Avokati: Agron Neza hynte në zyrën e Saliut sa herë i donte qejfi, sot Berisha thotë që nuk e njeh

Avokati Idajet Beqiri thotë se Agron Neza i cili sipas një aktakuze të drejtësisë amerikane, dyshohet se i ka dhënë 225 mijë dollarë ish-agjentit të FBI-së, Charles MsGonigal, ka hyrë disa herë në zyrën e ish-kryeministrit, Sali Berisha.

Beqiri u shpreh se Berisha ka njohje me Nezën, pavarësisht faktit që sot ai e mohon diçka të tillë.

“Kush i ka dhënë paratë? Kush është Agron Neza? Pse keni frikë nga biografia, se iu del kushëri i parë i Besnik Mustafajt? Se iu del miku më i ngushtë dhe njeriu më iu afërt i Azem Hajdarit?

Futej në zyrën e Saliut ky Agron Neza sa herë i donte qejfi atij dhe sot Saliu thotë nuk e njoh. Nuk e njeh Saliu vëllanë e Agron Nezës? Çfarë po flisni kështu?”, theksoi ai.

Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë arrestimit të ish-zyrtarit të lartë të kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal.

Ndaj McGonigal janë ngritur akuza për shkak se ndihmoi një oligark rus, duke shkelur sanksionet amerikane. Ai bashkëpunoi me një ish-diplomat sovjetik, që punonte si përkthyes për miliaderin rus Oleg Deripaska.

Departamenti i Drejtësisë thotë se ai fshehu nga FBI-ja detajet e një udhëtimi që bëri në Shqipëri në vitin 2017, së bashku me një ish-zyrtar të shërbimeve shqiptare të zbulimit, i cili i kishte dhënë 225 mijë dollarë.

Back to top button