Pse Berisha është i fiksuar me “panepiriotët e Himarës”?!

Nga Ylli Pata

Vendosja e një personazhi drejtues të Federatës Panepirote të SHBA si kandidat për kryebashkiak të Himarës, pritet të polarizojë edhe më shumë fushatën e bregut, si përplasje Tiranë-Athinë.

Peter Gjikuria, është një nga emrat kryesor të grupimit më të fuqishëm të lobit grek në SHBA, e cila ka pasur si drejtues VIP, Nicholas Gage, apo Niko Gazoianis.

Në realitet politik dhe numerik, Himara nuk mund ta mbajë këtë sherr të madh. Qoftë Omonia, qoftë edhe shefat e saj në qarqe të lartë në Athinë, apo në rastin aktual në lobin grek në SHBA, e dijnë se politikisht në një votim normal në bashkinë Himarë, qoftë në kufijtë aktualë, qoftë edhe me bashkinë e vjetër kur ishte më e vogël, nuk bëhet dot shumicë. ”Pëndëblutë” në territorin e krahinës së Bregut kanë qenë gjithmonë forcë e tretë, ose më pak. Edhe pse janë përpjekur shumë, ata kurrë nuk kanë arritur të bindin himariotët që të përqafojnë politikisht kauzën e tyre, se kjo është një çështje dinjiteti. E në mazhorancë në Himarë, fiton dhe prevalon identiteti shqiptar.

Ndaj dhe pas vitit 2000, kur Vasil Bollano humbi përballë një koalicioni të pazakontë PD-PS, Athina dhe qarqet rreth saj zgjodhën një rrugë tjetër.

Zgjodhën rrugën e aleancës me një nga dy partitë e mëdha në Shqipëri, që të jenë faktor me potencial.

E kështu zgjodhën Sali Berishën. Të cilit i jepnin një mbështetje falë lobimit të fortë që kanë në sallonet e Uashingtonit, dhe merrnin nga ai votat për të marrë Himarën.

Sali Berisha ishte totalisht i dërrmuar pas zgjedhjeve të vitit 2001, i izoluar ndërkombëtarisht dhe i pamundur që të bëhet mazhorancë në vend. Nga frustrimi Berisha bojkotnre parlamentin herë pas here, nxiste zhvillime radikale, për tu bërë faktor thjesht nga frika që mund tu ngallte socialistëve, të cilët nuk se shquheshin për trimëri.

Mirëpo, një ditë, doktorin e takoi një dërgatë e Federatës Panepiriote të SHBA, të cilët e këshilluan që të bëhej ”qengj”, por për të tjerat mendonin ata.

Përveç Berishës, kjo organizatë kishte relacione të mira dhe me të majtën, madje një ministër i atëhershëm i PS-së kishte përfituar mjaft nga lobimi i tyre në SHBA.

E kështu Berisha u bë ’qengj”, bëri pakt me Ilir Metën për të hequr Kryeprokurorin, pakt me Fatos Nanon për të zgjedhur Presidentin, e për të sulmuar Edi Ramën, e nuk e bojkotoi më Parlamentin. Në konferenca shtypi shfaqej i qeshur ku lëshonte shpoti argëtuese, që ngazëllente një pjesë të madhe të reporterëve të selisë blu, që në shumicë të tyre ishin partizanë të PD-së e doktorit. Pas kësaj, si me çelës, mediat kryesore, të cilët tek PD linin reporterët më pa përvojë, ndryshuan qëndrim. Madje mediat kryesore në vend, përforcuan stafin e tyre me prurje të freskëta nga media militante të PD-së si 55, Radio Kontakt etj etj.

Doktori ishte kthyer relevant, pasi ishte faktor real mes sherrit që kishte shpërthyer në mazhorancën socialiste ndërmjet Fatos Nanos dhe Ilir Metës.

Një ditë vere si kjo e sotmja, në zyrën e Sali Berishës në selinë e vjetër të PD-së, aty ku u çalltis Ilir Meta në prag të një viti të ri, ngjiti shkallët pikërisht kreu i Feferatës Panepirote të SHBA, Nicolas Gage. Një personazh me një ndikim mjaft të rëndësishëm në sallonet e Uashingtonit.

Federata Panepirote, është një version natyrisht me peshë më të vogël të Kongresit Amerikano-hebre. Me të cilin ka pasur dhe ka gjithmonë marrëdhënie të mira.

Gage(Gazoianis), ka qenë gazetar, por mbi të gjitha një shkrimtar, që me veprën e tij u bë shumë i famshëm. Libri “Eleni” kushtuar nënës së tij, u bë objekt citimi nga Presidenti i fuqishëm i SHBA, Ronald Regan.

Nëna e Gage, Eleni, u ekzekutua nga komunistët grekë të ELAM, gjatë luftës civile greke në vitin 1947. Eleni, bindi komunistët që të linte djalin e vetëm Nikos, së bashku me tre vajzat që të largoheshin nga fshati Lia, një fshat i vogël afër Filatit, qëndrës së madhe ku kanë banuar shqiptarët e Çamërisë.

