Kërcënimi rus përshpejton integrimin, “La Repubblica”: Shqipëria përfiton nga marrëdhënia Rama-Meloni

Kërcënimi rus për Bashkimin Europian ka shtyrë këtë të fundit drejt një përshpejtimi të procesit të integrimit të vendeve kandidate. Itaiania “La Repubblica” citon raportin e fundit të Komisionit Europian për zgjerimin, i cili thekson “interesin strategjik” për shtimin me anëtarë të rinj, të cilët do t’i japin peshë më të madhe gjeopolitike dhe ndikim në skenën globale Bashkimit Europian.

Në analizën e saj, media italiane thekson se BE po projekton një integrim të pjesshëm dhe gradual të anëtarëve te rinj, përfshi këtu vendet e Ballkanit Perëndimor.

“La Repubblica” vlerëson në artikullin e saj se në çfarë pike gjendet secili vend në rrugën drejt integrimit:

“Shqipëria aplikoi për anëtarësim në prill 2009 dhe iu dha statusi i kandidatit në qershor 2014. Shqipëria mund të përfitojë nga marrëdhënia e shkëlqyer mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, me të cilën ka nënshkruar së fundmi një marrëveshje për qendrat e pritjes dhe riatdhesimin e emigrantëve”.

Rruga e Serbisë në BE është e mbushur me pengesa, për shkak të mungesës së progresit në marrëdhëniet me Kosovën, por edhe miqësisë së ngushtë me liderin rus Vladimir Putin:

“Rruga e Serbisë, kandidate që nga marsi i vitit 2012, mbetet e mbushur me pengesa, për shkak të mungesës së progresit në marrëdhëniet me Kosovën. Por, gjithashtu edhe për miqësinë shumë të ngushtë me Rusinë e Putinit. Serbia paraqitet një kandidate potenciale për zgjerim”.

Bosnje-Hercegovina është vendi më problematik në Ballkanin Perëndimor, për shkak të ambicieve të liderit të Republikës Srpska, Milorad Dodik për bashkimin me Serbinë. Megjithatë, Bosnja e ka marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2022. Më e qartë është rruga për Maqedoninë e Veriut”, thotë media italiane, e cila pas zgjidhjes se problemit të emrit me Greqinë dhe heqjes së vetos bullgare, synon një integrim më të shpejtë.

Back to top button