Rriten tensionet/ Biden paralajmëron Putin: Rusia duhet të ndryshojë regjim! Kremlini reagon: Këtë s’e vendos ti, por qytetarët tanë

Presidenti rus Vladimir Putin nuk duhet të qëndrojë më në pushtet dhe lufta e tij kundër Ukrainës ka qenë një dështim strategjik për Moskën, tha të shtunën Presidenti amerikan Joe Biden para një turme njerëzish të mbledhur në Varshavë.

Presidenti Biden shtoi se lufta e Rusisë në Ukrainë, që tashmë ka hyrë në muajin të dytë të saj, ka bashkuar edhe më shumë Perëndimin. Më herët Presidenti amerikan garantoi Poloninë se Shtetet e Bashkuara do të mbronin çdo pëllëmbë të NATO-s në rast të një sulmi nga Rusia.

Gjatë një takimi me Presidentin polak Andrzej Duda ai tha se Varshava po mbante barrën më të madhe të krizës së refugjatëve të krijuar nga lufta në Ukrainë, një vend fqinj me të. “Stabiliteti në Evropë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, për sa i përket interesave tona jo vetëm në Evropë por në mbarë botën”, tha Presidenti Biden gjatë takimit me homologun e tij polak në prani të delegacioneve respektive.

Zoti Biden tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë nenin 5 të Traktatit të NATO-s si një angazhim të shenjtë duke shtuar se uniteti i aleancës ushtarake perëndimore ishte i një rëndësie të madhe. Neni 5, nënvizon një parim unik dhe të qëndrueshëm që lidh anëtarët e aleancës së bashku, duke i angazhuar ata të mbrojnë njëri-tjetrin. Presidenti amerikan i tha homologut të tij polak se ai e kuptonte që Polonia po merrte përsipër një përgjegjësi të madhe, por kjo sikurse tha ai, duhet të jetë e gjitha përgjegjësi e NATO-s. Presidenti amerikan tha se ishte i bindur se Vladimir Putin po bënte llogari për të përçarë NATO, gjë që nuk ka qenë në gjendje ta bëjë, pasi siç theksoi ai: “Aleanca ka qëndruar e gjitha bashkë”.

Duke i bërë jehonë një prej motoje jozyrtare të Polonisë presidenti amerikan i tha zotit Duda se: “Liria juaj është liria jonë”. Presidenti Biden u takua sot edhe me refugjatë të Ukrainës të cilës po qëndrojnë në Poloni. Që nga fillimi i luftës më shumë se 3.7 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe mbi 2 milionë prej tyre ndodhen në Poloni.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kremlinit. Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov është shprehur se për regjimin në Rusi vendosin qytetarët e vendit dhe jo Joe Biden.

“Për hir të Zotit, ky burrë nuk mund të qëndrojë më në pushtet,” tha Biden ndërsa mbyllte fjalimin e tij në Kështjellën Mbretërore në Varshavë.

Kjo ishte deklarata më e fortë që Biden ka bërë sa i përket ndryshimit të regjimit në Rusi dhe kjo pasqyron një ndryshim të rëndësishëm edhe në qasjen amerikane ndaj Moskës, shkruan CNN. Zyrtarët amerikanë janë shprehur më herët se largimi i Putinit nga pushteti nuk ishte qëllimi i tyre.

“Për ne, nuk ka të bëjë me ndryshimin e regjimit. Populli rus duhet të vendosë se kush dëshiron t’i udhëheqë,” tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken në fillim të këtij muaji.

Biden gjithashtu ka paralajmëruar homologun e tij rus duke thënë: “Mos e mendoni të lëvizni asnjë centimetër në territorin e NATO-s. Forcat amerikane nuk janë në Evropë, për t’u përfshirë në konflikt me forcat ruse, ato janë këtu për të mbrojtur aleatët”.

Për Presidentin e SHBA, populli rus nuk janë armik dhe shtoi se nuk e mendon që ata mbështesin vrasjen e fëmijëve dhe gjyshërve të pafajshëm.

“Unë gjithmonë ju kam folur drejtpërdrejt dhe sinqerisht juve, popullit rus, më lejoni ta them këtë nëse jeni në gjendje të dëgjoni: Ju, populli rus nuk jeni armiku ynë. Unë refuzoj të besoj se ju mirëprisni vrasjen e fëmijëve dhe gjyshërve të pafajshëm ose se pranoni spitalet, shkollat, repartet e maternitetit – për hir të Zotit – të goditen me raketa dhe bomba ruse, “tha Biden.

Biden tha gjithashtu se veprimet e Putinit në Ukrainë nuk janë “veprime të një kombi të madh” dhe u bëri thirrje rusëve që ishin gjallë gjatë Bashkimit Sovjetik dhe dëgjuan për këtë nga familjet e tyre të flasin. “Këto nuk janë kujtime të së kaluarës,” tha Biden. “Kjo është pikërisht ajo që ushtria ruse po bën në Ukrainë tani. Ky nuk është ai që jeni. Kjo nuk është e ardhmja që meritoni për familjet dhe fëmijët tuaj. Unë po ju them të vërtetën. Kjo luftë nuk është e denjë për ju, populli rus”, tha Biden.

Back to top button