Mrekullitë para shenjtërimit të Nënë Terezës
Nga Klevis Hoxhaj
E gjithë jeta e Nënë Terezës së Kalkutës, si të thuash, ishte një mrekulli në vetvete.
Shërimi i Monika Besra-s në Bengal të Indisë, ishte mrekullia e parë që çoi në lumturimin e murgeshës shqiptare.
Historia e kurës befasuese është gdhendur me vite, por Monica Besra ende mund ta recitojë përmendësh, shkruante “The Washington Post”.
Besra ishte aq e sëmurë sa mezi ecte, në një kohë kur murgeshat nga Misionarët e Bamirësisë, urdhri i themeluar nga Nënë Tereza, e ndihmuan atë në një dhomë të vogël lutjeje një ditë në vitin e largët 1998.
Ajo ndaloi nga një foto e murgeshës dhe papritmas ndjeu një “dritë verbuese” që dilte nga portreti, dhe ajo e përshkoi nëpër trupin e saj.
Më vonë, murgesha të tjera i vendosën një medalje fetare në barkun e saj (të fryrë nga një tumor ed.) duke i ushtruar presion dhe u lutën mbi Besra-n ndërsa ajo ishte e shtrirë në shtrat.
Pasi u zgjua në orën 1 të mëngjesit, ajo thoshte se trupi i saj ndihej më i lehtë dhe tumori në dukje ishte zhdukur.
“Isha aq e lumtur në atë moment sa doja t’u thosha të gjithëve: jam shëruar”, kujtoi Besra gjatë një interviste për të përditshmen amerikane.
Në vitin 2002, Vatikani certifikoi rastin e Besra-s si një “mrekulli”, momenti i parë historik në udhëtimin drejt shenjtërimit për Nënë Terezën e Kalkutës.
Murgesha shqiptare u konsiderua një shenjtore e gjallë nga shumë besimtarë gjatë jetës së saj, por historia e Besra-s është trajtuar gjithmonë me skepticizëm në Indi.
Kjo, sepse mjekët dhe ministri shtetëror i shëndetësisë e përgënjeshtruan asokohe.
Ata kishin pohuar prej kohësh se Besra vuante nga një cist, jo nga një tumor.
Mjekët thoshin se ajo u shërua pasi mori trajtim për tuberkulozin për disa muaj në një spital qeveritar në Balurghat, rreth 450 kilometra në veri të qytetit ku Nënë Tereza kaloi dekada duke u shërbyer të varfërve dhe ku ndërroi jetë.
Që Kisha Katolike të shpallë dikë shenjtor kërkon një hetim mbi jetën, besimin dhe veprat e mira të atij personi që mund të zgjasë me vite.
Duhet të njihen dy “mrekullitë” që i besohen lutjeve për shenjtorin e mundshëm – njëra para ritit të lumturimit, faza e parafundit e procesit, e dyta para shenjtërimit.
Nënë Tereza – e cila lindi në Shkup – erdhi në Indi si murgeshë e re dhe filloi të punonte me të varfrit në lagjet përreth Kalkutës.
Ajo vazhdoi me themelimin e një urdhri fetar që është përhapur në më shumë se 130 vende të botës dhe në vitin 1979, ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqen.
Afër fundit të jetës së saj, murgesha shqiptare udhëtoi globin si një mbështetëse e vendosur e qëndrimit të Kishës Katolike kundër abortit dhe kontracepsionit.
Vatikani më vonë ia vlerësoi Nënë Terezës një mrekulli të dytë kur një brazilian u shërua nga një infeksion bakterial i trurit kërcënues për jetën, pasi gruaja e tij iu lut murgeshës, duke i hapur rrugën ceremonisë së shenjtërimit.
Marcilio Andrino ishte i bindur se edhe ajo e donte atë – dhe ndërmjetësoi te Zoti për ta kuruar, kur mjekët i kishin dhënë pak mundësi për të mbijetuar, shkruante “Associated Press”.
Kurimi i Andrino-s, i shpallur një mrekulli nga Papa Françesku në fillim të vitit 2016, ishte hapi i fundit i nevojshëm për të shpallur Nënë Terezën një shenjtore.
Inxhinieri mekanik brazilian dhe gruaja e tij, Fernanda, thanë asokohe se mesazhi i Nënë Terezës, i përcjellë gjatë gjithë veprimtarisë së saj për “më të varfrit e të varfërve” në lagjet e Indisë, është se “mëshira e Zotit është për të gjithë”.
Sipas të dhënave zyrtare, Andrino ishte në koma dhe po vdiste më 9 dhjetor të vitit 2008 nga një infeksion viral i trurit që kishte rezultuar në abscese të shumta dhe një akumulim të lëngjeve rreth trurit.
Operacioni ishte planifikuar për në orën 18:10. por anesteziologu nuk mundi ta intubonte menjëherë.
Kur kirurgu mbërriti gjysmë ore më vonë, ai “e gjeti pacientin në mënyrë të pashpjegueshme zgjuar dhe pa dhimbje”, sipas postulatorit të kauzës së Nënë Terezës, Rev. Brian Kolodiejchuk.
Kolodiejchuk shtoi se Fernanda ishte lutur për ndërmjetësimin e Nënë Terezës në mënyrë specifike për gjysmë ore kur burri i saj supozohej të ishte në operacion.
Me dy mrekulli të miratuara, Papa Françesku e shpalli shenjtore Nënë Terezën më 4 shtator të vitit 2016 – vetëm një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj.
Në predikimin e tij për meshën e kanunizimit të saj (pranimi zyrtar i një personi të vdekur në shenjtëri ed.), Papa Françesku predikoi:
“Për Nënë Terezën, mëshira ishte ‘kripa’ që i jepte shije punës së saj, ishte ‘drita’ që shkëlqeu në errësirën e shumë njerëzve që nuk kishin më lot për të derdhur për varfërinë dhe vuajtjen e tyre”.