Pëllumb Xhufi: Çfarë u tha në mbledhjen sekrete të 1973-shit kur u sëmur Enver Hoxha!

Historiani Pëllumb Xhufi i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV foli për mbledhjen e famshme të 1973-shit, që u mbajt kur ishte sëmurë rëndë Enver Hoxha. Xhufi tregon se çfarë u fol në mbledhjen e Byrosë, për shëndetin e Hoxhës dhe për pasardhësin që do ta pasonte.

“Po ju tregoj një histori që unë e kam dëgjuar nga gojë të besueshme që në 1981-shin, për ngjarjen e 1973-shit kur u sëmur rëndë Enver Hoxha. U mblodh Byroja sepse ishte shumë keq Enver Hoxha. Në mbledhje e mori fjalën Mehmet Shehu, qe i vetmi që kishte të drejtë ta vizitonte Hoxhën, njihte dhe kartelën e tij mjekësore.

Gjatë fjalës së tij Mehmet Shehu thotë: Gjendja është vërtet serioze, por ne kemi thirrur mjekët më të mirë dhe Enveri do ta kalojë këtë vështirësi. Thuhet që mbas tij e mori fjalën Beqir Balluku. Midis tyre ka pasur përplasje. Beqiri kishte marrëdhënie shumë të mira me Hysni Kapon, me Mehmetin nuk i kishte të mira. Dhe Beqiri çohet, thotë që situata me Enverin është e vështirë, por partia ka birin e dashur të saj, krahun e djathtë të shokut Enver. Kur të gjithë prisnin të thoshte Hysni Kapon, ai tha Mehmet Shehu.

Një xhentilesë që Mehmet Shehut nuk i pëlqeu, ndoshta e mori si provokim. Mbas mbledhjes ai shkoi të informojë Enver Hoxhën, në shtëpi. Ai i tregoi çfarë foli Beqir Balluku. Enveri mund të ketë krijuar përshtypjen që asokohe ishin krijuar grupazhe dhe pa ikur ai akoma po diskutohej pasardhësi. Kjo mund të ketë kushtëzuar sjelljen e tij mbasi mori veten nga 1973-shi dhe në vijim.

Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë Mehmet Shehut, edhe pse ishte krahu i djathtë i tij. Mehmet Shehu ishte autoritet i padiskutueshëm. Vetëvrasja e Mehmet Shehut i dha fund sistemit në ‘81-shin, edhe Enver Hoxha nuk e mori më veten. Kështu u tërhoq zvarrë deri në 85-ën. Ramiz Alia nuk kishte ashpërsinë për të marrë vendime si Enver Hoxha dhe kështu ra sistemi”, tha historiani në DritareTV.

Back to top button