Libri “Eleni” i Nikos që tashmë në SHBA quhej Nicholas, u bë edhe film nga Hollywood-i. Ndërkaq, Presidenti Regan, për të sulmuar Perandorinë Komuniste që drejtohej nga sovjetikët, citoi një pasazh të romanit “Eleni”, pikërisht për të ilustruar barbarinë e tyre.

Një fjalim, që mbetet një nga më të rëndësishmit e të goditurit në teorinë e komunikimit në botë.

Ndërkaq vetë Gage është shumë i famshëm. Ai ka qenë gazetar investigativ i  The New York Times, e Wall Street Journal, ku ka shkruar për klanet më të fuqishme të mafias në SHBA.

Ndërkaq, Nicholas Gage ka qenë gazetari i parë që ka inicuar superskandalin e Watergate. Me shkrimet e tij, akuzoi për korrupsion, zv.presidentin e SHBA, Spiro Agnew, numrin dy të Nixon-it, i cili babanë e kishte grek. Pas shkrimeve të Nicholas Gage, zv.presidenti i SHBA dha dorëheqjen, kurse gazetari ishte ndër të parët së bashku me dy kolegët e The Washinton Post: Bob Woodward dhe Carl Bernstein.

Aq i madh ishte popullariteti i Nicholas Gage, sa ju propozua shkrimi i skenarit të ”Kumbari III”, së bashku me autorin e romanit me të njëjtin titull Mario Puzo.

Tani, rikthehemi tek viti 2003, kur ky njeri me kaq influencë, ngjiti zyrën e Sali Berishës, që e kishin braktisur të gjithë. Deal-i që doli nga ajo zyrë ishte që PD do të mbështeste Vasil Bollanon të bëhet kryetar i bashkisë së Himarës. Njëherë indirekt, pra të mos paraqesë kandidatë, dhe më pas me aleancë direkte.

Ishte koha, kur balotazhi ishte hequr edhe nga zgjehdjet bashkiake, pra fitonte ai kandidat që merrte qoftë edhe një votë më shumë. E ashtu ndodhi. Vasil Bollano u zgjodh kryetar bashkie i Himarës në vitin 2003. Madje, edhe me një kolpo të madhe nga KQZ-ja e drejtuar nga kryetari aktual, Ilirjan Celibashi. i cili me një vendim bombastik i quajti të gjitha votat e fshatit Qeparo si të pavlefshme.

Ndërkaq, Sali Berisha, edhe pse mori një mbështetje nga Nicholas Gage, nuk arriti të marrë direkt një takim apo foto të rëndësishme nga përtej oqeanit. Në sondazhet e publikuara situata shikohej e ndarë, ku Sali Berisha nuk e kishte fitoren në xhep, edhe pse reputacioni i qeverisë së PS-së ishte përtokë së bashku me shizmen e madhe të Ilir Metës dhe një grupi të rëndësishëm politikanësh të lartë.

Ndërkaq, papritur, viziton Tiranën kreu i CIA-s, Porter  Goss, i cili kishte punuar si numri dy i George Tenet në agjencinë më të madhe të inteligjencës në botë. Tenet, babai i të cilit ishte nga Qeparoi, e ka konsideruar veten gjithmonë një grek entik nga Epiri. Ai ka punuar mjaft në lobin grek në SHBA, madje ka qenë kryetar i Institutit të Studimeve helenike në SHBA. Për takimin e kreut të CIA me Fatos Nanon, më vonë u përfol se ju kërkua që të hapte rrugën e të mos insistonte të qendronte.

Kështu që Nicholas Gage dhe Panepirotët e sollën Sali Berishën në pushtet dhe ky i fundit u dhuroi Himarën me Vasil Bollanon e Omonian. Më vonë Berisha lidhi fijet vetë me Athinën e ju dha varrezat e ushtarëve si dhe marrëveshjen e detit.

Mirëpo sot gjërat kanë ndryshuar mjaft edhe pse lobi grek në SHBA mbetet i fortë e me ndikim. Nicholas Gage nuk është në në krye të Federatës Panepirote, Athina nuk e ka më atë fuqi, e Shqipëria, nuk e ka më pozitën e para pranimit në NATO e më pas. Kurse Sali Berisha është natyrisht në një pozitë edhe më të rëndë se para 2005-s. i Shpallur Non Grata e në arrest shtëpie për korrupsion.

Si doktori, edhe Ilir Meta, sipas gjasave nuk kanë shpresë se mund të kenë iluzion që mund të gjejnë lobim për në SHBA, por thjesht duke u lidhur me Athinën, kanë një gremç politik ku të kapen, e shpresojnë të bëhen faktor sado i vogël. Këtë radhë, shahun po e luan Micotaqis me Edi Ramën. Doktori e Meta, thjesht duan të bëjnë zhurmë që të prishin lëvizjen e radhës. Që me Vangjel Tavon, duket se Rama e ka ditur se loja në Himarë do të bëhet “panheleniqi”….

Back to top button