Shqipërisë i duhen 1.2 mld dollarë ushqime këtë vit, s’ka prodhim mjaftueshëm për turistët
Shqipërisë i duhen 1.2 miliardë dollarë ushqime këtë vit. Përllogaritjet janë bërë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bazuar te pritshmëritë për 14 milionë turistë. Kjo shifër është 220 milionë dollarë apo 24.4 për qind më e lartë se vitin e shkuar gjatë së cilit vendin e vizituan 10.5 milionë të huaj.
Turistët duan prodhime shqiptare, po sa mundet bujqësia jonë të ushqejë turistët e huaj? “Kapacitetet janë, por nuk janë mundësitë. Çfarë do të thotë kjo? “Ne nuk jemi kompetitive. Në gjithë shtetet e botës, bujqësia subvencionohet, Ku më shumë e ku më pak, por gjithmonë më shumë se sa Shqipëria”, shpjegon Theodhor Kristuli, kryetar i Unionit Agroushqimor.
Turizmi është një shans i mirë për bujqësinë, vlerësojnë njohës të sektorit. Por me zhvillimet aktuale në bujqësi, veçanërisht ato në drejtim të financimit, më shumë se sa prodhimi vendas, të gjitha gjasat sinjalizojnë për zgjerim të importeve.
“Duke parë edhe pjesën e turizmit që po na rritet goxha, do të ishte një gjë e mirë për ne sikur të ktheheshin pak sytë te bujqësia. Do ndihmonte ekonominë, fermerët, pra të gjithë ne”, tha Kristuli.
Sikur të mos mjaftonte prodhimi i dobët vendas, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit iu përgjigj flukseve në rritje të turistëve, duke hequr sërish nga skema kultivimin e grurit.
Rritja e kërkesës për konsum nga të huaj, për shkak të prodhimit të dobët vendas po ushtron presion mbi çmimet e produkteve. Kryesisht bulmeti, por edhe zarzavatet e prodhuara në vend u shtrenjtuar mesatarisht me 15 për qind vetëm gjatë vitit të shkuar.