Sulmohet me armë patrulla e KFOR-it në veri/ Serbët akuza mediave: Po tensiononi situatën…

Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka konfirmuar se ka pasur të shtëna me armë zjarri në afërsi të patrullës së tij në Zubin Potok.
KFOR në një përgjigje ka bërë të ditur se nuk ka të lënduar.
“Mund t’ju konfirmojmë se para disa orësh një patrullë e KFOR-it, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër. S’ka të lënduar dhe as dëme materiale. Jemi duke i kryer hetimet dhe sapo ato të përfundojnë do të njoftoheni”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Ndërsa të dielën është raportuar për të shtëna në Zubin Potok edhe nga disa medie serbe.
Derisa KFOR ka konfirmuar se ka pasur të shtëna në afërsi të patrullës së tij në Zubin Potok, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq ka mohuar një gjë të tillë.
Ndërkohë, ndryshe nga KFOR-i pala serbe mohon ngjarjen duke pretenduar se të gjitha janë një skenar i Kosovës, për të tensionuar situatën.
“Sipas informacioneve të KFOR-it dhe Shtabit të Krizave, do të mohoja pretendimet e mediave shqiptare se në Zubin Potok ka ndodhur një sulm ndaj KFOR-it. Ky informacion është vetëm një tjetër në serinë që Prishtina, si pjesë e luftës hibride, po e përdor për të ngrohur më tej situatën dhe për ta tërhequr KFOR-in në synimet e tyre”, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç.