VIDEO/ Unë, dëshmitari i sulmit të Berishës mbi Ambasadën Amerikane në 97!

Në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV ishte i ftuar Ilmi Guzia, ish-punonjës sigurimi në Ambasadën Amerikane për të treguar një histori të jashtëzakonshme.

Viti ’97 mbahet mend si një periudhë trazirash për shumë shqiptarë, por pak është folur për sulmin që iu bë makinës së Ambasadës Amerikane në Shqipëri.

Zoti Guzia rrëfen si ndodhi ngjarja dhe cili ishte personi që qëndron pas atij sulmi, një person që sot mban damkën non-grata nga SHBA, dhe kjo është një nga arsyet më të forta.

“Më 13 mars të vitit 1997 unë kam qenë në punë, si përgjegjësi i rojeve në orarin 3-11, dhe situata precipitoi shumë keq. Unë shkova nga shtëpia e babait për të porositur vëllezërit. Iu thashë: Mos dilni se kanë plasur armët sheshit, gjendja është e pasigurtë dhe të rrinin në shtëpi. Ndërsa vetë shkova në punë. Isha në turnin 3 me 11 dhe kur shkova aty, më thërret sekretari i ambasadorit dhe më tha se i duheshin 10-15 djem nga sektori i rojeve sepse do të vinin helikopterët të evakuonin personelin, gratë dhe fëmijët. Dhe kështu unë mora makinën e Ambasadës disa i mora nga shtëpitë e tyre dhe disa të tjerë i mora në telefon dhe deri në orën 5 pasdreke grupi ishte aty. Ndihmuan familjet amerikane, i hipën në helikopter dhe nga helikopteri zbritën marinsat që i ndihmuan. Shefi i marinës më tha që i duhej një makinë dhe i thashë të merrte makinën time, të rojeve. Pastaj i thashë një shoku të Ambasadës të merrte makinën sepse makinën time ua dhashë atyre të marinës. Çdo gjë shkoi mirë, u kthyem në Ambasadë. Ai shoku që duhej të ndërronte turnin me mua më tha që nuk vinte dot sepse të gjithë po qëllonin me pushkë dhe i thashë të qëndronte në shtëpi kështu unë po rrija edhe turnin e natës. I thashë të vinte të nesërmen dhe të bënte dy turne. Më pas oficeri i ngarkuar i Ambasadës na mori në telefon dhe na tha se Policia ka ikur dhe tani Ambasada ishte në dorën tonë.

Më 13 mars të vitit 97 oficeri na tha Policia ka ikur, Ambasada është në dorën tuaj dhe një grupI marinsash që kishin ardhur dhe të nesërmen do të vinte një grup tjetër për Ambasadën. Pra duhet të rezistonim deri të nesërmen. Ne ishim pa armë, pa asgjë pra roje lokali. Në atë kohë nuk kishim armë, më vonë erdhën grupet që na trajnuan, ishim roje të paarmatosur. Mirëpo me operacionin e evakuimit shefi ynë, i rojeve të sigurimit kishte ngelur në Amerikë, u bllokua sepse nuk punonin linjat me Shqipërinë. Pasi ai u bllokua andej, ata sollën një agjente speciale nga Roma me helikopterin e marinsave dhe ajo u mor me operacionin e evakuimit dhe ndenjti. Oficeri i rojes na tha të mbyllnim dyert e Ambasadës me zinxhir që të mos kishim ndonjë problem. Menduam se nuk do të thërrisnin më për në punë, kjo agjentja na merr në telefon dhe thotë kush do më çojë në Rogner?

Bashkë me një shok, me një makinë të atasheut ushtarak, shkuam dhe e morëm dhe kur po kalonim nga Liceu për ta çuar në Rogner, kishte shumë njerëz të armatosur ushtarë, civilë dhe ajo pyeti çfarë ka ndodhur? Unë i thashë: Mesa kemi dëgjuar në radio, është krijuar qeveria provizore e Bashkim Finos dhe ka grumbullim njerëzish. Ok tha, më lini mua sot në hotel dhe hajdeni më merrni nesër në orën 6. Kur dola i thashë shokut mos kalojmë më nga Kryeministria por të dilnim nga Presidenca, sepse dukej më qetë. Kur kaluam atje ne, ishin disa djem që po bisedonin kishin ndaluar me një furgon aty tek kryqëzimi me Librin Universitar, i përshëndetëm me dorë dhe vazhduam rrugën drejt universitetit që të ktheheshim në ambasadë. Kur sheh në pasqyrë ky shoku dhe më thotë se njeri prej tyre u ul në gjunjë. I thashë: Nuk besoj e kanë me ne dhe pa mbaruar fjalën unë filloj breshëria e automatikut. Na u çanë gomat e makinës dhe na u vështirësua ngarja e makinës.

