Del në ‘skenë’ “vlonjati”/ Polici që ndihmoi autorët e vrasjes së Brilant Martinajt, punonjës i Komisariatit të Kurbinit

Atentati i trefishtë i ndodhur mesditën e 17 korrikut në mbikalimin e Fushë-Krujës vazhdon të mbetet mister. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 7 muaj ende nuk ka informacione të sakta rreth autorëve që vranë Brilant Martinaj, Diklen Vatën dhe Besmir Hoxhën.

Pak ditë më parë u njoftua se një efektiv policie ka ndihmuar autorët që të largohen nga vendi i ngjarjes menjëherë pas atentatit por jo vetëm. Efektivi i policisë ka ndihmuar agresorët të çajnë vetë rrethimin e policisë, por edhe stërvitur ata para atentatit për të mos lënë asnjë provë gjatë “punës”.

Ky efektiv policie është punonjës i komisariatit e Kurbinit, që ka varësi direkt nga Drejtoria e Policisë Qarkut Lezhë. Pavarësisht ndihmës që iu ka dhënë autorëve para atentatit, duke i fshehur në shtëpinë e tij, por edhe pas duke i larguar nga vendngjarja, efektivi vazhdon të jetë ende në krye të detyrës. Ai ka arritur të kuptojë se është në përgjim nga kolegët e tij dhe ka arritur të dalë “i pastër” nga hetimet.

Ndërkohë, Prokuroria e Krujës ka dyshime të forta se në këtë ngjarje, ka marrë pjesë dhe një person me origjinë nga Vlora, i cili dyshohet të jetë njeriu, që ka qëlluar me automatik plot 91 plumba në drejtim të tre viktimave. Këto dyshime kanë lindur, pas disa bisedave të përgjuara nga grupi i hetimit, të cilët menjëherë pas ngjarjes janë vënë në përgjim, si persona të dyshuar. Nga përgjimet është zbuluar se dy personat komunikojnë mes njëri-tjetrin për mbëritjen në zonë të një personi nga Vlora, duke ju referuar shkurtimisht si vlonjati.

Back to top button