Avdimeaj, Rrok Berisha etj.

Qendra e dytë stërvitore ishte në Kalimash. Aty u formua brigada “Skënderbeu”, në krye të së cilës u emërua komandant Avdulla Shasivari dhe ushtarakë të tjerë, si Enver Rrustemi, Fatmir Dushaku, Besnik Osmani, Xhevat Leci, Anton Ndreca dhe Esat Qollaku. Në qendrën stërvitore Papaj, në Tropojë u formua Brigada 141, e cila më pas u vendos në qendrën stërvitore Kolsh. Komandant i kësaj brigade ishte Fuad Ramiqi dhe eprorë të tjerë, Agim Maloku, Hysen Shahini, Sami Sejda, Ramadan Gashi Gani Ahmetaj, Isa Agushi, Bekim Arifi, Nehat Basha, Nexhmedin Kastrati. Në qendrën stërvitore Papaj, u formua dhe bërthama e Brigadës 132, me emrin “Istogu”, në krye të së cilës u emërua komandant Faton Gashi, Skënder Alimetaj dhe Milazim Maraj.

Një rëndësi të posaçme ka pasur krijimi i batalionit diversanto-vëzhgues, i drejtuar nga Anton Çuni. Batalioni shërbente për zbulimin në brezin kufitar Shqipëri-Kosovë. Brigadat 141, 142, si dhe Brigada “Skënderbeu”, u planifikuan për t’u futur në luftime në zonën e Pashtrikut, në muajt gusht-shtator 1998, por atentati ndaj minsitrit Krasniqi, në shtator 1998, e shtyu hyrjen në zonën e Pashtrikut më 27 deri 28 nëntor 1998. Komandant i këtyre njësive u emërua Sylejman Kollçaku. Për shkak të riorganzimit, nën këtë komandë nuk u futën Fuad Ramiqi i Brigadës 141, Muharrem Rrahmani I Brigadës 142, si dhe komandanti i brigadës “Skënderbeu”, Armando Arbanas.

Brigada 134 që u fut në Rrafshin e Dukagjinit më 7 korrik 1998, bëri atë që quhet “Beteja e Logjës”, komanduar nga Tahir Zemaj. Njësitë ushtarake të qeverisë hynë në Kosovë me emblem të UÇK-së, për të mos krijuar konfuzion mes qytetarëve për dy ushtri. Në nëntor 1998, në Suharekë u fut Brigada 123, si dhe disa ushtarakë të stërvitur për t’u angazhuar në zonën e Karadakut. Në prill të vitit 1999, në kulmin e bombardimeve, Brigada 131 dhe 134, të komanduara nga Agim Ramadani e Sali Çeku, morën urdhrin për shpërthimin e kufirit Kosovë – Shqipëri në Kosharë, gjë që e realizuan më 9 prill 1999.

Qeveria po ashtu ndihmoi në financimin e brigadës “Mërgimi”, me shqiptarë të ardhur nga diaspora që nuk arriti të hyjë në Kosovë se ajo ndërkohë u çlirua. Një aspekt i rëndësishëm i financimeve ishin vetë brigadat që kontrolloheshin nga UÇK. Sipas raportit të Ministrisë së Mbrojtjes, kjo ministri, gjatë vitit 1998, shpenzoi rreth 17. 000.000 DM, për nevoja të furnizimit me armë nëpërmjet UÇK dhe një pjesë për financimin e njësive në terren për nevoja lufte.

Në vitin 1999, po sipas kësaj ministrie, ka vënë në dispozicion të UÇK rreth 15.000.000 DM, ku një pjesë e rëndësishme shkoi për zonën e Llapit dhe Gollakut. Pas mbarimit të luftës, ministria shpërndau bazën e saj logjistike, ku përfshiheshin 27 kamionë, 9 autoblinda, 18 xhipa, 5 autoambulanca vetura të vogla etj. Ministria po ashtu i dhuroi akademisë ushtarake “Skënderbeu” në Tiranë, veshmbathje dhe shtretër në shumën 200.000 marka gjermane dhe disa shoqatave bamirëse mjetet e mbetura.

Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së qeverisë në fushën e mbrojtjes ishte organizmi i operacioneve humanitare dhe mjeteve në shërbim të luftës. Ekipet e Qeverisë së Kosovës përballuan valën e parë të refugjatëve të luftës në Tropojë, në qershor 1998, përkundër problemeve me bandat e saj dhe armiqësinë politike të qeverisë së Tiranës. Qeveria financoi rrjetin e mjekëve në shërbim të luftës, një strukturë me rreth dyqind mjekë të gatshëm. Po ashtu financoi shërimin e të plagosurve rëndë gjatë luftës. Rreth njëzet prej tyre u çuan për kurim në Perëndim, të tjerët u transportuan në spitalin e traumës në Tiranë.

Një histori e errët janë problemet që hasi brigada “Mërgimi” gjatë kthimit në Kosovë, plaçkitja nga disa segmente të UÇK dhe KFOR. Gjithsesi, financimi i luftës ishte zë i rëndësishëm i Qeverisë së Kosovës. Ka kontrast të thellë mes dokumentacionit që ekziston për ato çfarë ka paguar ajo për luftën dhe dokumentacioni i fondeve private të krahut të UÇK-së për çfarë ka mbledhur dhe ka financuar. Akoma më i thellë është kontrasti mes kontributit dhe përfoljes si qeveri që nuk ka mbështetur luftën. Kjo dhe për faktin se periudhën e pasluftës e dominoi heroizimi i krahut politik të UÇK-së, askush nuk kishte dëshirë të përfshihej në polemika rreth financimeve dhe kontributit real financiar në mbështetje të luftës. Aq më tepër që fondet e Qeverisë së Kosovës kanë qenë nën vëzhgim të rreptë të financave të Gjermanisë, Zvicrës dhe vendeve të tjera, ndërsa shumica e aksioneve humanitare ishin jashtë kontrollit ligjor.

Back to top button