“Berisha të tërhiqet”, Kapllanaj i PD: Kam bindjen se do ta fitoj bashkinë e Mallakastrës

Agron Kapllanaj, kandidati i grupimit të Partisë Demokratike që mbështet Enkelejd Alibeajn, është shprehur i bindur se do ta fitojë bashkinë e Mallakastrës në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Në një intervistë për Euronews Albania, Kapllanaj u shpreh se Sali Berisha duhet të tërheqë kandidatin nga Mallakastra dhe të reflektojë në mënyrë që PD-ja të dalë me një kandidat të përbashkët për çdo bashki.
“Gjatë kësaj periudhe që kam qenë më afër tyre, kjo bindje më është thelluar akoma sepse e kam parë te ta, optimizmin. Më shumë sesa unë, janë ata optimistë për fitoren time në 14 maj. Sigurisht, fitorja është e sigurt më 14 maj. Është e vërtetë që këtu, zoti Berisha apo grupi i rithemelimit ka nxjerrë një kandidat mallakastriot.
Nuk e di kush është arsyeja pse ky kandidat e ka marrë përsipër kur e di që këtu nuk fiton dhe e di se kush është kandidati fitues i opozitës.
Absolutisht nuk e kam fare të vështirë. Nëse ka vullnet për t’u bërë, qoftë nga deputeti politik, në këtë rast zoti Berisha i cili e ka kundërshtuar dhe duhet të reflektojë për të dalë me një kandidat”, theksoi ai.