I mori 100 mijë euro biznesmenit duke u shtirur si Taulant Balla, pranga supermashtruesit, po ikte nga …

Mashtroi biznesmenin dhe i mori 100 mijë € duke u hequr si Taulant Balla, në pranga Argen Hoxha. Biznesmeni i mashtruar është Flamur Rrushi, ndërkohë që banda e të cilës ai ka rënë pre dyshohet se drejtohet nga i shumëkërkuari Florian Gjergji. Mashtrimi i biznesmenit, ka ndodhur rreth një muaj më parë, pasi ishte kontaktuar nga një person, që i ishte paraqitur si Taulant Balla, me të cilin ka pasur njohje familjare dhe i ka kërkuar 100 mijë euro, të cilat ia ka dhënë përmes një taksisti.

“Vihet në pranga një 35-vjeçar, i cili nga hetimet dyshohet se është i implikuar në një rast mashtrimi, të goditur nga Policia, rreth 1 muaj më parë.

Ky shtetas u kap në bashkëpunim me shërbimet e PKK Rinas, në tentativë për t’u larguar nga vendi.

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Elbasan, si rezultat i hetimeve me metoda proaktive, të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, si dhe i koordinimit të punës dhe shkëmbimit të informacionit me shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Rinas, ndaloi në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria, shtetasin e shpallur në kërkim policor, A. H., 35 vjeç, banues në Tiranë.

35-vjeçari dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, më datë 02.05.2024, i kanë marrë nëpërmjet mashtrimit, një shumë parash, administratorit të një biznesi, shtetasit F. Rr..

Vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë autorëve të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Back to top button