Procesverbali sekret: Përplasjet brenda Sigurimit për fëmijët e Kiço Ngjelës, Vasil Katit dhe Beqir Ballukut

Gjyqi i Kadri Hazbiut ishte një nga proceset më të bujshme të Shqipërisë komuniste. Në përfundim të seancës së 24 të gjyqit, dy të akuzuarit kryesorë, Kadri Hazbiu e Feçor Shehu, përballen me akuza të tjera të rënda, përkatësisht për pushkatimin e dhjetëra njerëzve pa gjyq, si dhe mbrojtjen për interesa të ‘Grupit agjenturor të kryesuar nga Mehmet Shehu, vënë në shërbim të agjenturave të huaja’, të të dënuarve apo të internuarve…

Njëkohësisht, në këtë seancë, nëpërmjet dëshmive në sallë dhe atribuimeve të pjesëtarëve të grupit, jepen detaje si ishin trajtuar femijet e te denuarve Kiço Ngjela e Vasil Kati, apo edhe Beqir Balluku.

Procesverbali sekret i ketij gjyqi eshte publikuar nga gazeta DITA, e cila sjell sot nje pjese nga keto dokumenta:

Seanca e 24

Kryetari(Aranit Çela): -Përveç terrorit, banda juaj akuzohet dhe për krime të tjera… Janë ato vrasjet që keni bërë pa gjyq dhe faljet apo ndihma që u keni dhënë kriminelëve… I pandehur Llambi Peçini…

Llambi: -Në faqen 21 të aktakuzës thuhet: ’Edhe në këtë dokument(është fjala për direktivën e Ministrit të Punëve të Brendshme për kohë lufte) ka zënë vend koncepti armiqësor i Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Mihallaq Ziçishtit e Lambi Peçinit, etj, lidhur me agjenturën masive… Tani, i nderuar kryetar dhe të nderuar gjyqtarë, për sa i përket direktivës së ministrit për kohë lufte, unë nuk di gjë fare… Unë nuk kam qenë fare këtu që të jepja konceptet e mia armiqësore. Për herë të parë unë i kam lexuar direktivat e ministrit më 1976-n kur isha në Vlorë dhe jo në vitin 1975…

Në faqen 103 të aktakuzës thuhet:” Nga provat dhe faktet e grumbulluara nga organet e hetimit janë konkretizuar shumë raste të vrasjeve të tilla të bëra pa gjyq, me urdhër të tradhtarëve Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti e Llambi Peçini. Këtu përmenden, ose siç janë vrasja pa gjyq e pastaj djegia në furrë nga Mihallaq Ziçishti e Galip Hatibit të arrestuar si spiun i amerikanëve, vrasjet e kryera në Pukë, Rrëshen, Krujë, Burrel, Berat etj, në kundërshtim me ligjin dhe për interesat e tyre armiqësore nga këta armiq. Janë mbi 10 të dënuar me vdekje për një kohë prej 13 vjetësh pa u ekzekutuar në burgun e Tiranës!”. Unë nuk e kuptoj pse vihem unë në këtë, çfarë fakti ka, çfarë argumenti ka, që me urdhrin tim është bërë qoftë dhe një vrasje e vetme? Unë them se me urdhrin tim nuk është bërë asnjë vrasje dhe as nuk di unë për këto vrasje dhe për këto mbi 10 persona të dënuar me vdekje që janë mbajtur 13 vjet pa u ekzekutuar në burgun e Tiranës. S’di gjë unë fare, tani në aktakuzë e mora vesh…

Në faqen 17 të aktakuzës thuhet se unë kam kundërshtuar direktivën e Partisë e porositë e shokut Enver Hoxha duke e konsideruar Sigurimin e Shtetit si filial të OKB-së sovjetike, si dikur të OZN-s jugosllave. Aty thuhet se unë jam dërguar në Vlorë me porosi të Mehmet Shehut jo vetëm për të zbatuar detyrat e organizatës agjenturore kundër revolucionare, por dhe për të përkrahur e ndihmuar familjet dhe të afërmit e elementëve të goditur si antiparti dhe të mbante gjallë shpresat(unë Llambi Peçini) tek ata për përmbysjen e gjendjes, detyra të cilat ai i ka zbatuar…”.

