Sezoni veror në Durrës – E braktisin “besnikët” e Kosovës, por shtohen italianët e gjermanët

Sezoni turistik në Durrës është zgjatur të paktën me një muaj, ndërsa pritet të ketë një numër rekord turistësh të huaj, madje edhe më shumë sesa kapaciteti pritës ofron.

Sipas operatorëve, nga rezervimet e deritanishme vihet re largimi i qytetarëve të Kosovës, të cilët pas liberalizimit te vizave duket se po e “tradhtojnë” bregdetin e tyre të preferuar ndër vite, ndërsa vendin e tyre po e zënë gjermanët dhe italianët.

Paketat turistike kanë pësuar rritje prej afro 10% më shumë gjë që nuk i mbulon kostot që ka rritur rënia e kursit të euros.

Të huajt nuk kane reshtur së vizituari Durrësin përgjatë gjithë vitit gjë që e tregon dhe rritja e numrit të tyre në tre muajt e parë të vitit në statistikat e hyrjeve nëpërmjet Portit të Durrësit që janë rritur me 16% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Operatorët thonë se po punohet kryesisht për hapjen e tregjeve të reja të turizmit me francezët dhe anglezët, me të cilët janë nënshkruar kontratat e para.

Ardhja e tyre do të sjellë një rritje të standardeve në sektorin e turizmit për t’ju përgjigjur kërkesave të vizitorëve nga këto dy vende.

Back to top button