(DETAJE) Shpërthimi në portin e Sarandës/ Si ndodhi vdekja e Nelaj? Do i vendoste tritol një anije, por shpërtheu në duart e tij
Policia e Sarandës ka zbardhur detajet e tragjedisë që ndodhi më 24 qershor 2024 në portin e Sarandës, ku humbi jetën biznesmeni Armand Nelaj.
Sipas njoftimit të policisë, Nelaj dhe një shok i tij, Eridon Muho, kishin planifikuar të vendosnin eksploziv në një anije që bënte linjën Sarandë-Korfuz për arsye konkurrencë.
Fatkeqësisht, eksplozivi shpërtheu aksidentalisht gjatë tentativës për ta instaluar në anije, duke shkaktuar vdekjen e biznesmenit Nelaj.
Eridon Muho është arrestuar dhe dyshohet se është i përfshirë në këtë incident tragjik. Hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për të zbardhur të gjitha detajet e ngjarjes. Materialet janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Sarandës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi:
Hetime të thelluara në bashkëpunim me Prokurorinë, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 24.06.2024, në portin e Sarandës, ku si pasojë e një shpërthimi, humbi jetën një 52-vjeçar.
Si rezultat i veprimeve të thelluara profesionale dhe hetimore, është arrestuar një shtetas i cili dyshohet se bashkë me 52-vjeçarin, do t’i vendosnin një anijeje një sasi eksplozivi, që shpërtheu aksidentalisht duke shkaktuar vdekjen e 52-vjeçarit.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 24.06.2024, në portin e Sarandës, ku si pasojë e një shpërthimi në det, humbi jetën shtetasi A. N.
Si rezultat i hetimeve, është ndaluar shtetasi E. M., 35 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin A. N. kishin planifikuar vënien e një sasie eksplozivi te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence.
Kjo sasi lënde plasëse ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije, dhe si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. N.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.