Pse po rritet vazhdimisht tregtia e Kosovës me Serbinë dhe importimi i “mallrave të dëmshme”?

“Serbia është e interesuar që shqiptarët të blejnë sa më shumë produkte të saj sepse në këtë mënyrë ajo forcohet brenda Kosovës dhe e kontrollon më kollaj politikën e saj”, deklaronte Albin Kurti, atëherë kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, por jo edhe kryeministër.

Gjithsesi, kjo nuk ishte pjesa më problematike e blerjes mallra serbe.

Siç kishte mësuar Kurti, “Qeveria e Serbisë në përgjithësi është lidhur me disa prodhues të cilët e kanë serinë e veçantë për produktet në Kosovë që mund të jenë të cilësisë më të ulët e mbase edhe të mos jenë të shëndetshme”.

Kjo me shumë gjasë ishte edhe premisa kryesore se pse më 14 janar 2012 Lëvizja Vetëvendosje kishte organizuar një aksion masiv në pikë kalimet kufitare në Merdarë e Dheu i Bardhë për të bllokuar hyrjen e mallrave nga Serbia në Kosovë.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 10 vjet prej aksionit “Serbia nuk kalon” i cili synonte vendosjen e një reciprociteti në raport me mallrat e Serbisë, kjo e fundit sot e kësaj dite po dominon tregun kosovar me produktet e saja.

Rrjedha logjike thotë se viti 2022 do të duhej të ishte vit i Shqipërisë e jo i Serbisë për sa i përket importit me Kosovën, kjo pasi që Qeveria është nën udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje – ideatorit të nismës për bojkotimin e mallrave serbe dhe idhëtarit të bashkimit kombëtar me Shqipërinë.

Statistikat e Agjencisë shfaqin një pasqyre krejt tjetër në bilancin e Kosovës në raport me importet me shtetet e rajonit.

“Importet nga vendet e CEFTA-së në muajin tetor 2022, arritën në 83.2 milion Euro, ose 17.0% të importeve të përgjithshme. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.0%), Shqipëria (4.4%), dhe Maqedonia e Veriut (4.0%)”, shkruhej në publikimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për muajin tetor 2022.

Sipas ASK-së importet me Serbinë janë rritur ndërsa ato me Shqipërinë janë zvogëluar.

Kjo pasi që më 2020, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon prej nga Kosova importonte mallra, Maqedonia e Veriut e dyta, ndërsa Serbia e treta.

“Në vitin 2021, trendi ndryshon. Serbia kthehet në vendin e parë, me rritje prej 76%”, kishte shkruar ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në rrjetin e tij social në Facebook duke kritikuar kështu qasjen e Qeverisë së Kosovës në raport me tregtinë e jashtme.

Duke iu referuar Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Hoti i cili ka qenë edhe ish-ministër i Financave, kishte thënë se edhe gjatë verës që shkoi krahasuar me vitin e kaluar, janë rritur importet nga Serbia. Vetëm gjatë muajit gusht për 30 për qind, kurse nga Shqipëria janë ulur për 10 për qind në të njëjtin muaj.

E për ish-ministrin e Financave, Haki Shatri, një dukuri e tillë nuk do koment, pasi gjithçka është shumë e qartë – “Qeveria e Kosovës e ka bërë Serbinë partnere kryesore edhe para Shqipërisë në marrëdhëniet ekonomike të jashtme”.

“Lëvizja Vetëvendosje bojkotimin e mallrave nga Serbia e ka pasur vetëm si slogan sa për ta fituar pushtetin. Përkundër që dy vjet eksporti i Kosovës ka një dinamik të rritjes në raport me importin, megjithëse importi në shifra të përgjithshme është shumë më i madh, çudia më e madhe është se me Serbinë është rritur importi e ndërsa eksporti nuk është rritur proporcionalisht”, ka thënë Shatri për Albanian Post.

Albin Kurti, pasi u emërua kryeministër për herë të parë, mori vendim për heqjen e taksës 100 për qind që e kishte vendosur Ramush Haradinaj për produktet serbe.

Madje sipas tij vendosja e reciprocitetit ishte çështje ditësh e javësh, por kurrsesi muajsh.

Megjithatë që nga ajo kohë kanë kaluar më shumë se një vit dhe Kosova nuk e ka vendosur reciprocitetin ndaj Serbisë e si rrjedhojë importi me Serbinë është rritur ndjeshëm muajt e fundit.(Albaniapost)

Back to top button