Fluksi turistik 2023 dhe pyetja një milionë dollarëshe: a e meritojmë?
NGA FLORA XHEMANI BABA
Turizmi i këtij viti për Shqipërinë ka shënuar e vazhdon të thyejë rekorde në të gjitha drejtimet; në numër vizitorësh, në pritshmëri, në të ardhura, në çmime, në kohëzgjatje, në shtrirje gjeografike, në shfrytëzim kapacitetesh deri në pikën e fundit, në zgjatje të mëtejshme të kilometrave të trafikut dhe në gjithçka tjetër që shënon karakteristikat e një sezoni turistik.
Nëse do të shpreheshim me gjuhën e popullit, kazani është mbushur plot e përplot dhe po derdhet me gurgullimë. Në këto ditë gushti praktikisht nuk ka asnjë dhomë shtëpie të lirë (hoteli jo e jo) në asnjë qytet turistik, madje ka një mbushje të kapaciteteve edhe në zonat më të pamenduara si turistike. Prej dy muajsh nuk mund të prenotoje dhoma në hotelet e çdo kategorie, sepse gjithçka ishte rezervuar më parë.
Rrugët janë plot me turistë, qendrat e qyteteve turistike por edhe Tirana që zakonisht verës “braktiset”, gëlojnë edhe në orët e pikut të vapës si Kulla e Babilonit nga “turmat” shumëgjuhëshe. Në shëtitoret e qyteteve bregdetare si Saranda, Vlora, Durrësi, Golemi, Shëngjini a Velipoja, nuk ke ku të hedhësh mollën.
Gjithë panorama është optimiste dhe në këtë pikë askush nuk ka kundërshtim se turizmi në Shqipëri po jeton ditët veta më të mira. Këtë e pohojnë pa hezitim edhe OBT, mediat e huaja me artikuj të shumtë e pa diskutim e plot lumturi, edhe qeveria.
Tani le të ulemi të mendojmë për një çast.
I sollëm. Në njëmijë e një mënyra të ndryshme, me reklamë, promocion, propagandë, konferenca, samite, artikuj me pagesë e pa pagesë, panaire kombëtare e ndërkombetare e gjithçka tjetër.
A na duhen kaq shumë? A mund t`i mbajmë? Si do t`i mbajmë?
Çfarë mund të bëjmë në këto kushte kur i kemi te dera dhe nuk bëhet më fjalë vetëm për zgjidhje me investime që japin efekte disa vjet më vonë?
Pavarësisht pamjaftueshmërisë së kapaciteteve pritëse, ankesave të përgjithshme për nivelin e çmimeve nga turistët shqiptarë, për shërbim që çalon pothuajse në çdo sektor për shkak të mungesës së stafit të kualifikuar, duket qartë që nuk është sektori privat ai që i ka problemet më të mëdha.
Transporti publik, plazhet publike e në përgjithësi pjesa më e madhe e shërbimeve që i takojnë sektorit publik, çalojnë thekshëm dhe me rritjen e fluksit, kontrasti është shumë i thellë.
Turmat e mëdha të turistëve që presin me orë nëpër stacionet e Ksamilit e Sarandës urbanin që nuk vjen, të tjerë të hutuar në kërkim të një stacioni ndërqytetës a ndonjë tabele oraresh, habia për trenin që nuk ekziston, fytyrat si pikëçuditëse kur mësojnë se qyteti nuk ka banjo publike por duhet të “blesh një ujë” diku në një lokal për të përdorur tualetin, janë vetëm maja e ajsbergut të malit të madh të problemeve që ka nxjerrë në dritë rritja e fluksit.
Njëjtë si në natën e ndeshjes Roma-Feindord, kur gjithë kryeqyteti u detyrua të mbyllej brenda për t`i lënë rrugët turistëve, edhe tani, duhet të rrimë të gjithë në shtëpi, për të hapur vend për këtë fluks të jashtëzakonshëm.
Edhe pse një fluks i tillë është i vështirë të menaxhohet nga vende edhe më të zhvilluara se ne në turizëm, me vullnetin e mirë të qeverisë dhe ca politika “të shpejta” një pjesë e mirë e këtyre problemeve mund të zgjidheshin.
Derisa të ndërtohet Koridori i Kaltër që do t`i bjerë Adritikut e Jonit kryq e tërthor, kompanitë private me mbështetjen e qeverisë, mund rrisnin numrin e autobusëve qytetës e ndërqytetës gjatë sezonit veror, gjë që do të reduktonte ndjeshëm trafikun e makinave të vogla.
Ndërtimi i banjove publike nëpër qytetet ku është rritur ndjeshëm fluksi turistik, nuk do të ishte gjë tjetër veçse larja e një turpi të pakuptueshëm publik. E cili ndërtues nuk do t`i nxirrte nga duart për dy javë me PPP?
Plazhet private aq të diskutuara, mund të zhdukeshin me një të rënë të lapsit, duke lënë vetëm “njolla ekskluzive” e do të bënin të lumtur shumë pushues, nëse qeveria nuk do të vilte taksa të majme nga ngastrat në të gjithë vijën bregdetare. Por a nuk është më e rëndësishme atmosfera e përgjithshme se sa ato miliona euro që do të hynin ndryshe në ekonomi?
E kështu mund të vazhdohet pa fund me “zgjidhje të vogla”, të cilat, bashkë me investimet strategjike që nuk mungojnë, do t`i jepnin sezonit turistik shqiptar pamjen që meritonte; atë të një kaosi të bukur turistik në pikun e një sezoni të suksesshëm.