“Merrni masa para se të ketë eskalim”/ Deklarata e fortë e ish-zyrtarit amerikan: Në Kosovë, problemi është Kurti
Ish-emisari presidencial i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar lidhur me deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë për veprimet e fundit të institucioneve të Kosovës që rezultuan me mbylljen e pikave të postës së Serbisë në Veri të vendit.
Grenell ka thënë se reagimi i SHBA-së është një tjetër letër me qëndrim të fortë ndërsa shtoi se SHBA-ja mund të bëjë edhe me ashpër se kaq. Ish-emisari dhe bashkëpunëtori i afërt ka thënë se formulimet e fuqishme s’funksionojnë dhe se të gjithë e dinë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është problemi.
Grenell ka thënë se Kurti s’ndalet me deklarata nga distanca dhe ka sugjeruar SHBA-në që t’i përdorin mjetët që i kanë në dispozicion e të cilat prodhojnë pasoja, para se të ndodh ndonjë eskalim i situatës.
“Albin Kurti është problemi dhe të gjithë e dinë. Shumë zyrtarë të administratës Biden-Harris dhe zyrtarë evropianë janë thjesht shumë të dobët, Kurti nuk frenohet nga distanca nga deklaratat (madje nuk ia thoni as emrin). Ju keni mjete që prodhojnë pasoja, përdorni ato tani përpara se të ketë një përshkallëzim”, ka shkruar Grenell.