Unë në Vlorë kam shkuar me urdhër të Partisë… Nuk kam pasur asnjë detyrë as nga Mehmet Shehu, as nga Kadri Hazbiu për të përkrahur familjet e elementëve të goditur si antiparti e t’u mbaja gjallë shpresat për përmbysjen e regjimit… Unë kam kërkuar të qarkulloj, jo me porosi të Mehmet Shehut siç thotë e pandehura Fiqret Shehu, sikur gjoja Mehmet Shehu i paska thënë asaj se jam dërguar për të ndihmuar ata të implikuarit e ushtrisë, ata gjeneralët… Çfarë implikimesh kisha unë nga ushtria? As nuk jam implikuar fare me procesin e ushtrisë, as nuk jam marrë fare me proceset e hetimit të armiqve puçistë të kryesuar atëherë nga Beqir Balluku…

Akuzohem domethënë se unë qenkam interesuar për punë për Kozara Katin, të bijën e Vasil Katit dhe për Vera Ngjelën, familjet e Kiço Ngjelës. Për Vera Ngjelën, unë e shpjegova dhe në hetuesi. Dhe e kam shpjeguar se unë nuk jam interesuar fare për ta vënë në punë si mjeke, por urdhri i ka ardhur nga kryeministria pse i kishte bërë ajo letër tradhtarit Mehmet Shehu. Dhe, letra i ka ardhur nga kryeministria Komitetit Ekzekutiv të rrethit. Kështu që as dega, asgjë s’ka punë…

Kryetari: -Tani lidhur me këtë, meqë erdhëm tek Vera këtu… Ti ke marrë dijeni lidhur me këtë dëshminë e Abramet Hilës? Pa dëgjoje dhe jepi përgjigje. Ja dëshmia: ”Në vitin 1978, në degën e Punëve të Brendshme të Vlorës, nga Dega e Veçantë, erdhi Nevzat Haznedari dhe Çome Asimaqi. Atë ditë, ata së bashku me Llambi Peçinin thirrën dhe këshilluan Vera Ngjelën, në kundërshtim me normat, pa marrë miratimin e punëtorit operativ dhe përgjegjësit të drejtimit. Pas disa ditësh mua më thirri në zyrë Llambi Peçini dhe më tha të firmosja vendimin e këshillimit, që ishte bërë pas mbledhjes së këshillimit. Në fakt, unë e kisha studiuar dosjen dhe formularë të Vera Ngjelës dhe e dija se ajo zhvillonte agjitacion e propagandë kundër shtetit. Dhe i thashë Llambit që ky këshillim nuk duhet bërë për arsye se ajo është armike dhe gruaja e Kiço Ngjelës. Në këtë rast, Llambi Peçini më tha: ’Këshillimi i Verës u bë se kishte interesa operative dhe Kiço Ngjela ka mbajtur qëndrim të mirë në burg’”. Është e vërtetë kjo?

Lambi Peçini: -Ne e kishim në përpunim Vera Ngjelën dhe ajo zhvillonte agjitacion e propagandë. Erdhën Nevzat Haznedari e Çome Asimaqi për t’i dhënë përgjigjen e një letre që ajo kishte bërë për Mehmet Shehun, a nuk e di se kujt i kishte bërë. Erdhën për t’i dhënë përgjigje. Edhe unë u thashë se si ju i jepni përgjigje kësaj kështu. Ata më thanë: ”Do t’i themi që të ketë kujdes për fëmijët që të ndikojë pozitivisht se Kiço Ngjela ka mbajtur qëndrim të mirë në hetuesi”. Unë u thashë: ”Kini parasysh në përpunim këtë Verën dhe ajo zhvillon agjitacion e propagandë”. Mirë… Erdhi Vera Ngjela pas kësaj që u thashë unë atyre dhe i dhanë përgjigje asaj për letrën që ajo kishte çuar lart. Thashë, se kujt i kishte shkruar, nuk e mbaj mend… Dhe midis të tjerave i thonë Verës edhe këtë: ”Ki kujdes, po të këshillojmë që të mbash qëndrim korrekt sepse Kiço ka mbajtur qëndrim të mirë atje në hetuesi. Prandaj dhe ju duhet të mbani qëndrim të mirë”. Kaq i thanë ata. Nevzati me Çomen thanë që kjo të quhet këshillim. Unë u thashë:”Po mirë, ne e kemi në përpunim atë!?”. ‘Po mirë, le të quhet këshillim, meqë ne ja thamë këtë -shtuan ata…

Kryetari: -Po mirë, si mendon ti, ata do të detyronin ty?

