Uji më i kaltër në botë ndodhet në plazhin shqiptar, revista e huaj zbulon se…
“Kërkimet treguan se plazhi me ujin më blu në botë gjendet në Europë dhe përkatësisht në Shqipëri”.
Kështu bëri me dije sot kreu i qeverisë Edi Rama, duke iu referuar një shkrimi në revistën e njohur “Travel+Leisure”.
Revista “Travel+Leisure”, rrëfen se për të ndihmuar njerëzit të gjejnë ujin më blu, grupi CV Villas analizoi rreth 200 plazhe përreth botës, duke përdorur kodin RGB të ngjyrës dhe duke e kryqëzuar atë me kodin YInMn Blue ose bluja më e thellë që ekziston, e cila u zbulua në vitin 2009, nga shkencëtarët e Oregon State University në SHBA.
“Hulumtimi nxorri se Plazhi Pasqyra në jugun e Shqipërisë është plazhi me ujin më blu në botë”, shkruan Rama.
Revista thote se Plazhi Pasqyra është vetëm 12.4 pikë (ose gradacione) larg nuancës YInMn Blue, çka e vendos atë të parin në listë, ndjekur nga Plazhi i Gjatë (Paralia Mpouka) në Greqi, në vendin e dytë me 13.6 pikë larg YInMn Blue, e pastaj Kassiopi po në Greqi në vendin e tretë dhe Plage de la Vernette në Francë e Plazhi Kaputaş në Turqi përmbyllin pesëshen e më të mirëve.