Leku i “Ramës”, Leku i “Enverit”, Leku i “Zogut”
Vjet u futën në Shqipëri 10.1 milionë vizitorë me pasaporta të huaja. Këtë vit priten rreth 14 milionë. Ç’heqin të shkretët me çmimet, që diku kuotohen me “lekë të rinj” e diku me “lekë të vjetër”…
Nga Eduard Zaloshnja
Më 1926, kur në krye të vendit ishe Ahmet Zogu, doli në qarkullim paraja e parë shqiptare, e quajtur Lek. Atëherë, 100 lekë shkëmbeheshin me 1 napolon flori.
Më 1964, kur në krye të vendit ishe Enver Hoxha, doli në qarkullim leku i ri, në raport 1:10 me lekun e vjetër.
Tani që kanë kaluar 60 vjet nga koha kur leku i ri zëvendësoi të vjetrin (dhe në krye të vendit është 60-vjeçari Rama), ndoshta ka ardhur dita që një lek fringo i ri të dalë në qarkullim. Dhe kjo jo thjesht për të eliminuar konfuzionin e të huajve/emigrantëve me dyzimin e çuditshëm të lekëve të rinj e të vjetër – arsyeja kryesore për nxjerjen në qarkullim të një leku fringo të ri do të ishte futja e lekëve jashtëbankarë brenda sistemit bankar.
Sipas të dhënave në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë, rreth 40% e të gjithë lekëve që qarkullojnë në ekonominë tonë ndodheshin në fund të vitit 2023 jashtë sistemit bankar. Në këto kushte, emetimi i lekëve fringo të rinj do të ishte një mjet efikas për të futur në banka pjesën dërrmuese të kartmonedhave shqiptare që qarkullojnë jashtë tyre.
Për t’u realizuar ky synim, mund të caktohet një datë, brenda së cilës të gjithë lekët që janë në qarkullim duhet të paraqiten për këmbim me lekët fringo të rinj, sipas një kursi zyrtar – le te themi 1 me 70 (sa ç’është çmimi mesatar i një filxhani kafe).
Për shuma mbi një kufi të caktuar, bankat mund të detyrohen me ligj që të hapin depozita për klientët që sjellin lekët aktualë për shkëmbim. Ndërsa për shuma nën atë kufi, mund të japin lekë fringo të rinj (në qoftë se klienti i do në dorë). Në këtë mënyrë, të gjitha lekët, të pastër e të pistë, nga janë e nga s’janë, do të detyrohen të kalojnë nëpër sistemin bankar. Dhe një pjesë e mirë e tyre, ta do mendja, do të mbesin në të.
A do të justifikohej kostoja e prodhimit të kartomonedhave dhe monedhave të reja, me futjen e lekëve në sistemin bankar? Kësaj pyetje vlen t’i përgjigjen specialistët e Ministrisë së Financave dhe të Bankës së Shqipërisë.
Sa për shqiptatarët e thjeshtë, dhe sidomos për turistët e huaj, varrosja përfundimtare e fjalëve “lekë të rinj” e “lekë të vjetër” do të ishte mëse e mirëpritur…