Gati për luftë?! Stoltenberg: NATO në bisedime për t’i vënë armët bërthamore në gjendje gatishmërie

NATO-ja është angazhuar në bisedime për të vendosur më shumë armë bërthamore në gjendje gatishmërie, duke i zhvendosur ato nga depot, përballë kërcënimeve në rritje nga Rusia dhe Kina, deklaroi të hënën shefi i aleancës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i tha gazetës së përditshme britanike “The Telegraph” se shtete anëtare po diskutojnë me njëra tjetrën idenë për të përdorur transparencën rreth arsenalit bërthamor të aleancës si hap parandalues.

“Nuk do të flas për detaje operacionale se sa koka të armëve bërthamore duhej të ishin operacionale dhe se cila duhet të mbahen në depo, por duhet të konsultohemi rreth këtyre çështjeve. Dhe saktësisht këtë po bëjmë. Transparenca na ndihmon të komunikojmë mesazhin e drejtpërdrejtë që ne jemi, natyrisht, një aleancë bërthamore

Qëllimi i NATO-s, natyrisht, është një botë pa armë bërthamore, por përderisa armët bërthamore ekzistojnë, ne do të vazhdojmë të mbesim aleancë bërthamore, ngase në një botë ku Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut kanë armë bërthamore, dhe NATO-ja nuk ka, ajo botë do të jetë botë më e rrezikshme.”- tha ai.

Javën e kaluar Sekretari Stoltenberg tha se armët bërthamore ishin “garancia kryesore e sigurisë” së NATO-s dhe mjet për të ruajtur paqen.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se “kjo nuk është asgjë tjetër pos një përshkallëzim tjetër tensioni”.

Më vonë Stoltenberg tha se Rusia po përpiqet të krijojë huti dhe se komentet e tij i referohen modernizimit të arsenalit parandalues bërthamor të NATO-s, përfshirë zëvendësimin e avionëve luftarakë F-16 me F-35 dhe modernizimin e armëve në Evropë, gjëra, që sipas tij, janë bërë të ditura tash sa kohë.

“Rusia gjithnjë përpiqet të krijojë situata për ta fajësuar NATO-n, por realiteti është që NATO-ja është transparente”, u tha ai gazetarëve në Uashington.

Gjatë qëndrimit në Uashington të hënën, Sekretari Stoltenberg tha te mbi 20 shtete anëtare të NATO-s kanë përmbushur objektivat e aleancës ushtarake perëndimore për shpenzime ushtarake këtë vit, një rekord ndërkohë që lufta e Rusisë në Ukrainë po rrit kërcënimin për një zgjerim të konfliktit në Evropë.

Kjo shifër paraqet një rritje prej katërfish të numrit të shteteve anëtare të NATO-s që po përmbushin obligimet e tyre rreth shpenzimeve ushtarake krahasuar me vitin 2021. Atë vit, para se Presidenti rus Vladimir Putin të sulmonte Ukrainën, vetëm gjashtë anëtare të NATO-s kishin përmbushur atë objektiv.

“Evropianët po bëjnë më shumë për sigurinë e tyre kolektive se para disa vitesh,” tha zoti Stoltenberg gjatë një fjalimi në Qendrën ‘Wilson’ para se të takonte Presidentin amerikan Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Anëtarët e NATO-s ranë dakord vitin e kaluar të shpenzojnë të paktën 2 për qind të bruto prodhimit të tyre vendor për mbrojtjen. Kjo rritje në shpenzimet për mbrojtjen është reflektim i shqetësimeve rreth luftës në Ukrainë.

Back to top button