Korrupsion gjatë luftës/ Japin dorëheqjen disa zyrtarë në Ukrainë, mes tyre zv.ministri i Mbrojtjes

Zëvendës shefi i kabinetit të Presidentit të Ukrainës dha dorëheqjen të martën pasi Presidenti Volodymyr Zelensky premtoi një ristrukturim drastik të stafit të tij pas dyshimeve për korrupsion të nivelit të lartë gjatë luftës në Ukrainë.

Kyrylo Tymoshenko kërkoi lirimin nga detyra, sipas një dekreti që ai postoi në rrjetet sociale, i cili ishte firmosur nga Presidenti Zelensky.

As Tymoshenko dhe as zyra e Presidentit nuk dhanë arsyet e dorëheqjes.

Dorëheqjen e dha edhe zëvendës ministri i Mbrojtjes, Viacheslav Shapovalov, një akt që sipas mediave lokale lidhet me përfshirjen në skandalin për blerjen e ushqimeve për forcat e armatosura të Ukrainës. Edhe zëvendës prokurori i përgjithshëm Oleksiy Symonenko paraqiti dorëheqjen.

Presidenti i Ukrainës Zelensky ka premtuar ndryshime në kabinetin qeveritar, administratën lokale dhe forcat e sigurisë pas akuzave për korrupsion pas fillimit të sulmit të forcave ruse në Ukrainë.

Zëvendës shefi i kabinetit të Presidentit të Ukrainës, Kyrylo Timoshenko u hetua gjatë vitit të shkuar për përdorimin personal të makinave zyrtare luksoze.

Ai ishte mes zyrtarëve të akuzuar për shpërdorim të ndihmës humanitare me vlerë prej 7 milionë dollarësh që ishte caktuar për rajonin e Zaporizhzhias. Timoshenko ka hedhur poshtë çdo akuzë.

Back to top button