Llambi Peçini: -Mirë, po të gjithë këta nuk do t’i lemë në burg. Bile, kanë marrë dhe një shënim timin që siç kanë thënë ata kështu e kam shënuar unë!! Por unë kam bërë disa shënime në dosjen e Vera Ngjelës, i nderuar kryetar dhe kam kërkuar që të shikohen këto shënime. Pas këtij këshillimi ne e kemi marrë përsëri në 2A në përpunim aktiv Vera Ngjelën. Dhe pas këtij këshillimi, i kemi arrestuar dhe djalin Vera Ngjelës për veprimtari armiqësore…

Kryetari:- Vetë këshillimi që u bë, pra akti, i pandehur Llambi Peçini, unë po të pyes ty, është një akt i drejtë?

Llambi:- Nuk është i drejtë. Por, domethënë, ishte në këto rrethana. Por pas këtij akti, ne si degë e morëm përsëri në përpunim Vera Ngjelën, edhe unë e miratova…

Kryetari: -Tani tjetër problem. Kam këtu një Hetem Shehu këtu, tjetër ky. Është e vërteta kjo që thotë ky, e ka fjalën për shoqen e Vasil Katit. Thotë ai që pas dy muajsh më erdhi në shtëpi gruaja e Vasil Katit e unë i thashë të largohej nga shtëpia. Ajo (gruaja e Vasil Katit), thotë Hetem Shehu, më tha se ishte dërguar nga kryetari i degës Llambi Peçini. Më tej Hetem Shehu thotë: ”Po në këtë ditë unë shkova në degën e brendshme dhe u takova me Llambi Peçinin. Ai më tha se i kam dhënë unë leje të vijë në shtëpinë tënde dhe ajo do të qëndrojë atje një ditë. Nuk ka ndonjë gjë të keqe të vijë në shtëpinë tënde. Përgjegjësinë e mbaj unë dhe për çdo gjë do të bisedoj me Komitetin e Partisë”…

Llambi: -Kam dhënë përgjigje për këtë, i nderuari kryetar…

Kryetari(Aranit Çela): -Është dosja nr. 13, faqe 597…

Llambi: -Aty Fiqret Shehu thotë se unë kam qenë kundër rolit udhëheqës të Partisë dhe në një bisedë që gjoja paskam bërë me Mehmet Shehun dhe Fiqretin, unë u paskam thënë atyre se Partia këtu nuk punon sa duhet, edhe Komiteti Qendror gjithashtu nuk punon mirë në drejtimin e edukimit… Unë kam shpjeguar në hetuesi si është e vërteta…

Kryetari: -Keni ndonjë pyetje?

Ndihmësgjyqtari: -Në shtëpinë tënde keni mbajtur dhe janë gjetur materiale sekrete jashtë çdo rregulli?

Llambi Peçini: -Janë gjetur. Bëhet fjalë për një raport të bashkëpunëtorit “Eligama”. Ai nuk është marrë në takim, se unë bashkëpunëtorin “Eligama” nuk e kam pasur në takim personal. Mua më është gjetur në shtëpi ai raport agjenturor. Ai e shkruante atë raport, por ai nuk është marrë në takim. Raporti është dërguar me zarf ose tek unë, ose tek oficeri i rojës. Ky dokument nuk është i administruar dhe s’kisha pse e mbaja unë këtë dokument. Ai ma ka dërguar me zarf dhe unë e kam vënë në xhep këtë, ato rrobat s’i vesha më dhe e harrova atë zarfin…

Ndihmësgjyqtari:- Po qenia e dokumentit agjenturor varet nga administrimi apo nga përmbajtja? A është dokument agjenturor dhe pse e ke mbajtur në kundërshtim me të gjitha rregullat?

