Vlorë, shtohen hapësirat publike në plazh, Bashkia vë në dispozicion të pushuesve, çadra dhe infrastrukturë falas
Këto hapësira të krijuara po u vijnë në ndihmë pushuesve të shumtë të cilët do të mund të marrin të gjitha kënaqësitë që bregdeti të jep me një kosto zero.
Punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike po vijojnë me instalimin e çadrave dhe infrastrukturës së nevojshme për pushuesit. Ndërkohë më herët janë ndërtuar edhe korridoret e drurit në plazhin ranor. Kjo ka bërë që plazhi të popullohet si nga banorët vendas ashtu edhe nga pushuesit e huaj. Moshat e treta e kanë vlerësuar këtë angazhim të bashkisë në shërbim të tyre.
“Me bashkinë jemi të kënaqur, me këto që bëri tani shumë mirë është”, tha një qytetar.
Pushuesit shprehen se ka ende disa problematika të cilat bashkia duhet ti ketë në vëmendje siç është pastrimi i plazhit nga vajrat që lëshojnë mjetet lundruese e që batica i nxjerr në këtë hapësirë gati çdo ditë.
Hapësirat pa pagesë në plazhet e Vlorës janë një shembull që duhet ndjekur më tej në të gjithë gjatësinë e vijës bregdetare të vendit të mbushur me pushues të shumtë si vendas ashtu edhe të huaj.