Ata e panë shumë mirë, që ishte makinë e Ambasadës Amerikane. Plumbat na erdhën nga Presidenca, dhe mua dhe shokun tim na ruajti zoti që shpëtuam në atë situatë. Kur shkuam në Ambasadë thamë që na gjuajtën te gomat, sepse ato u çanë të katërta por kur kam kontrolluar me elektrik vrimat e plumbave ishin edhe në lartësinë e trupit, por ka qenë mrekulli që ne shpëtuam. Për këtë ngjarje normalisht nuk është folur sepse nuk pati pasoja.

Ju që jeni gazetare, mund të kërkoni në arkiva për një kopertinë Izet Haxhinë që thotë: Unë zëri i PD-së dhe brenda në artikull thuhej shprehimisht: “Në orën 12 të natës, sepse aq ka qenë ora e saktë, kaloi makina e atasheut ushtarak sepse e njihnin. Thuhet që i bënë shenjë të ndalonte, por ajo nuk ndaloi, ne qëlluam drejt saj por ajo ishte e blinduar dhe u largua në drejtim të Ambasadës. Makina ishte e butë se viletë ushtrie. Të nesërmen atasheu dhe personat që ishin brenda u evakuuan në Amerikë”, kështu thuhej në artikull. Pra është folur në shtyp por ngaqë nuk pati shumë pasoja me jetë nuk u bë e madhe. Por unë dhe shoku im jam dëshmitar, sepse ishim të dy në atë makinë. Ai tani është larguar nga puna ka dalë në pension. Kjo ka ndodhur në 1997. Ne ishim të dy në makinë pasi zonjën e lame në hotel dhe të nesërmen kur shkuam ta merrnim kishim makinë tjetër dhe zonja na pyeti direkt se çfarë kishte ndodhur. I treguam situatën dhe na tha se i kishte dëgjuar krismat por nuk e kishte kuptuar që e kishte me ne. Pastaj kur pa makinën ajo dhe vrimat edhe në lartësinë e trupit tha: Unë paskam ikur dhe iu paskam lënë zotin t’ju ruajë. Kjo është një mrekulli që keni shpëtuar, dhe vërtet ishte një mrekulli.

Më e forta është që kur u nisëm ta merrnin këtë zonjën, donte të vinte edhe një çun tjetër me ne, por i thashë boll jemi dy veta sepse situata ishte pasigurtë. E njihja që kalama atë çunin, kishte tre motra dhe ishte çun i vetëm, babai i tij officer. Dhe për siguri i thashë të rrinte edhe sot e kësaj dite më thotë, që jetën e kam prej teje. Prefektura më pas na pajisi me leje për të lëvizur lirisht. Në Presidencë nuk ka tha njeri ndalo, ishte një justifikim.Ne ishim në punë, duke punuar. Ne qëndruam brenda në Ambasadë. Kolegu ynë që ishte ndaluar më herët tha se e kishin pyetur ku punonte dhe i kishte thënë se punonte në Ambasadën Amerikane. Këtë e thashë për apel të atyre që i mbrojnë njerëzit me armë. Eskorta e Berishës ka pasur oficerë karriere. Ndërsa tani i kanë të gjithë armët në dorë. Agjentët specialë amerikanë që na trajnuan për armë kishin një rregull: arma është e mbushur. Dhe rregulli kryesor i tyre është të jesh 100% i sigurt.

Kur ka ardhur ambasadorja Lino dhe ka parë makinën me vrima na pyeti nëse kishim njoftuar policinë. Unë i tregova se policia ishte shpërbërë. Unë nuk u ngarkova pasi nuk doja më tej të hapja konflikt. Sot e them për herë të parë në media këtë. Arma merr jetë nuk jep, prandaj duhet pasur kujdes kujt i jepet arma në dorë.”, u shpreh ai në Dritare TV.

Back to top button