“Një natë parkimi, sa një natë në hotel”, kryebashkiaku i Vlorës: Abuzim! Kemi ngritur Task Force

Në Vlorë ka nisur ulja e çmimeve nga operatorët turistikë nxitur dhe nga mesazhi që pak ditë më parë u dha kryeministri Edi Rama i cili në një takim me kryetarët e bashkive tha se nëse do të vijonin me rritjen e pakuptimtë të çmimeve do të binin vetë në ‘gropën e gjoksit që kanë hapur vetë’.

“Kanë filluar uljet. Tek tuk ka struktura biznesi që mund të abuzojnë por në përgjithësi operatorët janë ndërgjegjësuar që duhet të jenë në një linjë” tha kryetari I bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha në një intervistë me skype për emisionin “Sot live në Shqipëri’ në Report Tv.

Dredha tha se ka nisur biseda intensive me bizneset për këtë cështje duke përcjellë mesazhin se duhet të jenë të kujdesshëm.

”Patjetër që ka një rënie të ndjeshme. Nuk e dha pa qëllim Kryeministri shembullin e Bullgarisë ku 10 vite më parë u kthye në destinacion turistik, ndërkohë që u kthye në Boomerang dhe tani Bullgaria është jashtë hartës së vendeve turistike. Ne nuk po flasim për 1 ditë apo për 1 muaj, po flasim për Shqipërinë 2030. Mos harroni që kemi dy investime, kemi tunelin dhe aeroportin.”

Por për Dredhën problem i madh mbetet parkimi. Pasi shumë pronarë parkimi kanë rritur çmimet duke bërë që një natë parkimi të kapë dhe vlerën e një nate hoteli.

“Pronarët e parkimeve private kanë nisur abuzimin. Duhet të jenë të kujdeshshëm nuk mund të paguajë për një natë parkimi sa një natë në hotel, që ofrohen shumë shërbime. Kjo ka tendencë rritjeje. Se në fund të fundit makina është makinë dhe hoteli është hotel”, tha Dredha për Report Tv.

Për këtë janë marrë masa.

“Kemi ngritur një taskforcë në lidhje me këtë çështje. Së pari po i shohim nga formaliteti i biznesit dhe po komunikojmë që të mos jenë abuzivë” vijoi më tej.

Dredha përjashton një skenar si ajo e Bullgarisë.

Vlora dhe gjithë segmenti deri në Sarandë, ne mund të jemi stabël. Ka vetëm një problematike te pjesa e infrastrukturës së brendshme, që nuk ka rrugë etj etj. Qeveria po punon për të rregulluar investimet në territor. Investimet duan kohën e tyre por dhe cilësia e ofertës do jetë më cilësore”, tha Dredha.

Si po shkon ky sezon turistik?

“Sezoni po shkon shumë mirë. Pothuajse të gjitha strukturat hoteliere janë plot. Nga mesi I korrikut deri në vazhdim është e pamundur të shihen bosh. Hotelet i kanë të prenotuara dhomat deri në mes apo fund shtatorit. Trendi është i mirë, është plot gjithçka, pjesa tjetër na takon neve që është pjesa e menaxhimit të qytetit”.

Back to top button