“Brohoras për Serbinë”/ Dritan Abazoviç reagon për herë të parë pas intervistës së bujshme për Euro 2024
Shkoi në Gjermani për të mbështetur Serbinë në Euro 2024? Abazoviç reagon për herë të parë
Mes shumë personazheve të politikës, në Gjermani për të ndjekur nga afër Euro 2024, ishte dhe ish-kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.
Prezenca e tij në Gjermani u zbuluan ë fakt nga mediat serbe, të cilat raportuan se Abazoviç kishte shkuar për të ndjekur ndeshjen mes Anglisë dhe Serbisë, mbrëmjen e djeshme. Sipas mediave nga Beogradi, Abazoviç kishte shkuar për tëm bështetur Serbinë. Ky lajm bëri shumë bujë, duke krijuar reagime të forta të shqiptarëve.
Megjithatë, vetë Abazoviç ka reaguar, duke hedhur poshtë lajmin. Ai ka thënë se është një tifoz i Shqipërisë dhe ndodhet në Gjermani për të mbështetur kombëtaren kuqezi. Ai nënvizoi se deklarata e tij për gazetarët e televizionit shtetëror serb Dushan Albjaniç dhe Predrag Strajiniç është nxjerrë jashtë kontekstit.
Abazoviç theksoi se në intervistën për televizionin serb tha se është tifoz i Shqipërisë, por kur u pyet se kë mbështet në sfidën Angli- Serbi, zgjodhi këta të fundit.
“Jam tifozin e Shqipërisë, unë kam ardhur në Dortmund për të parë Shqipërinë. Gjithashtu e kam shfrytëzuar rastin duke qenë se kemi mbërritur në Gjermani, shkuam dhe në ndeshjen mes Serbisë dhe Anglisë. Në të ardhmen do jemi dhe në një ndeshje mes Kroacisë dhe Italisë. Ashtu sikurse kam ardhur të mbështet Shqipërinë, duke qenë se mbështet një politikë paqësore, kam simpati edhe për skuadra të tjera të rajonit. Këtë moment vetëm Serbia dhe Kroacia janë këtu, por shpresoj në një kampionat tjetër do të jetë Mali i Zi, Bosnja apo Kosova. Ai është qëllimi i asaj deklarate. Për televizionin shtetëror të Serbisë kam thënë se kam ardhur të mbështes Shqipërinë, por gjithashtu kundër Anglisë kam tifozllëk më të fortë ndaj Serbisë. I uroj sukses dhe ekipeve të tjera në këtë kompeticion”, tha ai.
Abazoviç tha se shpreson që Kombëtarja shqiptare të rikuperojë humbjen ndaj Italisë dhe të kualifikohet për më tej në Euro 2024.
“Shqipëria ka treguar se ka marrë një simpati mjaft të madhe jashtë Shqipërisë. Çfarë kemi parë deri tani janë tifozët më të mëdhenj në numër. Shqipëria ka treguar një energji të re, sa i takon lojës ne kemi gjithmonë pritshmëri të madha, por Italia është një kampione bote, me Kroacinë dhe Spanjën ka për të qenë më ndryshe dhe mund të shpresohet që Shqipëria të kaloj në fazën tjetër të kampionatit. Takova shumë njerëz prej trevave të ndryshme, edhe prej Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të zi. Shqipëria ka mbështetje të jashtëzakonshme, ata janë lojtari i 12-të i skuadrës”, tha Abazoviç.
Çfarë deklaroi në televizionin shtetëror serb:
“Do të jem në stadiumin e Gelsenkirchen, duke brohoritur për Serbinë kundër Anglisë. Shpresoj se është koha për befasinë e parë të madhe, edhe një barazim dhe do të ishte rezultat i mrekullueshëm, por pse të mos besoni se Anglia mund të rrëzohet!”