Vuçiç shkarkon kreun e bashkisë së Preshevës, Arifi: Shkaktarë edhe shqipfolësit serbofilë…

Shqiprim Arifi, të shtunën, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ka njoftuar se është shkarkuar nga posti i kryetarit të Komunës (Bashkisë) së Preshevës.

Ky shkarkim, sipas tij, ka ardhur në mënyrë arbitrare dhe duke mos u ndjekur asnjë procedurë ligjore.

Sipas Arifit, prapa shkarkimit të tij qëndron Qeveria aktuale e Serbisë.

“Dje në mesnatë, pushteti autoritar i Beogradit, në mënyrë arbitrare dhe duke mos ndjekur asnjë procedurë ligjore, si dhe pa asnjë njoftim zyrtar, regjimi serb dhe antishqiptar duke vazhduar traditën e Millosheviqit të viteve të 90ta, në mënyrë të dhunshme më shkarkoi nga posti i Kryetarit të Komunës së Preshevës”.

Arifi në një postim të gjatë në Facebook ka pretenduar se shkarkimi i tij nuk do të mund të realizohej pa ndihmën e, sipas tij, “të shqipfolësve serbofil”, siç janë deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ish – kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa e këshilltarja politike e kryeministrit të Kosovës, Ardita Sinani.

“Kjo klasë politike bashkëpunuese besnik të regjimit serb me dekada, janë bërë vegël e lehtë për Vuçiç-in dhe Serbinë për të realizuar agjendën e tij antishqiptare në Luginë të Preshevës”.

Arifi ndër të tjera ka njoftuar se Qeveria serbe, pas shkarkimit të tij ka emëruar një organ të përkohshëm në Komunën e Preshevës deri në zgjedhjet e ardhshme.

Ky organ i përkohshëm, sipas Arifit, do të udhëhiqet nga Ragmi Mustafa.

“Shkarkimi i dhunshëm i imi, mesnatën e mbrëmshme, pa asnjë procedurë ligjore dhe asnjë njoftim, ndodh menjëherë pas kërcënimit të fundit publik të Vuçiçit në këtë javë dhe 24 orë pasi u dënova nga Gjykata serbe për vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar më 28 Nëntor”.

Prandaj edhe kryetari i organit të dhunshëm që u vendos në mesnatën e djeshme nga Vucic, është Ragmi Mustafa i cili para 1 dekade i ka dhuruar pikërisht Vucicit “ZAHVALLNICËN – Mirënjohje ” menjëherë pasi e hoqi Vucic lapidarin me emrat e dëshmorëve të UÇPMB-së.

Arifi gjithashtu ka bërë të ditur se për shkarkimin e tij ka njoftuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

“Me këtë shkarkim të dhunshëm nga regjimi serb i jap fund politikës aktive në Luginë të Preshevës, por në anën tjetër dhe njëherë më shumë më ka motivuar që luftën ndaj padrejtësisë, diskriminimit, pasivizimit dhe luftën për të drejta elementare dhe avokimin e të drejtave të popullit tim, për shqiptarët autokton të këtyre trojeve, ta ngriti në një nivel më të lartë”.

, Vuçiç shkarkon kreun e bashkisë së Preshevës, Arifi: Shkaktarë edhe shqipfolësit serbofilë…

Back to top button