Përgjimet e SKY: Kapja e Ibrahim Licit u kthye në makth. I forti i “Shkodrës”: Unë i du në varr, këta k….

Vetëm pak ditë pasi ishte liruar me ndihmën e prokurorit Xhevahir Lita dhe gjyqtarit Sokol Shehu, nga ambientet e paraburgimit Nr.313 në Tiranë, Behar Bajri, nuk ka humbur kohë por i futet punës për të gjetur vendndodhjen e dy kundërshtarëve të tij, Dorian Duli dhe Ibrahim Lici.

Dy emra të botës së krimit, të cilëve Behar Bajri dhe çdo anëtar tjetër i grupit kriminal të tij, ja kanë tmerrësisht frikën.

Të saktë në përdorimin e armës dhe të befasishëm si rrufeja, Duli dhe Ibrahim Lici, ishin kthyer një makth për Behar Bajrin dhe Pëllumb Gjokën.

Për të hequr njëherë e mirë nga qarkullimi këta dy persona, mundësia e vetme ishte vrasja e tyre. Por për gjetjen dhe lokalizimin e Dulit dhe Licit, ishte një sfidë më vete, një mision i pamundur për Beharin, Astmer Bilalin, Pëllumb Gjokën dhe anëtarët e tjerë të grupit.

Por mes shumë informacioneve të koklavitura që mblidhte grupi dhe ja çonte më pas Behar Bajrit, sërish ky i fundit s’kishte gjë të konfirmuar saktë ose në të kundërt e kishte informacionin e vendndodhjes shumë orë me vonesë, duke e bërë të pamundur kapjen dhe goditjen në befasi.

I vetmi rast ku grupi kishte informacion të saktë ishte vendndodhja e Ibrahim Licit, Dorian Dulit dhe Genc Tafilaj në varrimin e Indrit Rrajës në Fushë-Krujë, por nuk guxuan ti godisnin pasi këta ishin me mjete të blinduara dhe të armatosur.

Të ndodhur mes vorbullës së shumë varianteve që ndodheshin mbi tavolinën e grupit kriminal, zgjidhjen më ekstreme për të bërë lokalizimin e Ibrahim Licit në kohë reale, e jep biznesmeni Pëllumb Gjoka, i cili në muajin Korrik 2020 i sugjeron Behar Bajrit, të marrë kontakt me dy oficerë të hetimeve të Krimeve në Shkodër, Arben Marku dhe Pëllumb Shpati.

Ora shkruan se në këtë periudhë Ibrahim Lici, ndodhej në kërkim dhe ndiqej nga Policia e Shtetit, si autor i dyshuar për vrasjen e Astrit dhe Brahim Bilalit, akuza të cilat më pas u pushuar nga prokuroria e qytetit.

Ky rast ndiqej në 2020 nga dy oficerët e krimeve në Shkodër, Arben Marku dhe Pëllumb Shpati. Më pas këtij të fundit, në muajin Janar 2023 ju vendos një sasi e konsiderueshme tritoli në banesën e tij në Shkodër, duke shkaktuar dëme materiale. Kjo ngjarje kriminale vijon të jetë ende e pazbardhur.

Pëllumb Gjoka i propozon në muajin qershor 2020 Behar Bajrit që të marrë kontakt me Pëllumb Shpatin dhe Arben Markun, duke i pohuar si më poshtë:

”…Arben Marku dhe Pëllumb Shpati, kanë majtë përgjimet e ca materialet. Zv/drejtori është në dijeni….se më thanë që Ibrahimi është në Rrjoll…”.

Nga ana tjetër Behari i përgjigjet: “…vëlla, kur të takona flasim nga afër…”.

Pëllumbi ka marrë informacionin se Ibrahim Lici ndodhet në fshatin Rrjoll të Shkodrës, por nuk e dinë se çfarë banese apo hotel, qëndron konkretisht.

Disa ditë pas zhvillimit të kësaj bisede, sërish biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe i forti i “Shkodrës” Behar Bajri, bisedojnë së bashku ku pëllumbi i thotë si më poshtë: “…mos harro at Arben Markun e Pëllumb Shpatin….mos e len mas doret punën e këtyne policëve, me dit ca ka dosja…”.

Ndërsa Behari ja këthen: “…unë i du në vorr, këta k***a, se veç miq nuk i kam, po po… Po rrim, kur të vij unë anej…”.

Në 13 Janar 2023, në lagjen “Dobraç” të Shkodrës aty ku ndodhet dhe banesa e shefit të krimeve të policisë së këtij qyteti, ka shpërthyer një sasi e konsiderueshme tritoli duke sjellë dëmtime të shumta materiale. Sot e kësaj dite kjo ngjarje vijon të jetë e pazbardhur.

Në dëshminë e tij dhënë në polici, oficeri i policisë ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd.

Ndërkohë pas zbardhjes së bisedave në aplikacionin “Sky”, dyshimet e prokurorëve janë se sulmi me tritol ndaj zyrtarit të policisë mund të jetë kryer pikërisht nga anëtarit e grupit “Bajri”.

Shkak i gjithë kësaj situate është mundësia se punonjësit e policisë kanë refuzuar ti përkrahin.

Back to top button