Bursat për të studiuar në SHBA/ Si u krijua skema mashtruese nga drejtoresha dhe mësuesja e gjimnazit “Qemal Stafa”

Disa ditë më parë u zbulua një skemë mashtrimi e quajtur “Let’s Talk Together About US24” e cila pretendonte se ofronte bursa studimi në universitetet e SHBA-së për nxënësit e vendit tonë.

Pas kësaj skeme mësohet se qëndrojnë drejtoresha e gjimnazit “Qemal Stafa” Klotilda Jaupi si dhe mësuesja e anglishtes Valentina Lamaj. Gjithashtu mësohet se Jaupi edhe Lamaj janë vënë nën hetim pasi në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë falsifikuar dokumente, për ofrimin e mundësive/bursave për studentët, për të studiuar në universitetet e SHBA-së.

Alarmin e ngriti Ambasada Amerikane me anë të një reagimi ku shprehej se ky projekt nuk kishte asnjë lidhje me ambasadën apo departamentin e arsimit të SHBA.

Njoftimi nga Ambasada:

Ambasada e SHBA është në dijeni të një të ashtuquajturi projekt të njohur si “Let’s Talk Together About US24.” Ky grup nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA, Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Arsimit të SHBA, programet tona arsimore ose personelin e ambasadës. Shërbimi i Sigurisë Diplomatike i Departamentit të Shtetit të SHBA do të vazhdojë të punojë me Policinë e Shtetit teksa ajo heton përmasat e kësaj skeme mashtruese. U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të jenë të kujdesshëm ndaj mashtrimeve që garantojnë udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara, si dhe viza amerikane pa pagesë ose me kosto të ulët. Gjithashtu, i bëjmë thirrje kujtdo që të kontaktojë Ambasadën e SHBA nëse dyshon se ndonjë person ose organizatë përpiqet të paraqesë veten në mënyrë të gënjeshtërt si të lidhur me ambasadën.

Back to top button