Llambi Peçini: -Nuk ja kam marrë unë agjentit këtë raport. Më është gjetur gjithashtu një temë e sigurimit të udhëheqjes së Partisë e të shtetit që unë po e bëja që t’ia jepja Drejtorisë së Dytë… Kur dola në pension, këtë dokument e mora me vete…

Ndihmësgjyqtar: -Cilat janë rregullat për të punuar një temë të tillë?

Llambi Peçini: -Kjo është jashtë rregullave të mbajtjes së dokumenteve, por ama kush e mori këtë sekret…

Kryetari(Mihallaq Ziçishti): -Po një herë dhe e marrin sekretin! Prandaj, ajo thyerja e rregullit është njësoj, si e marrin, sikur nuk e marrin…

Llambi Peçini: -Dakord..

Prokurori(Rrapi Mino): -Vera Ngjela ishte mjeke, vajza e Verës ishte Laborante, vajza e Vasil Katit, Kozeta Kati futej edhe ajo në punë kështu… Nuk u pranua nga Komiteti Ekzekutiv. Bisedove gjë me Kristofor Mërtiron pastaj për këtë problem që Komiteti Ekzekutiv nuk e pranonte?

Llambi Peçini: -Për vajzën e Vasil katit na tha përpara, jo pasi i thashë unë. Po, përpara na tha Kristofor Mërtiri që të ndërhynim se familja e Vasil Katit ishte në Kotë e internuar. Edhe për interesa operative u mendua që familja e Vasil Katit të transferohej në Berat, në rrethin e Beratit. Na u tha nga Kristofor Mërtiro se ka interesa operative për lidhjet e puçit ushtarak. Ne i bëmë propozim Komisionit Qendror dhe ata e dërguan me vendim të Komisionit. Ndërsa Kozara Katit ja hoqëm internimin me propozimin tonë se ishte e sëmurë. Meqenëse do të mbetej vetëm, kërkohej një punë më e lehtë. “Do të përpiqem t’i gjejmë ndonjë punë o arsimtare, o edukatore kopshti, o edukatore në çerdhe” -tha Kristofori. Epo mirë, meqë është për interesa operative, i thashë Kristoforit, shko tek shefi i arsimit e thuaji. Në këtë bisedë ishte dhe Zylyftar Shehu, zëvendëskryetari i degës. Shefi i arsimit nuk pranoi. Po mirë i thashë, shkojmë bashkë tek kryetari i Komitetit Ekzekutiv. Edhe ai, me të drejtë, tha se nuk mund ta bëj këtë punë… Kur erdhi Kristo Mërtiro i thashë se nuk mundëm ta zgjidhim problemin e Kozara Katit… Ai tha që ajo t’i shkruajë një letër Mehmet Shehut. Isha me Zylyftarin, zëvendësin në këtë bisedë. E asaj, këta ia tha Zylyftari. Vera, me urdhrin e kryeministrit Mehmet Shehut, u bë mjeke. E bija e Vera Ngjelës u bë përsëri laborante me urdhër të Mehmet Shehut…

Prokurori(Rrapi Mino):- Kjo, shoku kryetar, që në njerëzit e tyre, për të dënuarit për krime të rënda kundër shtetit që përkrahen nga organizata, kryesisht nga poliagjenti Mehmet Shehu.

Llambi Peçini: -Unë s’kam përkrahur. Se ajo familja e Vasil Katit, nuk ishte më e rëndësishmja, i nderuari prokuror. Le të shikohen dokumentet atje në degën e brendshme të Vlorës. Kemi goditur të birin e Beqir Ballukut. Edhe është Vladimir Balluku, është familje më e rëndësishme familja e Beqir Ballukut. Kemi goditur të birin e Kiço Ngjelës, kemi goditur të birin e Halim Xhelos dhe lidhjet e tyre. Pra, nuk është ashtu siç thotë Fiqret Shehu që unë i paskam përkrahur këta….

Back to top button