“Perlë, mos e humbni, vitin tjetër mund të jetë vonë”! The Telegraph, shkrim për Shqipërinë, nga jugu në veri, ja çfarë sugjeron

Prestigjozja angleze The Telegraph i ka kushtuar një tjetër artikull të gjatë Shqipërisë duke këshilluar hapur lexuesit e saj të “braktisin” Greqinë dhe Malin e Zi këtë verë dhe të zbulojnë “sa nuk është vonë, perlën e Ballkanit”, siç e quan media në fjalë vendin tonë.

“Ka shumë mundësi që të keni qenë në Greqi. Mund të keni menduar edhe për dashurinë e momentit në Adriatik, Malin e Zi, për pushimet tuaja të kësaj vere. Por për ata që me të vërtetë kërkojnë të ecin përpara, zgjidhni Shqipërinë e bukur, perlën e pazbuluar të Ballkanit” – nis artikulli që më pas numëron me foto mahnitëse destinacionet shqiptare nga jugu detar në alpet e veriut.

Gazeta rendit plazhet e jugut duke nënvizuar se aty janë disa nga “ujërat më blu” të Europës, pastaj shkon te vjetërsia e gurtë e Beratit dhe Gjirokastrës, më pas në alpinizmin verior, pa harruar ushqimin dhe jetën e natës në Tiranë.

Gazeta thotë se duhet nxituar për të shkuar në Shqipëri pasi fama e lartë që po përhapet në botë, shumë shpejt mund ta kthej në një vend me fluks të lartë turistik, ku jo të gjithë do kenë mundësinë e çmimeve të tanishme.

Një vend të veçantë artikulli i ka dhënë lumenjve Vjosë dhe Osum dhe sporteve ujore në to, të cilat tashmë janë me famë ndërkombëtare.

Ndiq ujëvarat në kanionin e Osumit dhe lumin Vjosë” – sugjeron The Telegraph dhe shton:

“Shqipëria është një parajsë për kërkuesit e emocioneve, veçanërisht kur bëhet fjalë për aktivitetet ujore. Përtej sporteve ujore të disponueshme në plazhet e pacënuara që dalloojnë Rivierën Shqiptare, ju mund të futeni në brendësi të vendit. Kjo do të thotë ecje në lumë ose rafting në kanionin e Osumit – një grykë e thellë lumi prej 16 miljesh, e mbushur me ujëvara. Dhe gjithashtu, kajak në lumin Vjosa, i quajtur lumi i fundit vërtet i egër i Evropës”.

Gazeta më pas jep kohën më të përshtatshme për turizmin në Vjosë dhe Osum si dhe sugjeron këshillimin me platformën muchbetteradventures.com, ku aktualisht rafting në Osumin e Shqipërisë drejtuar nga Zamo Spathara dhe ekipi i tij i famshëm renditet i dyti në botë për aventurën më të popullarizuar të momentit.

“Dhe nëse do të eksploronit më shpejt shtratin e lumit Osum në këmbë sesa me varkë? Vizitojeni në sezonin e thatë midis korrikut dhe tetorit. Shijoni argëtim me oktavë të lartë” – shkruan The Telegraph.

Artikulli në origjinal mund të lexohet duke klikuar KËTU

Back to top button